Lista e Ramës si ushtria e sulltanit

Prishtinë | 01 Maj 2017 | 15:27 | Nga Sokol Shameti

Këta emrat anonimë në listat e PS-së ngjajnë me atë gjetjen brilante të sulltan Muratit kur rrethoi kalanë kyç të Sfetigradit.

Sulltani solli ca reparte jeniçerësh, por kryesorët ishin një repart i ri, i çrregullt dhe pa emër. Ai përbëhej nga kreditorë, borxhlinj dhe të falimentuar. Po të merrnin kalanë, u faleshin borxhet. Jeniçerët luftonin nja dy orë dhe pastaj iknin të hanin pilaf.

Këta të rinjtë, i gërryenin me thonj muret mbrojtëse. Këta edhe e morën kalanë.

Kështu janë edhe reparti i anonimëve në lista. Ata e dinë që do jenë deputetë për një kohë të shkurtër.

Mirëpo ata i janë borxhlinj Kryetarit secili në mënyrën e vet, janë kreditorë të tij. Bash prandaj ata do të luftojnë më me egërsi se kushdo që këto zgjedhje që u dhanë shansin edhe atyre humbamenove, të jenë dikushi, të kenë vlerë sa më të madhe e t’i mbajnë sa më gjatë në kolltuk.

Lista e kaluar ishte lista e jeniçerëve, gangsterëve, trafikantëve dhe të fortëve që u bënë nga badigardë dhe shoferë, direkt deputetë. Kjo e reja është lista e qullavecëve, leshkove, gomarëve dhe palluqeve që vijnë në Kuvend nga paradhomat, recepsionet dhe sekretaritë.

Ndërsa sa për ata ish-ët e dikurshëm që ranë nga fiku dhe tani luajnë teatrin formal të të mërziturve, largimi i tyre ka vlerë vetëm që kur të vijnë zgjedhjet e vërteta, ato realet për ta të thuhet: rikthehet filani.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme