Lluka: KEK-u kontribuon me 8-10 për qind në ndotje

Prishtinë | 30 Jan 2018 | 14:39 | Nga

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, nëpërmes një postimi në Facebook, ka folur lidhur për ndotjen e ajrit në Prishtinë dhe qytetet e tjera, me qëllimin që të kuptohet më mirë se ku duhen të merren masat urgjente!

Lluka ka thënë se djegia e thëngjillit në formë të pa kontrolluar është ndotësi kryesor nëpër qytete të Kosovës, me mbi 60 për qind të ndotjes. E sipas tij, KEK kontribuon në ndotje të Prishtinës me rreth 8 deri 10 për qind të të gjithë ndotjes. “Kosova B është ndotës më i madh se Kosova A sepse filtrat e Kosovës A janë ndërruar në 2011 kurse të Kosovës B asnjëherë që nga viti 1985. Për më tepër, rrymat e ajrit nuk e drejtojnë tymin e KEK-ut në drejtim të Prishtinës në të shumtën e kohës”, ka shkruar ai.

POSTIMI I PLOTË:

Dua të them edhe unë diçka lidhur për ndotjen e ajrit në Prishtinë dhe qytetet tjera me shpresë që të kuptohet më mirë se ku duhen të merren masat urgjente!

KEK kontribuon në ndotje të Prishtinës me rreth 8 deri 10 përqind të të gjithë ndotjes. Kosova B është ndotës më i madh se Kosova A sepse filtrat e Kosovës A janë ndërruar në 2011 kurse të Kosovës B asnjëherë që nga viti 1985. Për më tepër, rrymat e ajrit nuk e drejtojnë tymin e KEK-ut në drejtim të Prishtinës në të shumtën e kohës.

Djegia e thëngjillit në formë të pa kontrolluar është ndotësi kryesor nëper qytete të Kosovës ku merr pjesë me mbi 60 përqind të ndotjes*.

Makinat marrin pjesë me rreth 30 përqind.

Problemi kryesor sipas mendimit tim?

Qymyri që digjet nëpër shtëpi dhe biznese është i blerë ilegalisht. Kur blihet ilegalisht, qymyri është i patrajtuar.

Çka do të thotë i patrajtuar?

Qymyri kur nxirret nga toka është shumë I lagët. Normalisht duhet paraprakisht të thahet, ku gjatë këtij procesi, hiqet një pjesë e madhe e sulfurit (që është tepër i dëmshëm dhe ka aromë të keqe siç njihet tek ne “era Obiliq)

Kosova Thëngjilli në mënyrë të kontrolluar shet thëngjill tek disa blerës siç është Ferronikel dhe Sharrcem. Ai thëngjill është i tharë dhe i trajtuar. Ne në Prishtinë kur themi që po vjen era Obiliq, është pikërisht tharësja e kësaj kompanie që e krijon atë aromë të keqe si rezultat i sulfurit.

Thëngjilli i patrajtuar që blihet ilegalisht e që digjet në shtëpi dhe biznese pa asnjë filtrim është vdekjeprurëse pasi që krijon pluhur shumë më tepër se thëngjilli i trajtuar, liron dioksid karbon dhe sulfur maksimalisht që na bëjnë frymarrjen të vështirë dhe rrjedhimisht shkakton sëmundje tek fëmijët dhe moshat e shtyra. Dhe ky është problemi kryesor!

Kjo përkeqësohet edhe me tej kur kësaj i shtohet fakti që gjatë dimrit, presioni i ajrit e mban ndotjen brenda në qytete si dhe gjatë dimrit është evidente mungesa e gjelbërimit.

Tash politika duhet të ndërmerr masa në bazë të kësaj dhe urgjenca kryesore është ndalimi në BURIM i thëngjillit. Kur them në burim, janë disa: identifikimi dhe ndalimi i nxjerrjes ilegale, ndalimi i dhënies në formë të dhuratës nga KEK** tek punëtorët si dhe ndalimi i shitjes nga Kosova Thëngjilli tek individë dhe biznese që nuk kanë filtra në djegie.

Kur ndalet burimi, atëherë qytetarët që përdorin thëngjill për ngrohje nuk kanë se ku të blejnë dhe rrjedhimisht nuk do të kishte nevoj për inspektoriat që kontrollon secilën shtëpi apo biznes (diçka e pamundur kur po e shohim që nuk po funksionon me ligjet të duhanit).

Rregullimi i qarkullimit të makinave duhet të rregullohet në formë permanente si çdo vend tjetër i zhvilluar.

*Përqindjet janë të përafërta në bazë të diskutimeve me ekspert të fushës.

**KEK shpërblen çdo vit, secilin nga 5000 punëtorët me nga 8 ton thëngjill. Nga viti që vjen, ky veprim do të ndalohet.

Foto: Prishtina këto ditë

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme