“LSI është gjithmonë me plehrat”

Prishtinë | 07 Tet 2016 | 21:34 | Nga Andi Bushati

Sinjalet e qarta që Bujar Nishani i ka dhënë pjestarëve të delegacionit të Aleancës kundër importit të plehrave, se do ta rikthejë ligjin në parlament, do të vendosin edhe njëherë më shpatulla për muri, partinë më të vogël të shumicës, LSI-në.

Pas hezitimesh, piruetash politike, ndjesash që më shumë dukeshin si oportunitete të momentit, sesa si reflektime të sinqerta politike, PD-ja vendosi të dalë kundër ricikluesve të plehrave.

Pavarësisht se ajo, në kohën kur ishte në pushtet, u hapi atyre të katër dyert, opozita vendosi taktikisht të ngrejë kartonët e kuq.

Edhe sinjali që dha presidenti, i cili nuk bën asgjë pa miratim paraprak nga kulla 24 katshe, qe një shenjë e qartë se PD tashmë është barikaduar kundër një Shqipërie kazan të Europës.

Qëndrimi i socialistëve është po aq i qartë. Rama i ka mashtruar në mënyrë spektakolare shqiptarët. Deputetë si Shalsi apo Bare u detyruan të kapërdijnë turpin me bukë.

Përbetimet se do të qenë mafiozë, nëse një ditë importonin plehra nga jashtë, tani janë harruar.

Nëse ligji do të rikthehet në parlament nga Nishani të gjithë deputetët e majtë, që i panë emrat e tyre të gdhendur në kazanë plehrash, do të votojnë sërish.

Këtu pyetja enigmë është se çfarë do të bëjë LSI, ndaj një ligji që kaloi herën e parë vetëm me 63 deputetë?

Në votimin e pak ditëve më parë, partia e Ilir Metës luajti rolin e gjobaxhiut të vogël.

Nga njëra anë ajo loboi në mënyrë qesharake për futjen e një neni që forconte kontrollin e shoqërisë civile mbi importin.

Në katastrofën që parashikohej, ky qe vetëm një makiazh i panevojshëm. Aktivistët e pakët të mjedisit, as nuk mund të zëvendësonin doganat e shqyera të rilindjes, as mund të luanin rolin e laboratorëve fantazëm të propoganduar nga Rama.

LSI kërkoi thjeshtë një alibi për të proklamuar se po luan në interes të publikut. Të njëjtën gjë bëri edhe kryetari Meta që mungoi atë ditë në votim. Por, as këto sinjale foshnjore, as pjesmarrja e ndonjë deputeti në protestën e së shtunës, nuk fshehin dot realitetin.

LSI ka qenë gjithnjë me plehrat.

Ajo ka votuar pro importit të tyre në vitin 2011 si nënshtrim ndaj Berishës dhe ka përsëritur sërish të njëjtën gjë, si e tredhur nga Rama.

Ndryshe nga PD që kur është në opozitë, për interesat e saj voton kundër, madje ndryshe edhe nga PS që dikur bënte aleancë hipokrite me shoqërinë civile, partia e Metës është koherente: gjithnjë kundër interest publik.

Të gjithë ata, që kanë shpresuar qoftë edhe pak, se Ilir Meta do të sillej si gjatë periudhës së miratimit të Reformës në drejtësi, kur në pyetje ishte lëkura e vet dhe kërcënimi  me burg nga Rama, kanë mbetur të zhgënjyer.

LSI mund të nisë kryqëzata mediatike me të çirakët e vet, kundër frikës së përgjimeve nga Saimir Tahiri, kundër rrjedhjeve të dokumentave të Gjiknurit për ÇEZ-in, por sa herë është në lojë interesi i qytetarëve, ajo nuk ka asnjë vrasje ndërgjegjjeje. Ajo është aleate me Ramën sot dhe me Berishën dje.

Kështu po sillet partia e Ilir Metës edhe me ligjin e importit të plehrave.

Dhe ky është një shembull më shumë, një dëshmi e radhës, një konfirmim, se ndryshe nga iluzionet që krijon, LSI nuk mund të bëhet kurrë një digë kundër atyre që abuzojnë me pushtetin. Ajo është me Ramën kur ai është me plehrat dhe po njësoj me Berishën kur ai lobon për to. Dhe si e tillë është e vetmja parti koherente kundër interesit të shqiptarëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme