Lufta e populistëve kundër grave

Prishtinë | 19 Tet 2016 | 14:49 | Nga SLAVOMIR SIERAKOWSKI

Jarosław Kaczyński dhe Donald Trump, dy politikanët që kanë tronditur botën këte vit, pothuajse ia kanë dalë, pavarësisht zemërimit që kanë shkaktuar deri tani. Por jo edhe për shumë gjatë: duke përqafuar hapur seksizmin, dukshëm ata kanë hapur sherr me armikun e gabuar
Jarosław Kaczyński dhe Donald Trump, dy politikanët që kanë tronditur botën këte vit, pothuajse ia kanë dalë, pavarësisht zemërimit që kanë shkaktuar deri tani. Por jo edhe për shumë gjatë.

Kur Partia për Ligj dhe Drejtësi (PiS) e Kaczyńskit erdhi në pushtet vitin e kaluar, ajo menjëherë mori kontrollin mbi institucionet kyçe të Polonisë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, zyrën e prokurorit të shtetit, median publike dhe kompanitë, madje edhe stallat e kuajve nën pronësinë shtetërore. Për shkak se qeveria PiS trashëgoi një ekonomi të shëndetshme dhe një pozicion fiskal të fortë, Kaczyński nuk e pa të nevojshme të kishte një ministër financash kështu që ky post së fundmi u likujdua.

Edhe Trump është angazhuar në një sjellje që në rrethana normale do të konsiderohej si politikisht skualifikuese: duke sulmuar prindërit e një ushtari mysliman amerikan të vrarë në luftë, duke u tallur me një gazetar me aftësi të kufizuar dhe për kritikimin e Senatorit John Mçain për shkak se ai u zu rob gjatë Luftës së Vietnamit (luftë në të cilën ai u mbajt rob dhe u torturua për më shumë se pesë vjet). Të gjithë u zemëruan, me përjashtim të votuesve të Trump.

Kjo gjendje mund të kishte vijuar gjatë. Por si Kaczyński ashtu edhe Trump së fundmi u përballën nga një forcë politike të cilën asnjëri prej tyre nuk diti ta vlerësojë siç duhet: gratë.

Para zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar në Poloni, organizata e ekstremit të djathtë Ordo luris pati propozuar një ndalim të prerë të abortit, një ndalim që shkon përtej legjislacionit aktual të Polonisë, i cili sakaq është më i ashpri në Europë, duke detyruar gratë të lindnin edhe në rastet e përdhunimit, incestit, problemeve shëndetësore dhe defekteve serioze në fetus. Por, në të njëjtën kohë, një propozim tjetër ligjor u hodh përpara për të liberalizuar ligjet e abortit, për të futur edukimin seksual në kurikullat e shkollave dhe për të garantuar mbulimin me sigurime shoqërore të kontraceptivëve.

Megjithëse PiS premtoi me solemnitet se Sejm (parlamenti) nuk do ta rrëzonte ligjin që në leximin e parë, legjislacioni për kriminalizimin e abortit u avancua deri te votimi në parlament dhe propozimi pro zgjedhjes u rrëzua. Gratë menjëherë dolën në rrugë në protestë në masë.

Për gati dy dekada, polakët kanë besuar se ligjet e abortit në këtë vend nuk mund të ndryshohen, për shkak të fuqisë së Kishës Katolike dhe nënshtrimit të klasës politike para autoriteteve fetare. Por aktorja Krystyna Janda, e cila luajti në filmin Njeriu i Hekurt i Andrzej Wajda, i bëri thirrje grave të ndërmerrnin një grevë të përgjithshme. Më 3 tetor, në vend që të shkonin në punë, gratë në të gjithë vendin dolën për të protestuar, pas një modeli të themeluar nga gratë e Islandës në vitin 1975, kur 90 për qind e grave nuk shkuan në punë duke paralizuar vendin.

Demonstratat u zhvilluan edhe në qytezat e vogla, pavarësisht motit të keq. Gratë u mblodhën gjithashtu para selisë qendrore të PiS, selia e vërtetë e pushtetit në politikën e Polonisë. Në solidaritet me gratë Polake, gratë në të gjithë botën, nga Kenia në Berlin, dolën në rrugë të veshura me të zeza.

Për herë të parë që nga rikthimi i PiS në pushtet vitin e kaluar, Kaczyński u frikësua. Ditën tjetër, ai dhe partia e tij votuan për të hedhur poshtë propozimin kundër abortit. Kurrë më parë ai nuk pati vepruar në këtë mënyrë.

Në Shtetet e Bashkuara, fushata presidenciale e Trump filloi të rrëzohet vetëm kur u zbulua se ai mburrej me rastet kur kishte dhunuar seksualisht gratë. Shpejt pas kësaj, gratë që patën duruar sulmet e tij filluan të denoncojnë publikisht dhe të përshkruajnë se çfarë u ka ndodhur atyre.

Magjia e Trump u thye. Votuesit e pavarur – dhe shumë Republikanë – e denoncuan. Michelle Obama dha një fjalim emocional mbi mënyrën se si sjellja e Trump e pati tronditur, duke folur në një mënyrë në të cilën kundërshtarja e Trump Hillary Clinton, nuk mund të flasë për shkak të historisë së saj të ngatërruar martesore. Mbështetja për Trump, veçanërisht mes grave suburbane, u rrëzua. Sipas sondazheve të fundit, mbështetja e grave për të ra nga 29 për qind në 29 për qind brenda pak ditëve.

Megjithatë as Trump dhe as Kaczyński nuk duket se janë të gatshëm – ose nuk duket se kanë mundësi – të ndryshojnë drejtim. Pasi tërhoqi mbështetjen e tij për propozimin e Ordo luris, Kaczyński nuk e la kauzën e tyre. “Ne do të luftojnë që të sigurohemi që edhe kur shtatëzanitë janë tepër të vështira, kur fëmija është i destinuar të vdesë apo i deformuar rëndë, ky fëmijë të lindë, në mënyrë që të bekohet, varroset dhe të ketë një emër,” deklaroi ai më 13 tetor. Gratë bënë thirrje për grevë të përgjithshme më 24 tetor.

Ndoshta Kaczyński ka qenë gjithmonë i prirur të vetëshkatërrohet. Si kryeministër më 2007, ai ia dorëzoi pushtetin kundërshtarëve me duart e veta, duke sulmuar partnerin e vet në qeverisje, partinë Samoobrona dhe duke kërkuar zgjedhje të parakohshme. Edhe një herë, duket se Kaczyński ka për armikun e vet më të madh, vetveten.

Këtë herë, Kaczyński (i cili nuk ka post zyrtar në qeveri) fillimisht bashkoi partitë kryesore polake (të cilat i ka konsideruar si “polakët më të këqinj të mundshëm”) kundër vetvetes duke sulmuar demokracinë liberale. Tashmë, duke hyrë në luftë me gratë, të cilat përbëjnë shumicën në Poloni, ai bashkoi qendën e politikës me të majtën dhe politizoi dhe galvanizoi të rinjtë e vendit. Menjëherë pas komenteve më të fundit të Kaczyńskit, gratë filluan të grumbullohen para shtëpisë së tij duke e paralajmëruar: “Nëse dëshiron të hysh në krevatet tona, ne do të hyjmë në shtëpinë tënde.”

Sipas një vrojtimi të opinionit publik nga gazeta Rzeczpospolita, 69% për qind e polakëve e mbështetën të ashtuquajturën protestë e zezë që gratë organizuan. Nëse greva e 24 tetorit do të jetë më e madhe se sa demonstratat spontane të 3 tetorit, mbështetja për PiS dukshëm do të rrëzohet për herë të parë që kur kjo parti mori pushtetin dhe Polonia do ta gjejë veten në një situatë të re politike.

Trump gjithashtu është tërhequr nga seksizmi, duke akuzuar median për keqbërjet e tij dhe duke e cilësuar një prej akuzueseve “ajo grua e neveritshme,” duke shtuar, “më besoni, ajo nuk do të jetë zgjedhja ime e parë.” Dhe, duke ledhatuar drejtpërsëdrejti mbështetësit e vet mes racistëve të bardhë dhe të ashtuquajturit alt-right, ai filloi të zhytet në një argument klasik anti-semit, duke akuzuar Clinton se është takuar “në sekret me bankat ndërkombëtare për të komplotuar për shkatërrimin e sovranitetit të Shteteve të Bashkuara me synimin për të pasuruar këto fuqi botërore financiare.”

Por amerikanët nuk po gënjehen; dhe po kështu edhe polakët. Dhe është shumë domethënëse se trump, e ndoshta edhe Kaczyński, do të mposhten pikërisht nga forca të cilës ata refuzojnë t’i njohin barazi dhe dinjitet, pra gratë.

/Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016

/Reporter.al

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme