Lufta që na mori në qafë!

Prishtinë | 02 Kor 2019 | 18:49 | Nga Bekim Jashari

Më shumë se sqarim rreth një hulumtimi të Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), i cili konstaton se 11.2% e popullatës jeton nga ndihma sociale, duhet t’i marrim në konsideratë faktet e paraqitura si më poshtë, të cilat duke i marrë si të mirëqena, mund të shërbejnë për të analizuar dhe nxjerr shkaqet për gjendjen ekonomike e sociale të një rajoni apo komune, nëse duam të kuptojmë në thelb problemin.

Komuna e Skenderajt, edhe ashtu e varfër në çdo periudhë para lufte, nga kjo e fundit është shkatërruar më shumë se çdo komunë tjetër. Për jetë njerëzish nuk diskutohet, por për atë pak pasuri të familjeve, që ua dogji e shkatërroi ajo luftë.

Duke pas parasysh përmasat shkatërruese të saj, gjendja ekzistuese nuk mund të ndryshojë shumë shpejt. As për një mandat 4 vjeçar të cilitdo udhëheqës apo kryetar komune.

Ajo që është e sigurt, është se ne jemi duke u angazhuar jashtëzakonisht shumë që të ndryshojmë për të mirë gjendjen dhe statistikat, njëkohësisht.

Rezultatet sot janë të prekshme e të matshme që kemi arritur në ngritjen e mirëqeniës së qytetarëve. Dhe përkundër kësaj, ende kemi familje që shfrytëzojnë asistencën sociale.

Më qëllim të zvogëlimit të papunësisë dhe ngritjes së standardit jetësor për qytetarët tanë, jemi duke krijuar kushte për investime në shumë sektorë dhe për këtë kemi filluar edhe procedurat për ndërtimin e parkut të biznesit në mënyrë që të nxisim investitorët që të investojnë në Skenderaj, çka do të ndikonte edhe në përmirësimin e kushteve të jetës së familjeve.

Mbetemi të përkushtuar që së bashku me institucionet qendrore të krijojmë politika progresive për të nxitur punësimin, vetëpunësimin dhe kështu ngritjen e nivelit të mirëqenies sociale në vend.

Vetëm nga sektori i bujqësisë, në këto gati dy vite prej se u zgjodha në krye të Komunës, kemi ndihmuar shumë familje t’i rrisin të ardhurat e tyre mujore, nga vetëpunësimi në prodhimtari të ndryshme bujqësore.

Në mesin e këtyre familjeve, ka të atilla që kanë rrit edhe fuqinë punëtore, dhe janë treguar të suksesshme në shitjen e produkteve kultivuese.

Ne jemi të bindur që me ndërtimin e Parkut të Biznesit, do të sjellim investitorë, të gatshëm për investime, do të krijojmë vende të reja pune, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie më të lartë për qytetarët tanë.

Dhe krejt për fund, në raportin e KIPRED-it, që e vlerëson edhe aspektin e krimit, Komuna e Skenderajt ka një nivel prej 6.5% të veprave penale, duke e bërë komunëm tonë më të sigurtën në raport me komunat tjera të rajonit të veriut të Kosovës.

Meritat për këtë u takojnë të gjithë qytetarëve.

Të ngjashme