Lumir, je ba vetë i 40-i!

Prishtinë | 10 Jan 2019 | 20:46 | Nga Halil Matoshi

Lumir Abdixhiku, një deputet i zgjedhur dhe i respektuar nga radhët e LDK-së, në mungesë të alternativës qeverisëse dhe vizionit në këtë parti, së fundi po manipulon me do numra abstraktë që nuk thonë shumë për Qeverinë, por ashiqare irritojnë publikun e painformuar mirë, duke ushqyër mendësinë antiestabilishment, thuase LDK e ka tashmë për lider të saj shefin e Lëvizjes Vetëvendosje!
Lumiri mendon se askush s’merr vesh në këtë “shkencë” numerologjike, duke akuzuar Qeverinë aktuale vetëm pse ajo është në funksion të zbatimit të ligjit dhe rregulloreve në fuqi, e në hartimin e të cilave ka marrë pjesë edhe ish Qeveria e drejtuar nga lideri i LDK-së Isa Mustafa.
Deputeti i nderuar Abdixhiku, duhej ta dinte se nëse Qeveria Haradinaj e ka rritur numrin e këshilltarëve dhe zyrtarëve tjerë, po e zëmë për 100 vetë, 300 i ka gjetur në zyrat e Kryeministrisë, një hise e madhe, militantë të LDK-së, për t’u bërë kështu rreth 400 qysh po thotë ai!?
Qeveria Haradinaj nuk e ka persekutuar askënd për shkak se punën në zyret e Kryeministrisë ia ka dhënë ish Kryeministri Mustafa, megjithatë ka bashkëpunuar mirë me ta dhe Lumiri mund t’i marrë opinionet e tyre.
Asnjë njeri i LDK-së, por as nga partitë tjera, nuk e ka humbur punën në Kryeministri në qeverisjen e Ramush Haradinajt.
Pra, ‘numerologjia’ e Lumirit presupozon se LDK nuk e ka punësuar askënd në zyret qeveritare, e qe po i them atij, se janë ata ku i ka lënë Isa, ajo masa prej rreth 300 vetash, edhe nëse gjysma e tyre mund të jenë nga radhët e partnerit qeverisës të LDK-së!?

Lumiri, sëkëndejmi është bërë një nga prodhuesit e Fake News, duke shpërndarë në publik të pavërteta dhe gjysëm të vërteta.
Lumiri besoj e di se, në drejtimin e secilit entitet juridik-politik ekzistojnë do norma, rregulla dhe ligje sistemore, të cilat Qeveritë i gjejnë të etabluara, i zbatojnë por edhe i ndryshojnë dhe amandamentojnë, konform me proceset dhe trendet që i kalon akëcili shtet, por secila Qeveri normale e me rezon shtetëror e respekton vazhdimësinë, sidomos vendimet e ligjshme të qeverisjes paraprake.

  • Lumiri duhej ta dinte se sipas rregullores së Qeverisë së kaluar (Isa Mustafa) Kryeministri mund t’i emërojë deri në 12 këshilltarë politikë, Qeveria Haradinaj e ka ndryshuar rregullorën duke lënë mundësi për 15 këshilltarë politikë, pra janë shtuar vetëm 3.

· Zëvendëskryeministrat, edhe ata që mbulojnë ministri, sipas rregullores së shkruar nga Qeveria Mustafa mund të emërojnë deri në 6 këshilltarë politikë, po ashtu edhe ministrat, nga 6.

· Po sipas kësaj rregulloreje, Kryeministri emëron një zëdhënës të Qeverisë, poashtu nga një edhe zëvendëskryeministrat dhe ministrat;

· Po ashtu është rritur numri i këshilltarëve të Zëvnedëskryeministrit të parë, për tre;

· Me rregullorën e re, është shtuar (neni 21 paragrafi 1) se Kryeministri mund të emërojë edhe nga një këshilltar politik për secilën nga komunitetet joshumicë, gjithsejt 9. Asnjëri nga ta nuk përket në AAK, të jetë i sigurt deputeti i LDK-së.

  • Po ashtu (neni 21, paragrafi 1) është shtuar se ministrat mund të emërojnë nga një këshilltar politik nga radhët e komuniteteve.
  • Ndërsa këshilltarët e jashtëm nuk paguhen nga bugjeti i shtetit.

Lumiri po aq sa unë, e di se në Qeverinë aktuale është shtuar dukshëm vëllimi i punëve dhe angazhimeve, (Inovacion, Investime strategjike, Zhvillim Rajonal në nivele ministrore) pavarësi energjetike, thellim reformash fiskale, ligjet e administratës shtetërore dhe ai inpagavr, fuqizimi i rendit dhe ligjit, e sidomos me përmbylljen e arkitekturës së sigurisë, si kulm i shtëpisë sonë të përbashkët, (Kosova është bërë me ushtrinë e vet) si dhe ka ndërtuar Delegacionin Shtetëror për bisedimet me Serbinë dhe po e harton Librin e Madh me shumë kapituj, me ekspertizën për Marrëveshjen eventuale me shtetin serb dhe padyshim, që rritja e vëllimit të punëve implikon edhe rritjen e numrit të këshilltarëve dhe zyrtarëve tjerë qeveritarë.
Kur të dojë Lumiri, ia argumentoj se në Qeverinë Haradinaj për të njëjtën periudhë kohore janë marrë gati trefish më shumë vendime, të mëdha madje!
Lumiri po ashtu e di se në shtet shifrat kanë pak rëndësi, sepse siguria, mbrojtja, rritja ekonomike, përmbyllja e shtetësisë, pra konsolidimi i brendshëm dhe i jashtëm i shtetit kërkon edhe resurse humane shtesë, ekspertë të rinj.
Qeveria Haradinaj po e bën diferencën, sidomos në forcimin e shtetit karshi kërcënimeve të hapura nga Serbia, kundrejt influencës ruse dhe përballë kërcënimeve hibride (kombinimi i propagandës dhe influencës mendore, ideologjike e fetare, Fake News etj. me ekstremizmin e dhunshëm) prandaj shifrat e tij përkasin në epokën e errët të komunizmit, kur populli ushtar dhe vullnetarët “e mbronin” lirinë, pavarësinë dhe integritetin territorial të shteteve e jo profesionistët.
“Shkenca numerologjike” e L. A. nuk shitet më, në një shoqëri të emancipuar.
Është sall retorikë socialiste dhe populliste;
Sëkëndejmi vetëm demagogji e artikulueme!
Në këtë dritë të propagandistit dhe luftës speciale kundër rivalëve politikë, nuk kam qef me e pa Lumirin, sepse e pandeh për patriot konstitucional dhe ligjor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme