Mania e Albinit “të vogël” për t’u marrë vetëm me tema të mëdha globale

Prishtinë | 03 Mar 2022 | 07:18 | Nga Anton Berisha

Kur dëgjohet intervista e Albin Kurtit në “Sky News” dhe adresimi i Joe Biden Kongresit, është vështirë të kuptohet se cili prej tyre është udhëheqës i një fuqie botërore.

Kjo megalomani e Albinit të vogël, kryeministër i një shteti poashtu të vogël, për t’u marrë vetëm me tema të mëdha globale është duke u bërë makthi ynë.

Në vend që të fokusohet në temat e kryeministrit të vendit, që në politikën e jashtme të sillet konform peshës përfaqësuese dhe të jetë bashkëpunues me partneret europerendimor, ndërsa në politikën e brendshme të merret me ekonominë e qytetarët, që zatën falë atij premtimi erdhi në pushtet, Albini vazhdon që preokupim të ketë protagonizmin personal dhe vënien e vetes në qendër të vëmendjes.

E përderisa, ky hargjon kohën e kryeministrit të vendit në kompleksin e madhështisë, nuk ka asnjë aktivitet diplomatik, asnjë kontakt me Washingtonin dhe asnjë mesazh kuptimplotë të qeverisë së Kosovës për partneritet me perendimin dhe kyçjen e Kosovës në procesin eventual të shpejtuar për anëtarësim në BE dhe NATO.

Në vend të kësaj, Albini vazhdon me sjelljet parapolitike dhe veprimet alternative për instituticionet, siç është rasti në segmentin e sigurisë e mbrojtjes.
Asnjë vendi të NATO-s gjatë procesit të anëtarësimit nuk i është kërkuar krijimi i fondeve vullnetare por garantimi i funksionimit demokratik të insitucioneve shtetërore, reforma e strukturës ushtarake sipas kritereve të standadizuara duke përfshirë këtu edhe mjetet buxhetore në linjë shtetërore.

Në këtë periudhë dramatike, Kosova nuk është duke treguar lidership për të faktorizuar veten si një vend që prodhon siguri të brendshme dhe partneritet, e pa të cilat komponente nuk mund të ketë proces integrues euroatlantik.

Të ngjashme