Matrapazët ende po “Notojnë”

Prishtinë | 02 Mar 2020 | 13:56 | Nga Ekonomia Online

Një zotëri i rrëfen një mikut të vet, i cili njihej për ndjenja të forta fetare, se kishte bërë mëkat. – Çfarë mëkati ke bërë?, – e pyet miku. Po, – thotë zotëria, – dal në çdo mëngjes para pasqyrës dhe i them vetes: sa i aftë jam, sa i zoti jam. – Rri rehat, hiç mos u mërzit, – ia kthen miku, – ky nuk është kurrfarë gjynahu, ky është iluzion që mbretëron te ti prej se të njoh.

Kjo histori më erdhi ndërmend pas euforisë së paparë nga tabori i zaptuesve të Federatës që veten e quajnë kryesi e Federatës së Basketbollit të Kosovës. Pas dy fitoreve të arritura në garat parakualifikuese të K.B.-2023, kundër Islandës në Prishtinë, 80:78, dhe Luksemburgut në udhëtim, 84:80, të dyja fitoret, dorën në zemër ishin plotësisht të merituara, mirëpo këto fitore janë vetëm një mashtrim i radhës, sepse në dy dekadat e kaluara zaptuesit e kësaj federate mund të them se në tërësi e varrosën këtë degë sportive, e cila para lufte basketbolli kosovar pati cilësi të rangut regjional, ndërsa basketbolli femëror ishte fuqi evropiane. Universiteti gati një dekadë bëri gara në ligën federative të ish-YU. Që ishte liga më cilësore në Evropë!

Sot basketbolli femëror është turpi më madh i sportit kosovar dhe shkas për armiqtë e vendit tonë për t’u tallur me sportin, i cili para lufte ishin të gjitha lojtare kosovare dhe ishin mburrja e vendit. Tash pa fajin e tyre këto që e përfaqësojnë Kosovën në garat ndërkombëtare poshtërohen dhe e poshtëruan vendin! Sepse të pësosh disfatë me 85 pikë diferencë siç ndodhi kundër Sllovenisë, 97:12, pastaj prej Estonisë me 65 pikë diferencë 100:35 dhe Danimarkës më 69 pikë dallim 106:37. Në tri takime kualifikuese Kosova i mori 303 pikë ndërsa i shënoi gjithsej 84 pikë, këto rezultate janë argument që të kërkohet moratorium  i menjëhershëm për basketbollin femëror që në pesë vitet e ardhshme të stërvitin vetëm në garat në vend, pa zhvillu gara ndërkombëtare.

Ku janë arsyet që ky sport qe 20 vjet pas lufte, në të dy konkurrencat është në dekadencë të thellë. Shkaktar kryesor janë zaptuesit e posteve që janë profiter, që i solli politika dhe punën e parë që e bën i korruptuan shumicën e mediave  duke i futur gazetarët në borde dhe duke i favorizuar me privilegje të llojllojshme! Pastaj ia dolën t’i përjashtojnë lojtarët vendorë, pra rininë kosovare, e zhvendosën nga dyshemeja dhe loja, në tribuna për nevojat politiko-partiake, duke i zëvendësuar rininë tonë,  me lojtarë të huaj të cilët sivjet në superligën e Kosovës luajnë hiç më pak se 37, ku në pesë skuadrat e para në formacionin e parë luajnë nga katër lojtarë të huaj, dhe gjatë kampionatit vazhdimisht bëjnë zëvendësime të tyre duke i përzënë me arsyetimin se ata nuk i plotësojnë orekset e matrapazëve të cilët financojnë ekipet, (rregull e aplikuar vetëm në Kosovë) në këtë allishverish ka pisllëqe me pastrim parash dhe hajni marramendëse, kjo dukuri dyshohet se më së shumti ka ndodhur në dhjetë vitet e fundit në ekipin e Prishtinës, por ka raste të shumta edhe në ekipet tjera, ndërsa prej 9 skuadrave sa numëron superliga, 5 trajnerë janë të huaj dhe udhëheqin skuadrat më cilësore të Kosovës, kurse pas lufte në Kosovë me diploma të aksham-pazarit u pajisen mbi 30 prof. Dr. të kulturës fizike dhe mbi 20 trajnerë vetëm një është i angazhuar jo si trajner por si drejtor i KB Prishtina ky është Florjan Myftari, ky militant i PDK-së së bashku me Blerant Stavilecin për më shumë se dhjetë vjet krijuan monopol në këtë sport, së pari duke përjashtuar të gjithë ata që nuk i nënshtroheshin urdhrave dhe diktateve puro-politike gjë që skajshmërisht arritën ta politizojnë këtë sport. Ndërsa kryetari i “atëhershëm” u katapultu nga SHIK-së, Eroll Belegu, ishte vetëm kukull dhe në plotëni në shërbim të Blerant Stavilecit, i cili KB.

Prishtinën në mënyrë jashtinstitucionale i a doli ta përforcojë me lojtarë jashtë vendit dhe njëkohësisht me ndihmën e njerëzve të federatës e përjashtuan Pejën nga superliga. Në një konkurrencë të dobët Prishtina nuk e pati vështirë t’i sigurojë disa tituj radhazi dhe ta fitoj kupën e ligës private ballkanike, e cila u sigurua me trajner, dhe me 80% të lojtarëve të huaj. E gjithë kjo ishte një marketing politik i PDK ku në Kosovë u krijua një vetëkënaqësi e rrejshme ku taksapaguesve kosovarë këto zijafete nëse zbulohen nga organet kompetente janë rrëqethëse! Basketbollin edhe pas 15 vitesh e udhëheqin bashibozukët të njëjtë të cilët edhe më tutje tentojnë ta bindin opinionin se basketbolli kosovar është në rrugë të sukseseve. E vërteta është ndryshe për 15 vitet e pasluftës nuk doli asnjë lojtar i ri i cili premton, asnjë trajner kosovar nuk ia doli ta marrë timonin e kombëtares, ndërsa pesë selektorë të huaj që u angazhuan në të kaluarën me kombëtaren A, morën mjete marramendëse për të cilat kur nuk pati transparencë edhe pse janë para të paguara nga taksapaguesit kosovar. U larguan me afera të cilat u heshtën nga njerëzit e federatës, puna e selektorëve nuk lanë asnjë gjurmë pozitive. Ky avaz ende vazhdon. Ju kujtohet dënimi i Drilon Hajrizit nga ana e këtyre tutkunëve e dënuan dhe poshtëruan pa asnjë argument dhe pas tre viteve u penduan e kthyen dhe sot në kombëtaren e Kosovës ky i njëjti i cili është 27-vjeçar pra para përfundimit të karrierës është ndër më të mirët.

Në kombëtaren tonë ka edhe ma të moshuar Edmond Azemi është 40-vjeçar, respekt për mjeshtrin e tij në lojën e basketbollit, por në këtë moshë kombëtaret që kërkojnë sukses lojtarët e kësaj moshe i pensionojnë, edhe Dardan Berisha me moshë 32-vjeçare, Erjon Kastrati me 29 dhe Morina me 28, janë lojtarë që janë para përfundimit të karrierës nëse e shtojmë faktin se selektori Grek Marmavinos u angazhua me kontratë 3,5-vjeçare, trajner i cili në tërë karrierën e vet për herë të parë punon si trajner i parë, në një kombëtare me senior, atëherë nuk ka hapësirë për optimizëm, aq më tepër brengos fakti se në garat për kupën e Kosovës që u zhvillua në Rahovec ku ngadhënjeu Peja, ndodhi ajo që u hesht nga tutkunët e federatës të cilët mendojnë se puna e vetme e tyre është ndarja e medaljeve dhe udhëtimet nëpër dynja. Në Rahovec pas ndeshjes u dëmtuan shumë makina dhe një autobus. Për të gjitha këto federata si gjithmonë fajin ia hedh organizatorit! Pra bordi i kësaj federate në krye me të parin e federatës, si dhe sekretarja e përgjithshme e vendosur pa konkurs me rrogë 1400 euro harrojnë se në statutin FBK-së shkruan se organizator i garave të kupës së republikës është decidivisht FBK. Që do të thotë fajtorët kryesorë për heshtjen dhe futjen nën tepih të problemeve të vazhdueshëm janë anëtarët e bordit të FBK-së.

Të këta matrapazë ndodh edhe kjo, vetëm pse i kërkuan mjetet që ju takojnë për punën që e kryejnë në parket, të cilët 20 muaj nuk u paguan për referime, dy referë të vetëm ndërkombëtar që i ka Kosova, Daut Mehmeti dhe Dardan Magjuni, u përjashtuan, më të kuptuar se referët do të ankohen në  FIBA. Këta “ekspertë të federatës” u bënë “pishman” pjesërisht i u paguan borxhin dhe i kthyen!

T’i kthehemi dy ndeshjeve që përfunduan në dobi të Kosovës, klani i quajtur federatë duke dëshiruar të “arsyetojnë” dështimet e panumërta dhe të përhershme, tentuan që me këto fitore me deklarata bombastike dhe plot eufori, t’i hedhin hi syve të audiencës duke deklaruar se ky sukses na hap rrugë të sigurt për K.B.

Harruan apo i mashtruan shikuesit dhe nuk e thanë se Islanda në Prishtinë luajti pa pesëshin e parë, kjo kuptohet është detyrë e gazetarëve bile një e kanë në bord, i cili ma ka gërditur profesionin që e ushtroj që dyzet e më shumë vjet, ndërsa gazetarët tjerë “çele gur gojën” sepse humbin privilegjet, udhëtimet darkat e kanagjegjet e panumërta me paratë e taksapaguesve kosovarë! Kosova edhe një herë po e përsëris fitoj me plot meritë, mirëpo Islanda në Prishtinë luajti me formacion të dytë, kush mungoi te Islanda: munguan Martin Hermanson lojtar i ekipit Alba Berlin që bën gara në Eurolig, munguan edhe Gudmenson, Berigson, Booker i cili luan në Francë, si dhe Fridrikson i cili luan në ligën suedeze, arsyeja e mungesës është vendimi i FIB-së që në garat parakualifikuese, lojtarët kanë obligim t’i mbrojnë ngjyrat e ekipeve në garat e Euroligës, e jo të kombëtares. Me kësi udhëheqësie dhe më kësi pune “profesionale” kjo degë sportive moti ka vdekur dhe fitoret si këto dy të parat janë vetëm mashtrim i radhës për zhvatje të mjeteve të taksapaguesve nga ana e këtyre zaptuesve të posteve, prandaj këta njerëz të cilët e shkatërruan këtë sport, por edhe në shumë degë tjera sportive situata është alarmante, e sidomos në KOK duhet të largohen dhe para organeve shtetërore të japin përgjegjësi për miliona euro që i kanë keqmenaxhuar. Këtë e presim nga Qeveria e ndryshimeve e cila e ka filluar punën mbarë.

Ta kthejmë rininë tonë në palestra dhe t’ia japim mundësinë të na përfaqësojnë vendin si në të kaluarën, yrneku më i mirë se ne kemi talent për çdo lakmi është xhudoja.

Një proverb popullor thotë: Dora e huaj nuk të kruan.

Shkruan: Agim Kasapolli

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme