Mbi të fortit dhe një fitues, i cili sonte nuk feston

Prishtinë | 07 Tet 2019 | 01:24 | Nga Demush Shasha

Nga 99-ta deri më 2008 jemi munduar të fitojmë pavarësinë. Nga 2008 deri më sot jemi munduar të kuptojmë se çfarë do bëjmë tani me pavarësinë tonë.

Përgjigjen në këtë pyetje është munduar të jap një klasë politike. Me kohë ata i identifikuam si të “fortit”. Të fortit qëndruan në pushtet për 11 vite. Sidoqoftë, të fortit nuk arritën të udhëheqin shtetin drejt një të ardhme prosperuese. Problemet u shtuan, gëzimet u pakësuan.

Sonte, qytetarët votuan për ndryshimin. Dy të rinjtë e Kosovës, nga të cilët njëra femër, fituan më shumë se gjysmën e votës së qytetarëve. Të fortit pranuan humbjen. Kjo është një arritje historike dhe tregon shumë për pjekurinë dhe shëndetin e demokracisë sonë të re. Të fortit duhet përgëzuar për maturinë, të rinjtë për bindjen dhe guximin.

Konsideroj se nga zgjedhjet fituan të gjithë. Opozitës së fortë iu dha mundësia për qeverisje të re, ndërsa partive të lodhur nga qeverisja iu dha mundësia për tu shndërru në opozitë të denjë.

Sidoqoftë, sonte i rrethuar nga lumturia dhe gëzimi i masës, Albin Kurti do e gjen vetën të vetmuar në mesin e gjithë kësaj zhurme.

Entuziazmi i zhurmshëm i masës do shndërrohet në qetësinë e peshës historike të natës së sotme.

Shumë shpejt, nëse jo tani më, Albini do e kuptoj përgjegjësinë kolosale e cila zbarkoj mbi krahët e tij. Të gjitha problemet e këtij vendi: Serbia, OKB-ja, interneti i dobët, korrupsioni, papunësia, liberalizimi vizave, ajri i ndotur, përjashtimi nga ENQA, tani e kanë një adresë – Albin Kurtin.

Nga nesër, Albini më nuk është i Albini i Vetëvendosjes, por Kryeministër i gjithë qytetarëve.

Nga nesër, e priftë e mbara, e ne do të jemi këtu për të gjykuar suksesin apo dështimin e tij.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme