Mediet sociale dhe censura

Prishtinë | 12 Kor 2022 | 00:44 | Nga Daut Dauti

Derisa ka ekzistuar shtypi konvencional, vetëm një numër i vogël i njerëzve (gazetarë, shkrimtarë, analistë dhe shkencëtarë) kanë mund t’i botojnë idetë dhe punën e tyre. Ka qenë kështu për shkak të mungesës së hapësirës botuese dhe aplikimit të cenzurës.

Mediat sociale e kanë eliminuar cenzurën dhe e kanë zgjeruar hapësirën botuese në pafundësi. Tashti gjithkush mund t’i botoj idetë e veta. Ka ardhur koha e vetëbotimit. Kjo është mirë për shkak se më herët shumë njerëz që kanë patur ide me vlerë nuk kanë mund t’i botojnë.

Kjo gjë e ka edhe anën e saj të keqe. Mediat sociale u kanë dhënë mundësi botimi edhe atyre që nuk dijnë asgjë për temën me të cilën merren, nuk kanë ide se cka thonë, atyre që gënjejnë, apo edhe më keq, atyre që përhapin ide që çojnë në shqetësime, trazira e gjakderdhje. Prandaj, në disa aspekte, kur ka ekzistuar cenzura, gjërat kanë qenë më mirë.

Megjithatë, mediat sociale në botë janë duke kontribuar në zhvillim të ideve. Ta zëmë, në disa gazeta të nojhura në botë, forume apo edhe në faqet e FB të disa personaliteteve, zhvillohen debate interesante, arsimuese dhe shumë të dobishme në lidhje me shpërndarjen e ideve, njohurive e përvojave.

Për fat të keq në mesin tonë në FB nuk ndodhë ndonjë debat shumë dobiprurës. Së pari ne në FB shoqërohemi me njerëz që na pëlqejnë dhe aty nuk ka shumë debat. Por, nëse inicohet ndonjë debat, shohim probleme të shumta që paraqiten nga një numër jo i vogël i ‘debatuesve’. Pos njohurive, këtyre u mungon edhe kultura e debatit. Këta nuk munden të debatojnë pa ofendime. Prandaj, unë ndaj tyre e përdori cenzurën. I largoj nga shoqërimi ose ua fshijë reagimet.

Problemi kryesor me këta njerëz është se kur nuk pajtohen me diçka, nuk dijnë ta spjegojnë arsyen. U mungon njohuria për të argumentuar dhe kjo gjë i shtynë të bëhen vulgarë. Nuk kuptohet dot pse disa kanë aq shumë urrejtje për diçka. Është brengosëse kur sheh se këta tipa kanë arsimim universitar, por nuk janë në gjendje ta formulojnë asnjë mendim siç duhet. Duket që shkollat tona kanë krijuar mjaft njerëz injorantë. Kjo tregon për krizën tonë që kemi në arsim.

Sipas përvojës time, të paktë janë ata me të cilët unë debatoj edhepse nuk pajtohemi. Nuk është fundi i botës kur nuk pajtohemi, por duhet të sillemi si njerëz edhe në raste të tilla. Kjo ndodhë rrallë.

Të ngjashme