Mehmeti: Antifetarët e sotëm shqiptarë veprojnë me metoda të Stalinit

Prishtinë | 18 Kor 2016 | 15:52 | Nga

Publicisti nga Shkupi Kim Mehmeti ka tërhequr paraleleve mes antifetarëve të sotëm shqiptarë dhe atyre gjatë periudhës së monizmit. Mehmeti shprehet i bindur se nuk ka dallime mes tyre.
“Disa qendra me ndikim të madh opinion-bërës në “Shqipëri-të” tona, e veçanërisht në Kosovë, mbetën në duart e antifetarëve, të cilët vazhdojnë që – njësoj si në socializëm, kur çdo gjë e kontrollonin qarqet antishqiptare ideologjike sllave – patriotizmin shqiptar ta ndërtojnë mbi parimet antifetare, e kryesisht mbi ato anti-islame!

Këto qendra, kontrollohen edhe nga grupe të margjinalizuara, që zhveshjen, e madje edhe shthurjen seksuale, i propagojnë si ‘vlera’ civilizuese perëndimore , me çka e dëmtuan më të vlefshmen që kishte bota shqiptare – moralin familjarë si dhe, i shërbyen si ushqim radikalizmit fetarë! Dhe kështu u krijua përshtypja e rrejshme se botën shqiptare e dominojnë antifetarët dhe se “Shqipëri të” tona, janë qendra më të forta ku luftohet ‘islami politik’, pra si shoqëri ku të gjithëve u pengon feja dhe trupi i mbuluar, por jo edhe prapanica e zbuluar!”, vlerëson Mehmeti.

Sipas tij, njësoj si deri dje në komunizëm, kur ‘intelektualizmi’ dhe devotshmëria ideologjike e patriotike, dëshmoheshin nëpërmjet antifetarizmit dhe sharjes e përbuzjes së fesë islame, që na e kishin sjellë ‘otomanët barbarë’, edhe sot, disa ‘properëndimorë e demokratë’ tanë, duan të na bindin se civilizimi njerëzor dëshmohet nëpërmjet antifetarizmit, shkruan Gazeta Lajm.

“Njësoj pra si deri dje kur ‘çubrilloviqët’ sllavë jepnin udhëzime ku duhet goditur shqiptarët mysliman, që ata t’i çosh të vetë izolohen dhe të ikin në Turqi, edhe sot, disa ‘properëndimorë e demokratë’ tanë, duan të na bindin se civilizimi njerëzorë dëshmohet nëpërmjet antifetarizmit, nëpërmjet refuzimit të çdo gjëje që vjen nga Lindja, nëpërmjet amoralit dhe cullakosjes!

Pra njësoj si deri dje, kur botën shqiptare e kontrollonin ata që ishin më komunistë se Stalini, ata që doni të na bindnin se patriotizmi shqiptar është proporcional me besnikërinë ideologjike dhe me antifetarizmin, edhe sot, më të zhurmshëm janë ata që duan të dëshmojnë se më e turpshme është t’i besosh Zotit, se sa t’i përkulesh vetëm më të pasurit e më të fortit! Andaj edhe mund të thuhet se nga gjitha të këqijat që i ndodhin shqiptarisë – e që do mund të korrigjohen me reforma në drejtësi dhe me ndryshime kushtetuese – është një e keqe që mund të na kushtojë shumë shtrenjtë, ngaqë ka të bëjë me mendësinë tonë!

E ajo është fara e bimës së keqe që disa qarqe antiislamiste e mbjellin në arën më të çmueshme e më të begatë që kemi – në atë të rinisë sonë – duke e bindur atë se më primitivë dhe më pakë patriot është shqiptari që e respekton identitetin e vet etnik e fetar, se sa ai që edhe patriotizmin e ndjen si çështje interesi e mode dhe se, më e turpshme është t’i arnosh brekët e grisura të varfërisë sate, se sa të pasurohesh duke e tundur prapanicën dhe gjoksin cullak!”, shkruan Mehmeti në llogarinë e tij në Facebook.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme