Mësime prej pësimeve, Kosova në marrëdhënie me ShBA-në dhe Evropën

Prishtinë | 28 Mar 2020 | 13:05 | Nga Muhamet Hamiti

Një shkrim, pak i gjatë ndoshta, në të cilin bëj një soj anatomie të marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-të në këto tridhjetë vjet për të nxjerrë mësime prej pësimeve të kohëve të fundit. Kosova duhet të punojë ngushtë me SHBA-të, me aleatin tonë shpëtimtar, me të dyja kampet ideologjike atje, me republikanët e demokratët, pa marrë parasysh kush është në Shtëpinë e Bardhë. Poashtu edhe me vendet e BE-së, si me ato që na kanë njohur, ashtu edhe me ato që ua kërkojmë njohjen.

E nis me këtë kujtesë historike: të dyja dhomat e Kongresit amerikan kanë pasur shumicë republikane në vitin 1999 kur President i SHBA-ve ishte demokrati Bill Clinton. Më 23 mars 1999 Senati amerikan me rezolutë të shkurtër, tamam rezolutë (S. CON. RES. 21), inicuar nga Joe Biden (demokrat) dhe nëntë senatorë të tjerë, autorizoi Presidentin e SHBA-ve që, në bashkëpunim me NATO-n, të kryente operacione ushtarake ajrore dhe sulme me raketa ndaj Republikës Federative të Jugosllavisë (Serbisë e Malit të Zi). Rezultati i votimit: 58 për, 41 kundër, një senator nuk votoi.

Presidenti Clinton autorizoi këtë operacion ushtarak të nesërmen, më 24 mars 1999. Sulmet e SHBA-ve dhe të NATO-s filluan në mbrëmjen e asaj dite, aty nga ora 20:00. Mbas 78-ditësh, NATO-ja, me kontributin vendimtar të ushtrisë amerikane, gjunjëzoi Serbinë e Millosheviqit. Kosova fitoi lirinë.
Pse është e rëndësishme të kujtohet kjo sot?

Kosova ka pasur gjatë viteve të nëntëdhjeta së shekullit XX, gjatë kohës së dy presidentëve, republikanit Bush dhe demokratit Clinton, përkrahje të ndjeshme të të dyja partive politike, ndonëse, natyrisht, prej të dyjave ka pasur edhe indiferentë e mospërkrahës, për të mos thënë kundërshtarë, sidomos karshi kërkesës së Kosovës për pavarësi dhe kundrejt ndërhyrjes ushtarake amerikane kundër Serbisë për të shpëtuar populllin e Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Kryetari i Republikës së Kosovës atëherë, Ibrahim Rugova, jo vetëm që me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) krijoi marrëdhënie me SHBA-të, por ndoqi një politikë të urtë të kërkimit dhe të kultivimit të marrëdhënieve me të dyja kampet politike në SHBA, pa marrë parasysh se kush e kishte pushtetin, kush ishte në Shtëpinë e Bardhë, kush mbante shumicën apo pakicën në njërën apo në të dyja dhomat e Kongresit amerikan. Roli i diasporës shqiptare në vitete e nëntëdhjeta ka qenë i madh, i organizuar prej LDK-së dhe të tjerëve atje. Sot ky organizim është rrëgjuar, edhe për fajin e Prishtinës.

Nuk është se Ibrahim Rugova ka qenë krejt i paanshëm karshi të dyja blloqeve idelogjike në SHBA. Ka qenë më afër republikanëve, por i hapur për punë me të dyjat. Le të kujtojmë se në garën për President të SHBA-ve në vitin 1996, kur Bill Clintoni kërkonte mandatin e dytë, Rugova dhe një pjesë e madhe e shqiptarëve parapëlqenin republikanin Bob Dole, si përkrahës i Rugovës dhe i politikave të tij, i cili humbi garën me Clintonin.
Ishte ky Bill Clintoni që në dy vjetët e fundit të mandatit të tij të dytë presidencial i priu botës për të ndihmuar Kosovën të fitonte lirinë dhe paqen. E bënte këtë sepse ai vetë ishte politikan i bindjeve por edhe se politika e Kosovës kishte punuar me demokratët e tij dhe rivalët e tij republikanë për të siguruar përkrahje për kauzën e lirisë e të pavarësisë së Kosovës. Kjo gjë u pa edhe me votën në Senatin amerikan më 23 mars 1999, që u përmend në fillim të këtij shkrimi.

Presidenti Ibrahim Rugova, njeriu i urtë, udhëheqësi vizionar, nuk ka bërë as që do të bënte kurrë gafa të sojit që ka bërë Hashim Thaçi, po sikur Edi Rama, të fliste çka s’flitej për kandidatin republikan për President të SHBA-ve, Donald Trump, në vitin 2016. Tani, natyrisht, Thaçi ka fjalët më të mira për Trumpin. E lavdëron si njeriun që i ka dhënë shtytje përpjekjes për zgjidhje përfundimtare të kontestit Kosovë – Serbi me njohje të ndërsjellë të të dyja vendeve.

Pas Bill Clintonit, SHBA-të zgjodhën President George Bushin e Ri, të birin e Bushit Plak. Ky Bushi i Ri, republikani, po aq i dashur ndër shqiptarë sa Clintoni demokrat, praktikisht ka pasë shpallur se Kosova do të ishte e pavarur (natyrisht, akti juridik patjetër do të ishte i Kuvendit të Kosovës, në vit më vonë) më 10 qershor 2007 gjatë vizitës së tij në Tiranë.
Pas Bushit, amerikanët zgjodhën Barack Obaman në dy mandate. Angazhimi i Administratës së tij për Kosovën ka qenë i vlerësueshëm, por Kosova ra më poshtë në agjendën amerikane në kohën e tij për arsye që s’mund të shkoqiten në këtë rast.

Një gjë do përmendur, megjithatë. Kosovarët dhe lobistët pro-Kosovës e morën punë të kryer çështjen e Kosovës, të mirëqenë përkrahjen amerikane. Gabim, siç po shihet tash.
Në 21-vjetorin e ndërhyrjes ndërkombëtare të NATO-s, me rolin prijës të SHBA-ve, për ta shpëtuar popullin e Kosovës, vendi ynë është në paralizë institucionale, në luftë për pushtet të Presidentit Thaçi e të Kryeministrit Kurti, me Qeveri në dorëheqje në këtë kohë pandemie të koronavirusit. (Rënien e Qeverisë e provokoi Kurti me VV-në e tij, duke e shtyrë partnerin në koalicion, LDK-në, të ndërmerrte mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë. Mosbesimi doli të jetë i madh, siç u pa prej votës me mbi dy të tretat për mocionin).

Por, si për të mos qenë kjo paralizë barrë mbi njerëzit e Kosovës, pa marrë parasysh orientimet e tyre politike, Kosova është e ndarë politikisht, ndërmjet atyre që janë për SHBA-të (me Administratën e Trumpit) dhe me ata që nuk janë me të, qoftë kur e shprehin qoftë kur nuk e shprehin këtë publikisht. Me ata që janë për Evropën politike, apo jo, sërish nga këndi i qëndrimit të BE-së karshi Kosovës, që gjithësesi ka kohë që është i flashkët.
Kosova duhet të jetë edhe me Evropën edhe me Amerikën. Të punojë me të dyja palët. Të punojë me vendet që e kanë njohur Kosovën, por edhe me ato që s’e kanë njohur. Fundja, si do të sigurojmë njohjen e tyre nëse s’punojmë me to?

Kosova duhet të punojë ngusht me Qeverinë republikane amerikane. Po aq ngusht me demokratët. Kjo është shumë e rëndësishme tash. Do të jetë po kaq e rëndësishme edhe pas zgjedhjeve presidenciale në nëntor, pa marrë parasysh kush e fiton Shtëpinë e Bardhë.

Siç po duket, në nëntor për Shtëpinë e Bardhë do të garojnë Presidenti aktual Trump dhe demokrati Joe Biden. Sfiduesi i Trumpit është po ky Bideni, përkrahës i hershëm i shqiptarëve dhe i Kosovës, sponsorizuesi i Rezolutës së Senatit të 23 marsit të vitit 1999. Ndërsa Trumpi është Presidenti që ka caktuar një emisar special për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenellin, mbasi që BE-ja lehtësoi për një kohë të gjatë një proces dialogu që ka mbërritur në qorrsokak, për shkak, ndër të tjera, pse BE-ja nuk e ka trajtuar Kosovën barabarësisht me Serbinë. Po ashtu, faji edhe i udhëheqjes së keqe të dialogut nga Kosova prej Thaçit në pjesën më të madhe, si Kryeministër e President. I përfshirë në dialog një kohë ka qenë edhe ish-Kryeministri Isa Mustafa.

Në dy ditët e fundit, Administrata e Trumpit, nëpërmjet tre personave të saj kyçë të politikës me Kosovën, Grenellit, Matthew Palmerit dhe Philip Kossnettit, riafirmoi qëndrimin se njohja reciproke e Kosovës dhe e Serbisë është synimi i marrëveshjes. Po ashtu, se s’ka plan sekret të pandehur që përfshin shkëmbime territoriale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. (Ky plan i përfolur, i atribuuar Thaçit e Vuçiqit, ka shkaktuar me të drejtë drojë të madhe te qytetarët e Kosovës dhe ngërç në skenën politike tash e dy vjet.) Grenelli në një intervistë për T7 tha mbrëmë se s’kishte plan që e kishte parë ai – dhe ai është emisari/ndërmjetësi – për shkëmbime territoriale, dhe se ai vetë është kundër kësaj ideje.

Treshja amerikane për Kosovën ka përsëritur qëndrimin e Administratës për nevojën që tarifat që ka vënë Qeveria jonë ndaj mallërave serbe duhet të hiqet plotësisht. Këtë qëndrim e mbajti në një kumtesë mbrëmë edhe përfaqësuesi i lartë i demokratëve, miku i moçëm i shqiptarëve, Eliot Engel, kryetar i Komitetit për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan.

Eliot Engel kritikoi, ndërkaq, politikën e pabalancuar amerikane karshi Kosovës e Serbisë, presionin ndaj Kosovës për tarifat dhe tolerancën e Uashingtonit ndaj Serbisë që po bën fushatë për çnjohje të Kosovës dhe po armatoset nga Rusia. Serbia duhet sanksionuar për këto, thotë Engeli, me të drejtë. Engeli kritikoi sanksionet ekonomike amerikane ndaj Kosovës (pezullimin e programit të MCC-së), por nuk tha gjë për qëndrimin rreth kufijve. Me siguri s’ka dashur të thotë diçka që do të dilte si pajtim/përkrahje me qëndrimin e Administratës republikane në këtë kohë fushate presidenciale.

Engeli në këtë pikë s’ka pse ta dëshmonte qëndrimin e vet të drejtë, përherë të drejtë, karshi interesave të Kosovës, sidomos në punë të integritetit territorial e të sovranitetit të vendit tonë.
Qëndrimet e treshes së Administratës Trump dhe Engelit, ndonëse të kundërta ndërmjet vet, janë me dobi për Kosovën për ato që po afirmon Administrata dhe për ato që po kërkon opozita demokratike.
Kosova duhet të punojë me të dyja kampet partiake/ideologjike, për aq sa mundet, për të siguruar gërshetimin e politikave të të dyja kampeve karshi Kosovës në këtë kohë me rëndësi vendimtare për Kosovën, për sovranitetin e mbrendshëm e të jashtëm të Republikës sonë, në gjakim të integrimit të plotë të vendit tonë në sistemin ndërkombëtar.

Kosova ka pësuar rënie faqe botës këto vitet e fundit për fajin e establishmentit politik të padijshëm e të papërgjegjshëm.
Duhet me marrë mësime prej pësimeve. Me dalë prej paralizës shoqërore, politike e morale në të cilën është mbërthyer Kosova.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme