Mësimi në kushte pandemie: Sa jemi gati?

Prishtinë | 02 Tet 2020 | 15:45 | Nga Gresa Statovci

Pandemia e shkaktuar nga COVID-19 në mbarë botën ka ndikuar në të gjitha sferat jetësore duke e ndaluar krejtësisht ose pjesërisht funksionimin e tyre. Ekonomia, shëndetësia dhe akademia janë ndër sferat më të prekura nga masat parandaluese të ndërmarra për luftimin e gjendjes pandemike nga COVID-19. Kosova, si pjesë të masave të ndërmarra kundër COVID-19, ka mbyllur institucione dhe veprimtari që mund të bëhen valë e përhapjes së COVID-19; shkollat hyjnë në këtë kategori. Që në muajin mars 2020, janë mbyllur të gjitha shkollat dhe mësimi ka vazhduar në distancë për vitin shkollor 2019/20.

Pas një ri-vlerësimi të situatës, pas një vonese dy javore, mësimi në institucionet arsimore në Kosovë për vitin shkollor 2020/21 filloi me 14 shtator duke ndjekur skenarë dhe masa të ndryshme për të ju përgjigjur situatës pandemike. Aktorët kyç në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë, përkundër diferencave në pikëpamje, kanë bashkëpunuar për të krijuar kushtet dhe parametrat e përshtatshëm për fillimin e vitit shkollor. Si rrjedhojë, shkollat në Kosovë janë hapur dhe po funksionojnë duke ndjekur skenarë bazuar në infrastrukturën e tyre. Edhe pse është krijuar udhëzuesi për fillimin e procesit mësimor dhe janë bërë përgatitjet adekuate, shkollat në Kosovë do të mund të kenë ngecje në mësim online – mungesë e infrastrukturës dhe trajnimeve adekuate – dhe ngecje në raportim dhe monitorim të situatës reale në shkolla.

Dokumenti bazë i përpiluar për këtë situatë është: “Udhëzues i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) për organizimin i mësimit për vitin shkollor 2020/2021 në kushte të pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës”.

Ky udhëzues identifikon: (1) kornizën e planifikimit (politikat, veprimtaria e sigurtë, përgjegjësitë e pjesëmarrësve, grupet e margjinalizuara, dhe financimi); (2) masat e përgjithshme për mbrojtjen nga COVID 19; (3) organizimi i edukimit/mësimit sipas skenarëve për të gjitha nivelet dhe udhëzimet metodologjike; (4) zbatimi i kurrikulës dhe udhëzimet metodologjike; (5) digjitalizimi i edukimit/mësimit; (6) trajnimi i edukatoreve/ mësimdhënësve për mësimin në institucionet edukative arsimore dhe online; dhe (7) monitorimi nga inspektorati i arsimit i MASH.

Sa i përket masave anti-covid, të gjitha shkollat janë të detyruara të respektojnë të gjitha masat nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) dhe nuk ka hapësirë për improvizime të respektimit të masave. Të gjitha shkollat duhet të kenë dhe të përdorin masat mbrojtëse kundër COVID-19, të masin temperaturën e secilit nxënës para se të hyjnë në shkollë, dhe të raportojnë për të gjitha rastet që dyshojnë që janë pozitive me COVID-19.

Tri nivele të task-forcave – MASH, DKA, Shkolla – janë krijuar për të monitoruar zbatimin e masave dhe per raportuar gjendjen në shkolla siç janë kushtet higjienike dhe rastet eventuale. Task-forca mban përgjegjësi të plotë rreth raportimit të gjendjes aktuale në shkolla; aktorët duke përfshirë MASH, IKSHPK, dhe SBASHK janë të qarta që nuk do të ketë lëshim për asnjë ikje nga përgjegjësitë e qartësuara në Udhëzues.

Udhëzuesi gjithashtu përmban informata se si të bëhet zbatimi i kurrikulës dhe udhëzimet metodologjike për secilin skenar. Si rrjedhojë, strategjia kryesore për mbarëvajtjen e procesit mësimor është decentralizimi në nivel të shkollës; pra, shkolla ka autonominë për të vendosur për mënyrën e zbatimit të skenarëve (mësim në shkollë, mësim online apo mësim i kombinuar), metodologjinë arsimore dhe orarin mësimor.

Gjithashtu, rreth 300 mësimdhënës janë liruar nga detyra për shkak të gjendjes shëndetësore dhe MASH ka ofruar buxhet për 500 mësimdhënës shtesë për raste nevoje. Ndërkaq, parashihet që të mbahen trajnime për mësimdhënës për të ju përshtatur mësimit online dhe ndryshimeve të tjera në procesin mësimor.

Me gjithë strategjinë e krijuar dhe masat e ndërrmara është evidente të eksplorohet pyetja se sa jemi të gatshëm si shtet për mbarëvajtjen e procesit mësimor në kushte pandemie?

Mësimi Online: Jo opsioni më i mirë

Padyshim që fillimi i procesit mësimor me prezencë në shkollë është skenari që të gjithë aktorët e preferojnë për shkak të arritjes së një cilësie më të lartë arsimore. Rrjedhimisht, temë dhe sfidë kryesore mbetet mësimi online dhe përgatitja e mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve për të zbatuar mësimin në distancë.

Përkundër mundësisë së mirë të ofruar nga mësimi online, si pikë e parë, mësimi online nuk ofron cilësinë e duhur dhe nuk ka kuadro të mjaftueshme të përgatitura për këtë skenar. Janë paraparë trajnime të ndryshme për mësim online, mirëpo ky proces do kohë dhe shumë përgatitje për të arritur nivelin e duhur të përgatitjes. Rrjedhimisht, si pikë e dytë, duhet të ketë edhe rishikim të metodologjisë së mësimdhënies për zbatimin e Kornizës së Kurrikulës e cila vështirëson edhe më tej arritjen e një cilësie të kënaqshme në arsim përmes metodës online. Korniza e Kurrikulës kërkon për një metodologji më interaktive mes nxënësve dhe mësimdhënësve, mirëpo mësimi online, në mungesë të përgatitjeve adekuate, ndikon në zbatimin e kënaqshëm të kësaj Kornize. Si pikë e tretë, problematikë shtesë nga mësimi online mbetet gjithëpërfshirja e grupeve të margjinalizuara për shkak të mungesës së burimeve të mjaftueshme për ndjekjen e klasëve.

Monitorimi dhe Raportimi: Hapësirë për ikje nga përgjegjësia

Sfidë tjetër mbetet mbajtja e përgjegjësisë tek të gjithë aktorët e përfshirë në mbarëvajtjen e procesit mësimor gjatë kohës së pandemisë. Edhe pse të gjitha grupet i kanë detyrat dhe përgjegjësitë e ndara, ekziston mundësia e ikjes së përgjegjësisë dhe rrjedhimisht përkeqësimit të situatës në shkolla. Kjo, për shembull, do të thotë që personeli arsimor pas një kohe nuk bënë më matjen e temperaturës të secilit nxënës, nuk mban maskat në klasë dhe nuk kërkon mbajtjen e maskave nga nxënësit, nuk raporton gjendjen reale në shkollë rreth gjendjes pandemike.

Sipas udhëzuesit, ka një sistem të qartë të monitorimit nga inspektorët dhe raportimit nga task forca, mirëpo nuk është e qartë nëse ka burime të mjaftueshme për të bërë një monitorim dhe raportim të suksesshëm. Raportimi duhet të bëhet në suaza ditore nga task-forca – duke përfshirë numrin e të infektuarëve me COVID-19 (nëse ka) dhe respektimin e masave kundër parandalimit të përhapjes së COVID-19 – dhe është në pikëpyetje gatishmëria e palëve të përfshira në mbledhjen dhe raportimin e të gjitha të dhënave. Pasi që pas analizimit të këtyre të dhënave vendoset nëse shkolla mund të vazhdojë procesin mësimor në prezencë dhe nuk përbën rrezik, mungesa e raportimit adekuat mund të ndikojë në shndërrimin e shkollave si përhapëse të COVID-19.

Andaj, si mekanizëm ndihmës në raportim do të ishte standardizimi i mënyrës së raportimit dhe mbledhja/vizualizimi i të dhënave për të gjitha komunat. Vizualizimi i të dhënave do të ofronte një pasqyrë të gjendjes reale si bazë për strategji të mëtutjeshme të politikave në arsim.

Si përfundim, për mbarëvajtjen e suksesshme të procesit mësimor duhet të ketë vazhdueshmëri të mobilizimit të personelit të institucioneve shkollore dhe qeveritare, duke mos i lënë anash përgjegjësitë individuale dhe profesionale. Gjithashtu, duhet të përshpejtohet procesi i trajnimit të mësimdhënësve për modifikimin e planeve mësimore dhe mbajtjen e mësimit online.

Dhe, ndër më kryesorja, raportimi dhe monitorimi i të gjitha shkollave në suaza ditore është e qenësishme në luftimin e shpërndarjes së COVID 19 në shkolla. Si rrjedhojë, duke marrë parasysh që trajnimi dhe modifikimi i planeve mësimore merr kohë dhe orët mësimore tani më janë të shkurtuara, cilësia e arsimit nuk pritet të jetë në nivelin e duhur gjatë kësaj kohe pandemie. Mirëpo, cilësia e arsimit është më e lartë në prezencë sesa që do të ishte online, andaj të gjithë aktorët e përfshirë – task-forca, MASH, IKSHPK – për të siguruar një nivel më të lartë të cilësisë duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet që mësimi të vazhdojë në shkolla.

Sallonet e së martës janë një nismë javore e Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D). Diskutimi mbledh rreth vetes ekspertë e analistë, politikanë e publicistë për të reflektuar dhe kërkuar konsensus mbi temat e përzgjedhura. Për shkak të situatës së ballafaqimit me pandeminë, vetëm panelistët dhe moderatori/ja janë pjesëmarrës fizikisht në Dit’ e Nat’, ndërkaq Salloni është transmetuar direkt në rrjete sociale nga ku edhe janë kyçur të interesuarit/at.

(Ky sallon është mbështetur nga Friedrich-Ebert-Stiftung)

Të ngjashme