Mini-Shengeni, shqiptarët dhe Europa

Prishtinë | 22 Dhj 2019 | 00:04 | Nga Ndue Ukaj

Në një rajon të trazuar politik- siç është Ballkani- ku kurthet politike janë shkollë e njohur dhe krejt normale, edhe idetë më të fisme politike shpeshherë tingëllojnë si të dyshimta. Lë më ato që ngjallin frikë dhe që lehtësisht duken e lexohen si angazhime aventuriere, të disa liderëve të pjerdhur, siç do të thoshte poeti Frederik Rreshpja, që të trullosur nga pamundësia ose mosdëshira për t’i bërë vendet e tyre europiane, duan të krijojnë një mini Europë, përtej kufijve të tashëm politik të Bashkimit Europian.

Ballkani, vazhdon të jetë rajoni më i trazuar i Kontinentit Europian dhe kjo për shkak se ky rajon qeveriset me koncepte primitive dhe nga një tufë politikanësh të mjerë, që pushtetin nuk e shohin si mundësi për të qeverisur, por për të sunduar.

Ndonëse në dekadat e fundit në rajon ka patur paqe- dhe kjo ka ndodhë për shkak të ndërhyrjes ndërkombëtare dhe jo pse palët kanë dashur- paqja nuk ka qenë e mjaftueshme që të fashiteshin ambiciet e njërit popull kundruall tjetrit, përkatësisht e serbëve kundruall shqiptarëve të Kosovës. As përpjekjet e gjata dhe investimet e shumta të Bashkimit Europian dhe SHBA-ve, nuk kanë mundur ta zbusin nacionalizmin e tërbuar dhe nuk kanë mundur ta emancipojnë rajonin që të ecë drejt e vetëdijshëm kah progresi.

Dhe sot, raportet shqiptaro-serbe, përkundër një dashurie idilike mes kryeministrit të Shqipërisë dhe atij të Serbisë, vazhdojnë të jenë të acaruara.
Prandaj, në këtë atmosferë të turbullt politike, çdo përpjekje për të sajuar diçka që nuk është në frymën e Bashkimit Europian dhe që nuk përkon me synimet për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, ka shenjat e një projekti utopik, kostoja politike e të cilit do të jetë shumë e shtrenjtë dhe me pasoja. Dhe këtë më së shtrenjti mund ta paguajnë shqiptarët.

Projekti i Mini-Shengenit, në këto rrethana politike dhe gjeostrategjike, ka tiparet e një përpjekje për të ngjizur një mini Europë, por përtej kufijve realë të Europës së sotme politike. Në këtë drejtim, pavarësisht lehtësirave që mund të krijojë ideja për njerëzit, e gjykoj si përpjekje të rrezikshme për të ardhmen e rajonit. E kjo vlen veçmas për shqiptarët. Sepse, siç tregon historia, për ta, sa herë që nuk ka patur Europë, në kuptimin e plotë të fjalës, për ta janë hapur portat e ferrit.

Për këtë arsye dhe një varg arsyesh tjera, politike, ekonomike e kulturore, shqiptarët duhet t’i hapin sytë dhe nuk duhet të mashtrohen me projekte utopike, ashtu siç janë mashtruar shpeshherë në histori.

Gjatë viteve të fundit, shumica e vendeve të Ballkanit, janë udhëhequr prej koncepteve primitive, ndaj liderë të caktuar, në momente kritike, kanë flirtuar me idetë jo europiane dhe në raste të caktuara, i kanë drejtuar edhe shigjetat e helmatisura kundër BE-së, në ç ‘mënyrë kanë dashur t’i armiqësojnë popujt e tyre me Europën.
Duke mos mundur t’i fshehin dështimet e shumta, për të cilat flasin qytetarët e vendeve të tyre dhe realiteti, ata gjithmonë janë justifikuar dhe BE-në e kanë përdorë si kontejnerë për t’i fshehur dështimet e tyre.

Bashkimi Europian mund të ketë krizë dhe ai vërtet ka, por kjo nuk guxon të shërbejë si arsye për të ngjizur projekte tjera, sepse ato janë projekte për të bjerrë lirinë e njëmend, demokracinë dhe të drejtat për të gjithë..Kurse shqiptarët, më shumë se të gjithë, kanë arsye shtesë t’iu thonë jo projekteve të tilla dhe të punojnë që Europa të bëhet atdhe i vlerave të përbashkëta.

Sepse, Mini-Shengeni mund ta venit ëndrrën e rajonit për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian dhe kjo mund të hapë kapitull të ri për rajonin.

E kur jemi te shqetësimi ynë për krizën e BE-së, nuk mund të lë pa e sjellë në vëmendje të lexuesve një shkrimtar dhe një europian të madh, si Umberto Eco, i cili pati shkruar se në historinë e mendimit europian, karakteristikë e përhershme është ideja e krizës. Por Europa, që nga kohët e lashta, ka dëshmuar se ka aftësi dhe kapacitete për kritika të brendshëm: për dialog të arsyeshëm, për hapje dhe evolucion drejt progresit e përsosmërisë.

Vërtet, ky është fati i kontinentit të kulturës, artit, letërsisë, muzikës dhe vlerave të demokracisë, prej të cilit ne nuk duhet të heqim dorë.
Edhe nëse Europa po ballafaqohet me një krizë serioze, ne duhet të shohim matanë krizës, te kapacitetet dhe vlerat e trashëguara ndër shekuj – dhe tek aftësitë rigjeneruese – e të cilat, pa dyshim, janë më të forta se të metat që ka prodhuar viteve të fundit.

Në një linjë me Econ është edhe historiani i famshëm Fernand Bruadel, i cili shkruan se: “jeta shpirtërore dhe intelektuale e Europës rrjedh nën ndikimin e dhunshëm të ndryshimeve. Ajo i dëshiron, i krijon ndarjet, ndërprerjet, stuhitë, në një kërkim të pafund të një bote më të mirë.”

Prandaj, ajo që duhet të na interesojë ne, është raporti ynë i tanishëm dhe ai i nesërmi me Europën. Raporti organik. Me Europën politike, por para se gjithash me atë shpirtërore dhe kulturore. Me Europën si bashkësi kulturore, të tillë çfarë e shihnin dhe e vlerësonin themeluesit e saj, ku mbizotëron paqja, liria dhe mirëqenia për të gjithë.

Deri me sot- duhet ta themi- ne nuk jemi bërë pjesë e Europës, jo për fajin e saj dhe të asnjë vendi specifik, por për shkak të batakçinjve tanë, që kanë qeverisur me koncepte të shkreta dhe jo europiane.

Të ngjashme