Minifundi i marrëdhënieve ndëretnike

Prishtinë | 13 Dhj 2016 | 10:21 | Nga

Thënia e famshme se “Një fjalim i mirë duhet të jetë si fundi i një femre: I gjatë mjaftueshëm sa për të mbuluar temën dhe i shkurtër aq sa duhet për të mbajtur gjallë interesin”, mund të vlejë jo vetë për fjalime, por edhe për krizat, për shembull. Një krizë e mirë, te ne, sipas këtij modeli do të ishte e gjatë mjaftueshëm sa për të krijuar tension, dhe konfuzion, ndërkohë që duhet mbajtur gjallë edhe interesi, përkatësisht vëmendja e bashkësisë ndërkombëtare.

Qysh edhe e dini, ka dilema, dhe debate gati akademike, ku falë zotit, ende nuk janë përfshirë a(m)kademitë tona të shkencave dhe arteve. Me përfshirjen e tyre krejt dilemat kanë mundur të mbyllen shpejt duke ja humbur kështu krejt sharmin lojës. Kjo sidomos do të rrezikonte biznesin (para)politik të mediave të (pu)shtetit, dhe përfundimisht do të devalvonte edhe modelin. Pra, pa a(m)kademi rreth temave serioze, ju lutem.

Pra, cila është masa e duhur një (mini)fundi femrash! Kështu pyeten, herë më vete, e herë publikisht dizajnerët, estetët por edhe moralistët e shumë e shumë profesionist të bukurisë dhe moralit. Kur jemi te masa e një (mini)fundi, disa kanë thënë se masa e duhur është vetëm nën gju, duke mbuluar kështu edhe gjunjët, që sipas tyre mund të ngjallin epshe. Disa thonë se ai duhet të jetë deri një pëllëmbë mbi gju, e disa të tjerë thonë se mjafton të mos duken të brendshmet. Pra, të brendshmet mbesin kufiri moral.

E çka nëse (politika) nuk kanë veshur fare të brendshme, do të pyes ndonjë fëmijë i futur rastësisht në politikë, sipas anologjisë me mbretin cullak? Eh, edhe këtu mendimet janë të ndara, madje ekstreme të ndara. Disa preferojnë edhe nudo, e disa mendojnë se femrat duhet mbuluar krejtësisht.

Por, të kthehemi te kriza! Sa duhet të jetë i gjatë, “Muri i Mitrovicës”? Dilema politike është, sipas palës serbe, se sa duhet të jetë i gjatë muri? Kur jugorët ankohen, ata thonë se ky, gjithsesi duhet të jetë një mur aq i gjatë, që andej të mos shihet asgjë, si mendojnë disa prej tyre, të cilët me gjasë kanë shumë për të fshehur dhe kurrsesi nuk duan që komshinjtë e tyre, të shohin çfarë po ndodhë andej lumit.

Disa e duan murin , të shkurtër fare, minimal, vetëm aq sa për të kryer funksionin e vet primarë, e ky do të ishte të mos ketë qarkullim të lirë përtej urës. Si zakonisht, këtu , kur ka mendime të ndara, vjen në shprehje urtia e modelit që e cituam më lartë, pra as tepër gjatë për të humbur interesi, por edhe mjaftë gjatë për të mbuluar qëllimin…!

Kështu , përfundimet sipas modelit janë të kollajshme. Nëse ngrihet një mur shumë i lartë, do të bjerë kureshtja, dhe fqinjët jugorë as që do të merren më me komshinjtë e tyre nga veriu dhe kjo nuk përballohet dot, sepse as komshinjtë nga veriu nuk mbijetojnë pa jugun, pa vëmendjen e tyre.

E keqja e këtij vendimi do të ishte se përpos që bie interesimi në jug, krejt veriu do të shndërrohej në një geto duke pasur parasysh edhe kufirin në veri të Kosovës i cili është funksional dhe garantohet nga KFOR-i, kështu krejt kjo prej një krize të brendshme mund të eskalojë në një krizë ndërkombëtare kufijsh, ku do të përfshiheshin edhe ujqërit e krizave ndërkombëtare, sidomos ata lindorë.

Prapë, mbetet keq, nëse mbetet shumë i shkurtë, sepse përmes një muri të tillë mund të shihet gjithçka. Duke qenë se muri u deklarua si njëlloj rrethoje për një amfiteatër të hapur, ka rrezik që qytetarët nga jugu të shohin shfaqjet politike të fqinjëve veriorë pa e prerë fare biletën.

Por, të lëmë seriozitetin akademik dhe të marrim temën ashtu si është, realisht. Muri padyshim se nuk ka asnjë funksion tjetër përpos politik dhe, si i shkurtër do të ketë efekte më të mëdha politike për ndërtuesin. Por të kthehemi edhe njëherë te madhësia. Arkitektët mendojnë se muri duhet të jetë aq i lartë sa të vrajë sytë , të vërehet se është aty dhe aq i shkurtër sa të lejoj të shihet se andej po zihet diçka. Arkitektët, pra, do i kenë menduar mirë efektet e veprës së tyre. E kam fjalën për arkitektët e krizave, sepse një mur të tillë e ndërton edhe pa arkitekt profesionist dhe nuk ka qenë fare nevoja për me kërkua mjeshtër deri në Malishevë. Atë e bënte secili mjeshtër i lagjes, në jug të Mitrovicës.

Por ne e kemi thënë njëherë. E ka thënë politika, e besa edhe Shkurtja e ka thanë shumë herë, se Mitrovica nuk ndahet. Madje janë përmendur edhe djem dhe çika, çka e bënë krejt situatën shumë serioze. Janë dhënë premtime paraelektorale, në të gjitha zgjedhjet e deritashme të pasluftës. Shyqyr o zot, Mitrovica nuk është ndarë! Ky është një mur i vogël fare. Madje as mur mund të mos jetë. Mund të jenë thjesht shkallë…

Ky mur, është aq i madh sa për të mbajtur bisedimet në Bruksel, dhe aq i vogël sa, bash me dashtë edhe e fshijmë me gomë nga ditari i marrëdhënieve ndëretnike në këtë vend. Nuk hetohet!

Dikur ishte barrikadë, pastaj u shndërrua në “Park të Paqes”, tash u bë amfiteatër i hapur, mur, shkallë…! Të vetmit që e duan me çdo kusht aty, janë ekipi negociator i Serbisë dhe gjithsesi ai i Kosovës në Bruksel, sepse duhet të bisedohet për diçka ….! Edhe bisedimet , përpos politikë, janë edhe biznes.

Për murin, unë kam vetëm një kërkesë, krejtësisht intelektuale. Duhet të jetë aq i lartë sa për të shkruar me shkronja të dukshme, sloganin tim: Poshtë muret…!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme