Mjeku që mendon ndryshe për Coronavirusin, jeta s’mund të ndalet pa afat

Prishtinë | 05 Pri 2020 | 21:21 | Nga Ilir Tolaj

Dokush i prirur për të nxjerrë përfundime të mëdha nga gjurmuesit e të dhënave të njohura të virusit në internet, duhet t’i kushtojë vëmendje Robert Grant, një statisticieni mjekësor britanik, i cili ka postuar në Twitter javën e kaluar: “Unë i kam studiuar këto gjëra në universitet, kam bërë analizën e të dhënave për dekada, duke shkruar disa udhëzime për NHS (përfshirë një për një sëmundje infektive), dhe ua mësoi atë profesionistëve të shëndetit. Kjo është arsyeja pse nuk më shihni duke bërë ndonjë parashikim të koronavirusit. “

Në këtë frymë, ne duhet të kemi parasysh statistikat gjermane dhe të japim dorëheqjen nga kuptimi se dobia e tyre kryesore. Në këtë pikë duhen ngritur pyetje, në vend që të jepen përgjigje.

Deri tash në Kosovë janë shënuar rreth 140 raste të konfirmuara me Covid 19, prej të cilëve, rreth 40 janë shtruar në klinikë për mjekim, ndërsa një prej tyre ka vdekur. Nëse do të respektoheshin kriteret e hospitalizimit që rekomandohen për Covid 19, gjysma e këtyre që janë në klinikë do të mund të ishin mjekuar edhe në kushte shtëpie. Në ndërkohë vendi është gati plotësisht i paralizuar, duke ndjekur kështu praktikat e shumë prej vendeve të botës për izolim e distancim social maksimal. E gjithë kjo po bëhet që numri i të sëmurëve eventual me Covid 19 që kërkojnë mjekim në spital mos të jetë përnjëherësh aq i madh sa që mos të ketë shtretër të lirë, mjek e infermierë për mjekimin e tyre në klinikat e spitalet tona. Në ndërkohë po provohen medikamente të vjetra e të reja, që të gjitha me efekt ende të pakonfirmuar.

Vaksina, po e pranojnë të gjitha autoritetet shëndetësore, është ende në fillet e zbulimit të saj; do të duhen edhe muaj, një vit apo edhe më shumë derisa të jetë në dispozicionin e të gjithëve. Vendet që e kanë kaluar valën e parë të epidemisë po bëhen gadi për valën ose valët tjera të epidemisë. Imuniteti kolektiv do të duhet të bëhet ose duke u infektuar, ose duke u vaksinuar, rrugëdalje tjetër nuk ka. Ose po, mund të presim që virusi SARS Cov 2, shkaktari i sëmundjes Covid 19, të pësojë ndryshime të tilla gjenetike dhe përnjëherësh të bëhet më pak i rrezikshëm për popullatën e gjërë. Por, a mund të ndodhë kjo, këtë nuk e di askush.

Në ndërkohë, vendi do të ballafaqohet me pasojat e pandemisë që nga rënja drastike e ekonomisë, papunësia e pakënaqësitë sociale, e deri tek problemet psikike kolektive e individuale, si pasojë e frikës së vazhdueshme për të tashmen dhe të ardhmen, izolimit dhe vetmisë së imponuar. Nëse tash po merremi me dhjetra të hospitalizuar me Covid 19, në të ardhmen mund të merremi me mijëra raste të çrregullimeve psikologjike për të cilat nuk jam i thirrur të flas.

Në ballafaqim të kësaj pamje të gjendjes së përgjithshmë në të cilën jemi si shtet e shoqëri, do të duhej të mendojmë se cilat do të jenë veprimet e strukturuara të vendit tonë në të ardhmen e afërt. Asnjë vend nuk është i njejtë, secila popullatë ka të veçantat e veta. Të kopjuarit e plotë të masave të një një apo më shumë vendeve që po ballafaqohen me pandeminë, mund të duket i arësyeshëm por ndoshta nuk është i nevojshëm edhe për ne.

Kur HIV/AIDS u shpall pandemi, mendohej dhe pritej se Kosova do të pësojë rëndë. Para lufte kishim një shtypje apartheidi, pastaj e kishim luftën, e pas lufte me dhjetra mijëra të huaj në Kosovë, nga gjithë vendet e botës. Por ja që nuk ndodhi ashtu, që nga viti 1986 kur u zbulua rasti i parë me AIDS, në repartin e Klinikës infektive ku unë punoja si mjek i ri, e deri tash kemi diçka më shumë se 100 raste me HIV/AIDS. Askush nuk ka mundur ta paramendojë se do të jetë kështu në fillim të pandemisë. Madje jemi shumë më mirë edhe se të gjitha vendet me të cilat kufizohemi.

E përmenda këtë si shëmbull për veçantitë që duhet ti kemi parasyshë për secilin vend.Popullata e jonë është shumë e re, ndërsa numri i të moshuarve është i kufizuar. Është e vërtetë që sistemi jonë shëndetësor është me kapacitete të kufizuara, por bazuar në përvojën me të hospitalizuarit e deritashëm, tek ne në përgjithësi ecuria klinike e rasteve të deritashe nuk është shumë e rëndë, kurse shkalla e vdekshmërisë është e papërfillshme.

Në anën tjetër profesionistët e shëndetit publik deri tash kanë pasë kohë që të krijojnë ekipe dhe përvojën e mjaftueshme për të lokalizuar rastet eventuale dhe penguar përhapjen e infeksionit në mënyrë të vrullshme. Këto fakte, fillimisht janë të mjaftueshme për ta hapur një diskutimin profesional, e më pas edhe institucional, për një plan të strukturuar të daljes nga kjo situatë e paralizës së vendit, pa asnjë projektim për të ardhmen lidhur me kohëzgjatjen e këtyre masave. Duhet ditur se me Covid 19 po ballafaqohemi për herë të parë.

Kështu askush nuk e ka një recetë të sprovuar se si më së miri luftohet kjo pandemi. Masat duhet adaptuar nën dritën e fakteve të zhvillimeve të deritashme. Kosova, veçanërisht tash kur kufinjtë janë të mbyllur, mundet që të ndërmerr masa të brendshme që do ta kthejnë gradualisht normalitetin. Masat e caktuara të distancimit social dhe larjes së duarve, dezinfektimit të sipërfaqeve e hapësirave, mund të vazhdojnë edhe më tej, madje ato duhet të jenë praktikë e përditshme jetësore e secilit prej nesh. Tubimet me numër të madh njerëzish mund të ndalohen edhe për një kohë, ndërsa kafenetë munden, pos masave të përgjithshme të higjienës, për shembull ta përgjysmojnë numrin e tavolinave.

Për më të rrezikuarit nga Covid 19 mund të përgaditen rekomandime të veçanta. Sistemi shëndetësor duhet të jetë fleksibil dhe të reagojë me kohë në çfardo zhvillimi të ri eventual. Në ndërkohë, shkollat duhet të fillojnë punën, institucionet duhet të punojnë, prodhimi, ai që është duhet të rifillojë. Jeta nuk bënë dhe nuk mund të ndalet pa afat.

Të ngjashme