Morali i një lideri

Prishtinë | 17 Kor 2022 | 09:38 | Nga Afrim Kasolli

Në vitin 1984 në Izrael u mbajten zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Paraprakisht vendi ishte zhytur në një krizë të përgjithshme politike, sociale dhe ekonomike. Tensionet me Palestinën, shkalla enorme e inflacionit dhe rivalitetet e brendshme partiake e kishin bërë situatën të pamenaxhueshme.

Këto zgjedhje i fitoi partia e Shimon Peres-it. Por jo mjaftueshem sa për ta formuar qeverinë. Për t’i shmangur zgjedhjet e reja, të cilat vetëm sa do ta prolongonin kaosin, ai bënë koalicion me partinë kundërshtare Likud, të drejtuar nga Yitzhak Shamir. Marrëveshja për bashkëqeverisje ishte e çuditshme. Ajo bazohej në rotacion. Për 25 muaj Peres do të shërbente si kryeministër dhe Shamir si zëvendës i tij dhe ministër i punëve të jashtme dhe pas 25 muajsh anasjelltas.

Me të marrë detyrën, Shimon Peres i përvishet punës për ta tejkaluar sa më shpejt situatën e rënduar. Dhe shumë nga masat që ndërrmerr japin rezultate impresive. Gjendja fillon të stabilizohet. Norma vjetore e inflacionit bie nga 500% në 16%. Kurse, popullariteti i Peres-it shënon rritje të paprecedent në historinë politike të Izraelit. Sipas matjeve të opinionit publik të kohës thuhet se disponimi i publikut për të ishte dikund rreth 80%. Të joshur dhe të tunduar nga mundësitë për një fitore të mundshme absolute, një pjesë e rrethit të tij fillojnë ta këshillojnë kryeministrin që ta prish marrëveshjen për bashkëqeverisje dhe t’i shpall zgjedhjet e reja. Sepse, e kishte shansin që ta fitonte atë që mbase shumë politikanë tjerë vetëm mund ta ëndërrojnë.

Mirëpo, Peres në mënyrë kategorike e refuzon një skenar të tillë që e mbart shijen e hidhur të pabesisë. Dhe u drejtohet atyre se “unë e kam dhënë fjalën time dhe nuk e kam plan të ndryshoj. Sepse nga politika kam mësuar se kurrë nuk mund të bëhesh lider nëse nuk i mban premtimet”. (Shënime të marra nga dokumentari “Never Stop Dreaming”).

Një shembull eklatant se si udhëheqësit e vërtetë nuk i marrin vendimet kruciale nga përfitimet e çastit, por nga interesat afatgjata. Se nuk e rrezikojnë mirëqenien e shtetit për hirë të përfitimeve personale. Dhe më kryesorja nuk bien pre e këshillave të klaneve të brendshme oportuniste.

A thua si do ishin sjellur politikanët tanë në kësi raste fatlume për ta? Besoj se nuk ka nevojë shumë për koment. Por, mbase kjo është arsyeja që ne ka kohë që prodhojmë kryeministra e kryetar, por jo lider në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, që do shndërroheshin në inspirim moral dhe politik me veprimet e tyre për të tjerët.

Të ngjashme