Mos eja shpesh në Bruksel Albin Kurti

Prishtinë | 24 Mar 2021 | 11:50 | Nga Ekrem Krasniqi, Reshat Sahitaj

Kujdes Albin, mos eja shpesh në Bruksel se të kap tjetërsimi, mpirja nga pushteti e fotot e darkat me zyrtarët e BE-së dhe të qeverive të vendeve të tij siç i pat kapur të tjerët para teje, sepse rrezikon të kapesh pastaj edhe nga laku “Zajednicës”, shndërrimi i Kosovës në një Bosnjë të dytë në Ballkan, përkatësisht.

Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Avdullah Hoti erdhën në Bruksel për dialog me Serbinë, sa herë që ndërmjetësit e Bashkimit Evropian i thirrën.  Ata nuk hezituan fare aspak të takojnë ish-zëdhënësin dhe ish-ministrin e kasapit të Ballkanit : Slobodan Milosheviqit.

Të dy të parët, Hashimi dhe Isa, ua lanë, pasardhësve të tyre kryeministra, në dorë një marrëveshje të rrezikshme – Asociacionin e Komunave Serbe (ASK) – cilën ti e quan « Zajednicë », e Ramush Haradinaj ‘Dodik Republikë », të cilën për fat të mirë e hodhi poshtë, por përkohësisht, Gjykata Kushtetuese e Kosovës në dhjetor 2015.

Tash kjo stafetë e rrezikshme, ASK-ja pra, të është bartur tek ti Albin dhe mbi supet  438.335 votuesve tuaj dhe të Vjosa Osmanit, përkatësisht, 23,66 % prej qytetarëve të Kosovës me të drejtë vote.

I ke dëgjuar edhe personalisht urimet që të erdhën nga krejt BE dhe shefat e qeverive të vendeve anëtare të saj për fitoren tënde dhe të Vjosa Osmanit në zgjedhjet e 14 Shkurtit.

Të njëjtit edhe dje ta uruan postin e kryeministrit. Të njëjtit edhe po të thërrasin që të vijsh në Bruksel, për të vazhduar e jetësuar atë që ua premtuan Serbisë dhe serbëve të Kosovës dhe e nisën homologët tuaj para teje.

Paralel me urimin, përkatësisht përkëdheljet dinake, po të njëjtit po të bëjnë presion dhe joshje në të njëjtën kohë, për dialog kompromisi me Serbinë që të jetësosh premtimin e tyre për pushtetin e dytë në Kosovë, midis atij qendror dhe komunal, për të bërë tre lloj pushtetesh, e që gradualisht do ta shndërrojë shtetin e Kosovës në një Bosnjë të dytë jofunksionale në rajon, e paralizuar gradualisht shtetin edhe ashtu të dërmuar e të gjunjëzuar të Republikës së Kosovës nga krejt ata që e gërryen deri në asht plot 22 vite prej se kaloi lufta për liri.

Krejt çka BE dhe vendet e saj duan nga ti është që të moderohesh, pra që të zbutesh e të bëhesh si Hashimi, Isa e Avdullahu, e që në shkëmbim të AKS-së të shpresosh ti dhe shqiptarët e Kosovën në njohje nga Serbia, e pastaj të shpresosh bashkë me qytetarët e Kosovës për njohje nga Qipro, Greqia, Rumania, Slovakia e Spanja në një të ardhme që askush nuk ia di fundin. 

Të shpresosh pra, se ashtu do të të premtojnë ty dhe krejt qytetarëve të gjunjëzuar të vendit tonë, zyrtarët e vendeve që të po kërkojnë dhe po të thërrasin të vijsh në Bruksel për negociata kompromisi me Vuçiçin. Do të ta premtojnë edhe heqjen e vizave që ta jetësosh AKS-në dhe të bësh kompromisin me Vuçiçin.

Një ilustrim se si BE dhe shtetet anëtare të saj i ndryshojnë fjalët :

Dialogun në fjalë për çështje « teknike » e nisi BE-ja në vitin 2011 bashkë me qeverinë e Barak Obamës, kur kryetari i tashëm i SHBA-ve, Joe Biden, ishte zëvendës-kryetar. 

E dinim se kjo është një mashtrim. Dhe ashtu ndodhi. Dialogu u shndërrua në dialog politik me kërkesën për kompromise. Kronologjinë prej 2011 deri me sot e di ti mirë, nuk kemi nevojë të ta përkujtojmë ne. As qëndrimet e tua plot 10 vite për këtë dialog nuk kemi nevojë të t’i përkujtojmë.

E ky transformim i dialogut u bë edhe nga shtetet e BE-së që e njohën Kosovën e pavarur, e dhe nga SHBA, dhe tash po u kërkojnë shqiptarëve të Kosovës që ende pa u njohur Kosova nga Serbia të bëhet kompromisi i rrezikshëm: AKS në shkëmbim të njohjes nga Serbia, përkatësisht boznjësim të Kosovës në shkëmbim të njohjes, me kushtin që Serbia do ta njihte Kosovën e pavarur, për të cilën Vuçiçi tha se është i gatshëm që të « vejë kokën mbi cung » e të mos e nënshkruajë.

Në këtë dialog, tash po të kërkojnë që edhe ti Albin të takohesh me ministrin e Kasapit te Ballkanit, Sllobodan Milloshevic, të jetësosh premtimet e mëhershme të Thaçit dhe Mustafës, duke ripaketuar vendimin e gjykatës kushtetuese për statusin e AKS-së, dhe paraqitur atë para publikut vendor në Kosovë si një strukturë jo të dëmshme për shtetin e Kosovës.

Ky është filmi që të pret këtu në Bruksel, nën skenarin e BE-së dhe përfaqësuesve të State Departamentit të SHBA-ve, pikërisht në kohën kur SHBA dhe BE po i ri-rregullojnë gradualisht marrëdhëniet e tyre të cilat u prishën sa ishte Donald Trump në pushtet, e i cili raportet e SHBA-ve me partnerët e saj të vjetër i bëri krejt lëmsh.

Krimet e luftës ndaj civilëve shqiptarë dhe gjykata speciale

Albin, të hënën nuk paralajmërove asnjë kusht që duhet plotësuar Serbia për krimet në Kosovë, para se të vijsh në Bruksel për të vazhduar dialogun e rrezikshëm me papagallin e Millosheviqit e të Sheshelit, Aleksandar Vuçiçin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme