Mos i lejoni mjekët si Dr. Nderimi të largohen nga Kosova!

Prishtinë | 05 Maj 2022 | 16:48 | Nga Valdrin Nuredini

“Në çastin kur po hyj në radhët e anëtarëve të profesionit mjekësor premtoj solemnisht se jetën time do ta vë në shërbim të humanitetit. Ndaj mësuesve do ta ruaj mirënjohjen dhe respektin e duhur. Profesionin tim do ta ushtroj me ndërgjegje e me dinjitet. Shëndeti i pacientit tim do të jetë brenga ime më e madhe. Do t’i respektoj e do t’i ruaj fshehtësitë e atij që do të më rrëfehet. Do ta ruaj me të gjitha forcat e mia nderin e traditës fisnike të profesionit të mjekësisë”.

Kjo është një pjesë e betimit më të rëndësishëm në fushën e mjekësisë. Betimi i Hipokratit. Paragrafi që e shoqëron secilin e secilën të diplomuar në drejtimin e shkencave mjekësore.

Si mund të ishte ndryshe, kur jeta jonë, gjëja më e shenjtë që kemi, është në duar të atyre që janë aty, kurdo që ne e kemi të nevojshme prezencën e tyre. Ata janë dera e hapur, që e risjellin buzëqeshjen në fytyrat tona. Dhimbjen e kthejnë në shëndet, e vuajtjen e dërgojnë në pakthim.

Shpesh herë ne edhe i gjykojmë, akuzojmë e më së shumti i paragjykojmë. Për faktin se në Kosovë, është krijuar një percepsion i gabuar se mbiemri i mjekëve është lakmia. Një hipotezë që unë kurrë se kam besuar, e për më tepër e kam kundërshtuar.

Rrëzimi i krejtë këtyre është puna e palodhshme, në secilën ditë që zbardhet. Kosova e ka fatin që të ketë profesionist të dëshmuar, që i vendosin në dispozicion dijet e tyre, për shërimin e njerëzvë që si dritë shprese e kanë derën e mantelbardhëve.

E unë sot, po shkruaj, për një profesionist e mbi të gjitha për një njeri me vlera të larta njerëzore, që çdo ditë pothuajse i kryen nga dy intervenime e më shumë. Ai është, ortopedi, Nderim Salihaj.

Shumë dhimbje të mjekuara, familjarë të lumtur pasi që marrin lajmin se pacienti e ka kaluar me sukses operacionin. Me pak fjalë, e shumë punë. Siç duket Dr.Nderimi si shumë të tjerë, ka vendosur që puna të jetë zëri dhe zhurma e tij e vetme.

Në një përshkrim të shkurtër edhe mund të themi se ai është magjistari që rikthen buzëqeshjen në fytyrat e lodhura dhe të vuajtura, që pacientët shndërrohën me kalimin e kohës.

Për shumë njerëz, ai ngelet imazhi më i paharruar ndër vite, arsyeja se pse njerëzit e rikthejnë besimin në shëndetësinë e Kosovës. Çdo ditë e re, çdo sfidë e re, me të njëjtin motiv dhe qasje. Optimist i pandretqshëm dhe profesionist deri në detaje.

Ky vend ka nevojë për mjekët si Dr.Nderimi, për njeriun altruist, për shpirtin human dhe mbi të gjitha për dorën e artë, që ka vendosur të jetojë dhe veprojë këtu, në shtetin tonë, në Kosovën tonë.

Pavarësisht kushteve dhe rrethanave, në një ambient veprimi shumë fragjil, kur kemi probleme edhe me sigurimin e barnave esenciale, Dr.Nderimi, vazhdon të shkëlqejë, pavarësisht hijeve që i imponohen, pa fajin e tij.

Shteti i Kosovës, duhet të ketë kujdes, me mjekët si puna e Nderimit dhe shumë e shumë të tjerëve, që po i hyjmë në hak e që s’po i përmendim. I ka borxh si shtet, që t’i sigurojë kushtet më të mira për punë, rrethanat më të favorshmë për të kryer intervenimet e mbi të gjitha, dinjitetin që për shumë kohë i është zbehur profesionit të mjekut.

Kosova e ka obligim që në mënyrë emergjente të trajtojë këtë problematikë dhe të zgjidhë të gjitha çëshjet që e kanë rënduar punën e mjekëve dhe që kanë krijuar alternativa për t’u larguar dhe vepruar larg Kosovës.

Ne nuk e kemi mundësinë e shteteve evropiane të humbim më të mirët, ne duhet t’i ruajmë profesionistët si sytë e ballit sepse ata janë e ardhmja jonë.

Shteti ynë e ka për obligim që mos t’i lejojë mjekët si Dr.Nderimi të largohen nga Kosova.

Të ngjashme