Mungesa për të cilën patëm nevojë

Prishtinë | 04 Kor 2022 | 13:08 | Nga Afrim Kasolli

Ekonomia e Kosovës ka filluar ta përjetojë atë fenomen që është dashur ta përjetonte edhe më herët, mungesën e fuqisë punëtore. Ata armatë të njerëzve që janë të përfshirë drejtpërdrejtë në procesin e punës. Dhe rrjedhimisht të krijimit të mirëqenies shoqërore dhe individuale. Dhe kjo dukuri krahas pasojave negative, po ashtu do ketë edhe efekte pozitive. Sepse, do të kuptohet përfundimisht vlera e çdo individi, si dhe dinjiteti i atyre që janë kryesorë për mirëmbajtjen e aktivitetit ekonomik.

Ky proces në botën perëndimore është arritur si rezultat i betejave të gjata sindikale, afirmimit të parimeve të demokracisë sociale dhe presioneve politike.

Duke qenë se te ne mungonin traditat të tilla, sindikatat ishin vetëm zgjatime të interesave të pushtetit, partitë sa ishin në opozitë e kumtonin vetën si të majta, kurse më të marrë pushtetin shtriheshin në të njëjtin shtrat me botën e kapitalit, a lanë këtë kategori vitale, pas asnjë adresë politike dhe shoqërore. Në dorën e askujt.

Ky tjetërsim i ka ndodhur edhe kësaj qeverie, që pretendon se i mbron parimet e majta. A e keni parë ndonjërin nga këshilltarët e kryeministrit Kurti, prej se janë rehatuar në pallatet e pushtetit, duke marrë pjesë në tubime publike me punëtorë për të diskutuar për hallet e tyre dhe për t’i adresuar ato. Jo, dhe as nuk do t’i shiheni. Por, të gjithë i kemi parë fotot e tyre duke u jargavitur në darka “orgjike” me biznesmen të fuqishëm. Edhe për pushtetin e ri financimi i fushatave elektorale po bëhet në mjet të domosdoshëm të mbijetesës politike.

Kurse në anën tjetër pozime të tilla mund ta transmetojnë edhe një mesazh tjetër frikësues për punëtorët. T’u bëhet e qartë atyre se pavarësisht ndryshimeve politike që kanë ndodhur, përsëri nuk ka shpresa për ta. Sepse, asgjë në jetën reale nuk do të ndryshojë. Të drejtat e ëndërruara s’do të mund t’i gëzoni. Pra jeni të dënuar të jetoni përjetësisht nën pushtetin e aleancave cinike ndërmjet kapitalit dhe politikës. Prandaj, nuk është e rastësishme që pikërisht nën këtë qeveri fenomeni i ikjes së të rinjve nga Kosova ka marrë përmasat e një epidemie kombëtare.

Në këtë kontekst, kjo mungesë do të mund ta krijojë bazën për lindjen e një vetëdije të re politike, sociale dhe ekonomike. Ku tash e tutje edhe për ndërmarrësit nuk do jenë më primare lidhjet me politikanë parazitë, por mënyra se si i trajtojnë ata që janë të domosdoshëm për veprimtarinë e tyre. Në këtë mënyrë do të mund të ndërgjegjësohen se lidhjet “okulte” me ministra e politikanë të fuqishëm për të fituar tenderë nga institucionet publike, duke zhvleftësuar vlerën e punëtoreve, nuk mund të jenë rruga e duhur për askënd. Se ajo mendësi vetëm sa i ka dëmtuar deri në ekstrem potencialet ekonomike të vendit, pasojat së cilës do ndjehen për kohë të gjatë. Kurse efektet e para rrënimtare të kësaj strategjie të gabuar, askush nuk do t’i vërejë më shumë, së sa vetë ndërmarrësit. Janë këta që do ta kuptojnë sot më shumë së kurrë, se politikanët nuk mund t’i shpëtojnë nga mungesa e atyre që i trajtuan në mënyrë jo dinjitoze.

Ky proces po tregon se terapia e vetme për antagonizma të tilla mbetet liria e lëvizjes dhe ekonomia e hapur. Dhe jo retorika boshe politike. Mundësia që njerëzit ta ndërtojnë vetë fatin e tyre jetësor ku shohin më profitabile për ta. Kurse ata që nuk kanë vullnet për t’iu përshtatur kësaj tendence mund të jetojnë edhe për pak kohë në mbeturinat e një mentaliteti feudal të destinuar për dështim.

Të ngjashme