Na e shpifët me këto foto të blera nga inaugurimi

Tiranë | 22 Jan 2017 | 21:55 | Nga Andi Bushati

Një mori fotosh të politikanëve shqiptarë që kanë shkuar si spektatorë në ceremoninë e betimit të presidentit Trump, kanë përmbytur këto ditë faqet e gazetave dhe ballinat e mediave online. Me këtë mori klishesh propagande, ku është vështirë të dallosh selfiet amatore nga rendja pas ndonjë politikani amerikan, për të trokitur gotën gjatë një pritje, po tentohet t’i përcillet publikut shqiptar, një realitet krejtësisht i shtrembëruar.

Nëse i hedh një sy të kujdesshëm mediave tona, mesazhet kryesore që ato përcjellin nga Uashingtoni janë dy.

I pari është ai i opozitës. Lulzim Basha dhe Fatmir Mediu që gjendeshin në ceremoninë e inagurimit të Trump kanë lënë të kuptohet, me siguri, se politikat e vendit më të fuqishëm të botës do të ndryshojnë. Kështu “RD” organi zyrtar i demokratëve, duke I’u referuar një duarshtrëngimi në një party me senatorin ish rival të Trump, Ted Cruz, ka folur për një “Angazhim të ri amerikan në Shqipëri”, duke theksuar respektimin e votës dhe dënimin e qeverisjes së inkriminuar.

Po t’i besosh rrëfimit të PD duket sikur deri më tani, Edi Rama ka mbretëruar në pushtet, sepse ndihmohej nga Xhorxh Sorosi, por këtej e tutje, pasi në shtëpinë e bardhe u futën kundërshtarët e tij, gjithçka do të ndryshojë edhe nga anët tona.

Rrëfimi i dytë është ai i LSI-së. Me fotot që ka publikuar (më të spikataurat ato me Presidentin e Senatit, Orrin Hatch), Ilir Meta ka dhënë mesazhin se ai do të jetë garanti i mosprishjes së marrëdhënieve ShBA – Shqipëri. E përditshmja shumë pranë tij “Koha Jonë” shkruante këtë të diel: “Dilemat në Tiranën zyrtare janë të pranishme pas akuzave që bëri para fushatës elektorale në SHBA, Edi Rama kundër Donald Trump”. Por, megjithëse roli i Ilir Metës shkaktoi xhelozi në Tiranë – shtonte gazeta- ai është siguria se marëdhëniet mes dy vendeve nuk do të prishen.

Natyrisht përmes këtyre informacioneve të sponsorizuara, Meta do të japë mesazhin se ai nuk e ka administratën e vendit më të madh të globit kundër, se ai nuk është politikani për të cilin u iniciua reforma në drejtësi, se ai tashmë i ka punët mirë në Uashington.

Por, përpara se të përtypë këto lajme, cilido duhet të bëjë disa pyetje.

Kush i ftoi këta politikanë në Uashington, kur nga organizatorët u tha se nuk ka ftesa zyrtare? Sa kanë paguar ata për ato foto që shoqërohen me shënime në Facebook? Kush mund të garantojë për mesazhet që kanë marë dhe për bisedat që kanë bërë, kur aty nuk ka pasur prezent as gazetarë, dhe për më tepër, asnjë nga “mikpritësit” amerikanë nuk ka folur me gojën e tij?

Kjo, pra është farsa e asaj që po ndodh në Uashington. Blihen ftesa për në ceremoni, paguhen lobistë për takime jo zyrtare, prodhohen lajme të pa konfirmuara dhe më pas i shiten publikut në Tiranë.

Ky mashtrim i trefishtë ngjan si dy pika uji me historinë e famshme të fotografisë së Edi Ramës me ish presidentin Obama. Kreu i PS, atëhere në opozitë, kur akuzohej se mbante pranë vetes dhe frymëzonte “celulën antiamerikane”, kur kundërshtarin e tij që vrau 4 protestues, ambasadori Arvizu e quante “burrë shteti”, zbuloi emigrantin Bilal Shehu, i dha 80 mijë dollarë dhe arriti të sigurojë një foto me Barak Obamën duke u shtirur si bashkëshortja e financuesit të fushatës së tij.

Natyrisht kjo foto dhe ato para që sot po gjykohen nga drejtësia përtej Atlantikut, i shërbyen mediave pranë Ramës dhe fansave të tij, për të shitur fabulën e paqtimit me Amerikën.

Azgjë më shumë. Ato qenë thjeshtë një ingranzh me tepër në makinerinë e stërmadhe të propagandës.

Dhe këtë propagandë e besuan ata pak entuziastë naivë që deshën, por e tallën dhe e përqeshën, të gjithë kundërshtarët që i treguan publikut detajet e fabulës së një takimi të blerë.

Pkërisht për këtë, sot shtrohet pyetja: si mundet që ata që e çmitizuan këtë gënjeshtër dje, po përpiqen ta shesin të njëjtën gjë për të vërtetë sot? Si mundet që të jenë aq dritëshkurtër sa kërkojnë të na mbushin mendjen, se kur mashtron kundërshtari nuk duhet besuar, ndërsa kur na ndodh ne duhet kapërdirë?

Janë pikërisht këto pyetje asgjësuese që e kanë diskredituar para shqiptarëve lojën e kotë të fotove të blera dhe të teksteve të sheqerosuara që i shoqërojnë.

Tashmë të gjithë e kanë kuptuar se ato janë pjesë e një loje të dalë boje, të atyre njerëzve, që pasi grabisin shqiptarët në vendin e tyre, paguajnë përtej oqeanit, që mëkati të mos dalë në sytë e publikut.

Prandaj të gjithë ata që nuk mashtrohen më me këtë farsë, me të drejtë shtrojnë dilemën: A nuk do qe më mirë për të gjithë, sikur të qenë më të përmbajtur në vjedhje, dhe të shpenzonin më pak për lobim?

Është pikërisht kjo pyetje që i bën klishetë që kemi parë këto ditë, të ngjajnë jo vetëm fallco, por njëkohësisht qesharake dhe të shpifura. (Lapsi.al)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme