Ndërmjet oligarkisë dhe autoritarizmit

Prishtinë | 02 Shk 2022 | 14:26 | Nga Afrim Kasolli

Shoqëria kosovare ka kohë që po i nënshtrohet një dileme apo me mirë të themi një presioni të dyfishtë publik. Në njërën anë, Qeveria e Kosovës ka filluar me të madhe t’i trumbetojë nismat e saj legjislative që pohon se kanë për qëllim ta reformojnë sistemin e drejtësisë, ta përmirësojnë luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe ta depolitizojnë sundimin e ligjit.

Me anë të një sërë masash si realizmi i plotë i procesit të vettingut, ku do të bëhej një ri-vlerësim i të gjithë prokuroreve dhe gjyqtarëve në sistemin e drejtësisë, iniciativën për plotësim ndryshimin e ligjit për Prokurorin e Shtetit, si dhe koncept-dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme që parasheh edhe krijimin e një Agjencioni të veçantë që do të ishte në gjendje të hapte procedura civile dhe jopenale, ndaj personave që dyshohen se kanë përfituar pasuri të pajustifikueshme, kjo qeveri po pretendon se mund t’i realizojë premtimet e saj për sundim të ligjit dhe shtet të së drejtës.

Nga ana tjetër, kritikët e këtyre masave ka kohë që kanë filluar të na alarmojnë se pikërisht me këto veprime qeveria aktuale, nuk e ka për qëllim t’i jetësojë synimet e proklamuara, por t’i persekutojë juridikisht oponentët e saj, ta shantazhojë opozitën dhe veçanërisht me nismën për themelimin e Agjencionit ta mbajë në mënyrë konstante mbi ta shpatën e Demokleut.

Me këtë rast sa herë që ata nuk i shkojnë për shtati prirjeve, interesave dhe qëllimeve të pushtetit, ky i fundit ta ndërsejë këtë mekanizëm shtesë mbi shpatullat e tyre. T’i bëjë të heshtin. Ta pranojnë çdo gjellë që ua servon pushteti. Dhe se në vend të mbrojtjes së interesit publik, eksponentët e opozitës duke jetuar nën këtë kërcënim të vazhdueshëm të angazhohen vetëm për mbrojtje të lirisë personale.

Me fjalë tjera sipas kundërshtarëve të këtyre veprimeve të fundit që ka ndërmarr qeveria aktuale, lufta kundër korrupsionit po përdoret vetëm si një mbulesë për ta shtruar shtratin që ka për motiv çimentimin e një regjimi të ri autokratik.

Një skenar i tillë nuk them se nuk është i mundur. Madje historia ka dëshmuar në sa e sa raste, se pikërisht ato formacione politike që arrinin t’i përndiznin zemrat dhe shpirtrat e masave të tulatura nga padrejtësitë paraprake kanë përfunduar në të kundërtën e qëllimeve të propaganduara. Nuk thuhet me kotë se “askush nuk e ka bërë më shumë ferr tokën se sa ata që e kanë premtuar parajsën”.

Kurse teorikisht, Platoni e ka argumentuar në mënyrë të papërsëritshme në traditën e mendimit politik perëndimor këtu e 2500 vjet më parë, se me sa lehtësi të padurueshme shoqëritë njerëzore mund të kalojnë nga njëri regjim në tjetrin. Prandaj edhe duhet të jemi syhapur ndaj mundësive të tilla.

Përkundër kësaj situate alarmuese, po ashtu nuk mund të mohohet fakti, se edhe rregullat dhe modeli që ka dominuar deri më tani nuk ka qenë në gjendje ta pengojë etablimin e një shtrese oligarkike në vend, të lidhur kryesisht me politikën dhe pushtetin.

Se sistemi juridik çfarë ka qenë deri më tani nuk është treguar efikas në shndërrimin e sundimit të ligjit në standard absolut. Se nën ndikimin e rregullave të deri tanishme koniunktura financiare politike nuk kanë pasur ndonjë pengesë ta ndërtojnë pasurinë e tyre përrallore private. Dhe është dëshmuar se të ardhurat nga rroga që mund të sigurohet nga puna në institucionet publike nuk mjafton për një jetë tillë.

Sepse po të ishte që me rrogë bëhet kjo punë, atë do ta kishte bërë ish-kancelaria e Gjermanisë Angela Merkel, e cila ka pasur një jetëgjatësi të mjaftueshme politike dhe të ardhura publike shumëfishë më të larta se sa shtresa rishtake e politikanëve tanë biznesmenë.

Ndërkaq, po ta shohim vetëm jetën që bëjnë, luksin që gëzojnë, pasurinë që e kanë akumuluar dhe vilat që kanë ndërtuar, do të kuptohet se një “mister” i të ardhurave tjera e ka shoqëruar ngritjen e këtyre “nouveaue-richeve” në piedestalin e spektaklit publik të politikës kosovare.

Në këtë kontekst, fakti se ata ia dolën të mos penalizohen për abuzime të tilla, tregon qartë se mënyra se si kanë funksionuar deri më tani rregullat gjoja në luftë kundër korrupsionit, nuk e kanë mbrojtur demokracinë kosovare nga kjo kastë oligarkike politike. A ishin ato të përsosura, por individët që e administruan sistemin e drejtësisë nuk ishin në nivel të detyrës, kjo është një dilemë tjetër. Ndonëse edhe këtu mund të shtrohet një pyetje logjike, se si mund të jetë një sistem i përkryer deri sa ai mund të tjetërsohet më kaq lehtësi?

Rrjedhimisht, shpërputhje të tilla tregojnë se Kosova nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i kësaj mendësie. Sepse nëse disa norma nuk tregohen frytëdhënse në raport me qëllimet e përgjithshme, nuk ka dyshim se ato duhet të ndryshohen.

Prandaj, pikërisht mënyra e ndryshimeve të tilla duhet të jetë subjekt i debatit juridik dhe politik. Por ato nuk duhet të kritikohen duke pasur në mendje fatin e politikanëve të veçantë. Ankthet e tyre. Dhe mundësinë se ata mund të shantazhohen sepse nuk do të mund ta justifikojnë pasurinë e akumuluar ndër vite, për vete dhe klanet e tyre. Ngase në këtë mënyrë ka rrezik që mbrojtja gjoja e demokracisë dhe të drejtave të njeriut të shndërrohen në ideologji për të preservuar interesat e një kaste të privilegjuar dhe të shtresëzuar në mënyrë të dyshimtë gjatë kësaj kohe.

Në fund të fundit, nën paravanin e kësaj retorike u rrënjëzuan këto degjenerime.

Mirëpo, veprime të tilla të propozuara nga ekzekutivi duhet të kundërshtohen nëse nuk përfaqësojnë asnjë ndryshim juridik dhe politik. Nëse me anë të tyre vazhdohet e njëjta praktikë dhe e njëjta mendësi sipas së cilës për “miqtë pushtetin, për oponentët ligjin”.

Dhe nëse masa të tilla përdoren për ta zëvendësuar një klikë financiare me një tjetër dhe jo për ta garantuar një sistem ligjor efikas dhe të barabartë për të gjithë qytetarët e kësaj shoqërie, atëherë ato duhet të refuzohen kategorikisht. Përndryshe nëse ato nuk janë konform kësaj logjike s’ka arsyeje shoqërore dhe demokratike që të mos pranohen.

Të ngjashme