Ndoshta është gabuar në formulimin e ligjit…

Prishtinë | 21 Jan 2021 | 13:56 | Nga Enver Robelli

Ndoshta është dashur që në një paragraf të shkruhet: kur deputetë të VV-së dhe AAK-së gjuajnë gaz lotsjellës në parlament, këtë vepër nuk e mbulon ligji, sepse hedhësi i gazit lotsjellës është mbi ligjin, madje jo vetëm në sallën e Kuvendit, por edhe në hyrje të Kuvendit, kur përlahet, shtyhet dhe nuk i respekton urdhrat e policisë.

Me këtë logjikë mund të luhet në ndonjë komedi, por jo të bëhet politikë serioze shtetërore. Përtej komedisë: si atëherë si sot duhet të gjendet përgjigjja në një pyetje esenciale: si ndodhi që me javë të tëra të futet aq shumë gaz lotsjellës në Kuvend dhe të dështojë krejt sistemi i sigurisë, gjithë ata policë me uniforma dhe civilë, agjentë e zyrtarë të sigurimit, vëzhgues e mbikëqyrës? A e ka toleruar një pjesë e pushtetit të atëhershëm futjen e gazit lotsjellës në Kuvend? Kjo pyetje dhe shumë pyetje të tjera një ditë duhet të marrin përgjigje të merituar. E kjo nënkupton përgjegjësi politike edhe për ata që nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare pa asnjë dobi për Kosovën dhe me shumë potencial për Serbinë.

Siç duhet të marrin përgjigje nga drejtësia edhe akuzat e një deputeti kundër një politikani se ky i fundit, pra politikani, e paskësh zhdukur një aktivist politik gjatë luftës. Kur thuhet kjo nga foltorja e Kuvendit, ka peshë edhe më të madhe, andaj heshtja e autoriteteve është toksike.

Sa i përket KQZ-së: ky institucion mund të ketë 100 të meta, e kush s’ka mëkate e të meta le ta gjuajë gurin e parë, por në rastin konkret – po zbatohet ligji. Andaj klithjet kërcënuese janë të palejueshme, të patolerueshme, të padrejta dhe të panevojshme. Gjithçka që duhet shpresuar është që institucionet e Kosovës të jenë konsekuente dhe ligjin ta zbatojnë edhe ndaj politikanëve të tjerë. Por edhe ligji në Kosovë zbatohet sipas peshës së politikanit dhe kohëzgjatjes së sundimit të tij. Sa më gjatë në pushtet, aq më i paprekshëm. Kjo logjikë e ka sjellë Kosovën në këtë qorrsokak.

Të ngjashme