Ndryshimi fillon në nivele lokale!

Prishtinë | 14 Sht 2021 | 21:26 | Nga Erblina Tahiraj

Dështimet e njëpasnjëshme të kësaj qeverie, të cilat po i përcjellim me shqetësim dhe po na bëjnë të ndjehemi keq, mua më nxisin t’ju drejtohem të gjithë qytetarëve, e në veçanti të rinjve të Kosovës.

Përkundër kundërshtimeve që u janë bërë, dhe mosbesimit në narrativat që ndërtonin, duke plandosur çdogjë që u bë nga të tjerët, ndonjëherë edhe më skeptikët kanë besuar se 14 shkurti do të jetë dita e ndryshimit që i duhej vendit. Por, asnjëherë nga askush nuk mund të imagjinohej se do ta kemi një qeveri e cila do të veprojë e do të deklarohet në të njejtën vijë me Beogradin.

Është kjo qeveri, e cila për 20 vjet nuk vlerësoi asnjë të arritur të Kosovës, nuk vlerësoi kurrë të arriturat e të tjerëve në krijimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, shpalljen e Pavarësisë së Republikës, krijimin e Ushtrisë së Kosovës, pavarësimin energjetik të Kosovës, infrastruktura rrugore, ndërtimi i shkollave e shumë projekteve tjera kapitale, por edhe institucioneve tjera të cilat i japin shpirt shtetit të Kosovës. Përkundrazi, në shumë procese, duke ndërtuar kauza të paqena ata baltosën çdo lider shtetëror e institucional, duke ia vënë në ballë etiketën prej tradhtari, pavarsisht sa të dëshmuar kombëtarisht ishin këta liderë.

Për këto vite nga koha e luftës, veçanërisht nga shpallja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, çdo njeri sheh hapa përpara të shtetit tonë, në çdo aspekt, përpos Albin Kurtit dhe vartësve të tij.

Pajtohem që ka gjëra e procese që kanë mundur të zhvillohen më mirë.
Por, a është ky ndryshimi që i duhet Kosovës? Natyrisht që JO.

Qytetarët kishin të drejtë t’u besonin mashtrimeve të tyre, sepse kauza për shtet pa korrupsion e pa njerëz që duan ta shesin shtetin e Kosovës, sigurisht që do i bashkonte njerëzit e vullnetit të mirë.

Qytetarët besuan dhe ua dhanë besimin atyre. Ata morën besimin, morën pushtetin, kapën shtetin, por shpejt u pa fytyra e tyre. Menjëherë filloi nepotizmi; axhallarët, hallat, dajallarët e të tjerë që nuk e kishin vendin në qeveri por në dasma, tash u bënë pjesë e qeverisë. Premtimi për vazhdimin e dialogut me Serbinë pas kërkim faljes u harrua menjëherë.

“Leciplociteti” u largua. Marrëveshjet me Beogradin dhe në Beograd filluan.
Pandemia po vret çdo ditë njerëzit tanë, ndërsa qevritarët tanë çdo dështim e sidomos dështimet e thella i quajnë suksese, në vend se të kërkonin falje e të turpëroheshin.

E keqja qëndron në relacionet tona me Shqipërinë; jo që s’po bëhet Bashkimi Kombëtar, por po bëhet e thellohet ndarja gjithnjë e më shumë.

Gjithsesi, Kosovës i duhet një reformim i thellë politik, i cili duhet të filloj shpejt. 17 Tetori duhet të jetë fillimi i ndryshimit të komunave, që i paraprinë ndryshimit të madh që do të vjen me zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për të cilat nuk duhet të jetë e largët dita e mbajtjes së tyre.
Komunat e udhëhequra nga AAK kanë qenë model i mirë qeverisës, pa skandale, me ndershmëri, duke mbështetur të rinjtë dhe gratë, bujqit dhe bizneset, kryesisht ato të vogla dhe të mesme.

Ndryshimi fillon në nivele lokale!

Të ngjashme