Në kërkim të Albin Kurtit dhe… zgjedhjeve të rregullta!

Prishtinë | 16 Shk 2021 | 20:57 | Nga Lutfi Dervishi

Nesër Kosova shënon 13 vjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe, edhe pse pa traditë sapo dëshmoi se është vendi që realizon zgjedhjet më të mira të paktën në Ballkan. Me zgjedhjet e 14 shkurtit Kosova mbylli kapitullin prej dy dekadash të pas luftës. Në skenë tashmë është një brez i ri. Partitë e dala nga lufta dhe të drejtuara nga komandatët janë në opozitë dhe LDK-ja, partia e themeluar më 1989 nga Ibrahim Rugova, arkitekti i pavarësisë së Kosovës ka shënuar rezultatin më të dobët në zgjedhje.
45 vjeçari Albin Kurti, kryetari i Vetëvendosjes dhe kryeministri i ardhshëm së bashku me 38 vjeçaren Vjosa Osmani, Presidente në detyrë e vendit kanë shënuar një fitore spektakolare, duke premtuar për herë të parë një qeveri stable, të aftë për reforma të brendshme dhe me mandat të qartë edhe për sfidat e pambyllura që nga çlirimi vendit.
Por spektakli i vërtetë ishte fushata zgjedhore që kulmoi me ditën e votimit.
3 orë pas mbylljes së kutive të votimit dhe ende pa mbaruar numërimi, Enver Hoxhaj, kryetari i PDK-së pranoi humbjen, përgëzoi fituesit dhe premtoi opozitë të fortë. Rezultati u pranua edhe nga LDK-ja dhe në fund fituesit, pa tone triumfi, premtuan se nuk do të ketë kurrë hakmarrje, por veç drejtësi. Gjithçka ndodhi në 14 shkurt.
Votuesit në kutinë e votimit nuk realizuan thjesht rotacionin e radhës, por realisht votuan për ndryshim!
Në Shqipëri, krahas habisë dhe gëzimit për këtë proces zgjedhor spektakolar, pyetja pa përgjigje është: pse nuk mund të realizojmë zgjedhje si Kosova? Dhe fjalia që dëgjon më shpesh është: na duhet një Albin Kurti. Nuk kemi një si Albin Kurti.
Albin Kurti nuk erdhi si meteor më 14 shkurt, në skenën politike të Kosovës. Ai është kryetar i VV prej 15 vitesh. 10 vite më parë shiti banesën ku jetonte në lagjen Dardania me vlerë 70 mijë euro për të financuar fushatën e Vetëvendosjes. Prej vititi 2017 VV është parti e parë në Kosovë. Motoja kryesore në fushatë ishte: punësim, drejtësi, arsim! Premtimi: luftë ndaj korrupsionit. Albin Kurti ka marrë shumë dhe fitorja e së dielës është e madhe, pritshmëritë janë akoma më të mëdha dhe sfidat për të cilat nuk është folur në fushatë janë monumentale.
Për të folur për ndikmin që do të ketë në Kosovë dhe Shqipëri rezultati i 14 shkurtit, sonte në #Përballë do të jetë gazetari dhe analisti i njohur Enver Robelli dhe ish ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Arben Çejku. Ora 21.00, RTSH 1

II- Nuk ka më vend në spitalet Covid,- jeta vijon normalisht!

Vetëm gjatë 10 ditëve të fundit janë infektuar dhe kanë ndërruar jetë më shumë njerëz se në pesë muajt e parë të pandamisë.
Spitalet covid 1/2/3/4 nuk kanë më vende për të pritur pacientë. Në radhë janë spitalet rajonale që me ritmin e tanishëm të infektimeve mund të mbushen me shpejtësi.
Situata është dramatike dhe mund të dalë jashtë kontrollit, nëse nuk veprohet me shpejtësi tani! Dalje jashtë kontrollit do të thotë që pacientët të mos kenë më mundësi të marrin trajtim në spitale!
Kur flasim për “dalje jashtë kontrollit” duhet pyetur kur ka qenë situata nën kontroll?
Mbërritja në këtë situatë nuk ka qenë stuhi e e pa paralajmëruar. Të gjitha shenjat kanë qenë të qarta për të gjithë si për qytetarët ashtu edhe për autoritetet.
Që nga muajt e verës masat në fuqi kanë mbetur më shumë në letër. As masat dhe as i ashtuquajturi shtrëngim i masave nuk po japin rezultat! Dhe kur flasim për masat është fjala për masat bazike: mbajtja e maskave dhe ruajtja e distancës
Mjafton një vështrim kudo dhe kurdo për të thënë se maskat mbahen formalisht dhe jeta në bare dhe kafene nuk ka asnjë ndryshim nga ajo e një viti më parë, kur coronavirusi nuk ishte ende i pranishëm.
Mbyllja e parë e plotë në pranverën e vitit të shkuar funksionoi. Më pas vendimmarrësit dhanë mesazhin se çfarëdo që të ndodhë nuk do të ketë mbyllje tjetër. Arsyeja e pa thënë: janë konsideratat politike, fushata elektorale që kemi në prag.
Çfarë na pret në ditët në vijim dhe çfarë mund të bëhet tani dhe cilat janë hapësirat për të ndalur më të keqen?
Sonte në #Përballë zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli. Ora 21.30, RTSH 1

III- Zgjedhjet shqiptare dhe interesat britanike!

Nëse përmend Britaninë e Madhe, mendja të shkon menjëherë te Mbretëresha, familja mbretërore, BBC, universitetet e famshme Kembrixh, Oksford, te Beatles, futbolli dhe pse jo te humori anglez.
Britania e Madhe është një nga pesë fuqitë e mëdha ekonomike të botës, një nga pesë vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me të drejtën e vetos dhe nga fuqitë e mëdha, është vendi që investon më shumë për ndihmën dhe zhvillimin ndërkombëtar.
Në nëntor të vitit ardhshëm do të kremtohet 100 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Britanisë Madhe. Në harkun e një shekulli është folur dhe shkruar, ndoshta jo aq sa duhet, për kontributin dhe mbështetjen që Britania e Madhe i dha Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore dhe në mbyllje të shekullit 20 për kontributin e Britanisë, si anëtare e NATO-s në luftën e Kosovës.
Po cilat janë sot interesat britanike në Shqipëri?
Pse ka rëndësi Shqipëria për Britaninë e Madhe?
Më 25 prill, shqiptarët do të votojnë për të zgjedhur qeverinë e re, me shpresën për të nxitur reformat dhe për t’u afruar më shumë me Bashkimin Europian. 5 vjet më parë në qershor të 2016 britanikët votuan për një ndryshim shumë më të madh, për daljen nga Bashkimi Europian. Cili është roli i Britanisë së Madhe në Shqipëri dhe Ballkan pas Brexit?
Sonte në #Përballë me Duncan Norman, ambasadori britanik në Tiranë. Ora 22.00, RTSH 1

Të ngjashme