Në mbrojtje të arsyes dhe Devollëve

Prishtinë | 07 Dhj 2019 | 17:03 | Nga Demush Shasha

Homologimi anash. Çfarë kemi kundër Devollëve?

Devollët janë biznes. Kanë një synim – rritjen e profitit. Të njëjtin e kemi secili prej nesh.

Albinin e kuptoj. Ai e ka shndërruar pabarazinë sociale dhe ekonomike në mjet politik për të arritur në pushtet. Në këtë luftë, Devollët janë simbol i pabarazisë sociale dhe mjet i shkëlqyeshëm politik për të artikuluar këtë pabarazi.

Nga një këndvështrim, Albini edhe e ka me të drejtë. Në Kosovë një grusht njerëzish kanë përfituar nga resurset e këtij vendi. Vendi me rritjen më të madhe ekonomike në rajon nuk ka arritur të përkthej këtë rritje në jetën e qytetarëve të rëndomtë.

Por Devollët nuk janë fajtorë për këtë. Ti fajësosh Devollët për këtë është të ngatërrosh shkakun me pasojën. Biznesi, apo Devollët, nuk e kanë shkaktuar pabarazinë. E kanë shkaktuar klasa e dështuar politike. Ata dështuan të udhëheqin këtë vend nga pavarësia, në një vend të pavarur në të cilin ia vlen të jetosh.

Kjo klasë politike, pas 20 viteve në pushtet, siguroj që izolimin e shtetit të krahasojmë me Korenë Veriore. I solli sëmundjet duke helmuar ajrin, dhe e parandaloj shërimin duke korruptuar mjekësinë. Krijoi sistemin arsimor i cili na dha çantat e rënda për të shkatërruar fizikun e fëmijëve, ndërsa analfabetizmin për të shkatërruar mendjen e tyre. Ndërtuan autostradat për të rrit importin, e për të zbrazur vendin.

Dua të jem i qartë. Nuk besoj se Devollët janë engjëj. Me gjasë edhe e kanë bërë ndonjë gabim gjatë rritjes së biznesit të tyre. Gjithashtu, besoj se armiku më i madh i tyre nuk guxon të jetë shteti, por tregu. Por natyrisht, sa herë që dalin jashtë rregullave të lojës, shteti duhet të jetë aty për ti sanksionuar. Por jo më shumë se kaq.

Nga ana tjetër, ajo çfarë mendoj është se është shumë e rrezikshme që të ndërtohen narracionet publike që ata janë shkaku dhe fajtori kryesor për gjendjen ekonomike në vend. Sepse thjesht, nuk janë. Njëjtë siç asnjë biznes nuk është rrezik, por mundësi.

Në fund, dua të ju zbuloj një sekret: Si me fitu çdo argument, pa marrë parasysh cila është tema.

Është fare lehtë. Vetëm shpjegoje, në qetësi por me bindje dhe pasion, që kundërshtari yt mbështet ide të Jugosllavisë, Rusisë apo Devollëve, and you are done. Suksesi është i garantuar. Ah po: mos harro me e cek që këto idetë janë të përgatitura në kuzhinat e Beogradit dhe Moskës. Është cherry on a top dhe plus e fiton edhe një duartrokitje.

Sidoqoftë, asnjëherë mos harro se sa herë të të duartrokasin, dhe të mbështet masa – me gjasë je në anën e gabuar të argumentit. Por s’ka lidhje, prapë fajin e kanë Devollët.

Të ngjashme