Në prag të asimilimit ekonomik dhe kombëtar

Prishtinë | 28 Kor 2019 | 11:44 | Nga Asdren Osaj

Lëvizja e popullatës nga një vend në një vend tjetër, përveç rasteve të konflikteve është rezultat i globalizimit dhe i mundësisë së zgjedhjes së një jete më të mirë. Globalizimi – proces ky i nisur në shekullin XIX dhe i shtresuar në sferat e ndryshme ekonomike dhe politike në kohët e sotme – është proces që ka dy anë të medaljes: anën e pozitive për vendet e zhvilluara, meqë lëvizja e fuqisë punëtore ndikon në forcimin e tyre ekonomik; anën negative për ekonomitë në zhvillim, siç mund të konsiderohet edhe vendi ynë, meqë lëvizja e popullatës paraqitet pengesë në zhvillim.

Largimi i qytetarëve nga Kosova po bëhet rutinë. Nga masa kjo pranohet si proces normal, pa i analizuar efektet e saj. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2018 Kosovën e kanë lëshuar 28 mijë e 164 qytetarë. Arsyet e largimit janë nga me të ndryshmet, por kjo nuk ka aq rëndësi sa ka efekti negativ i këtij largimi në ekonominë dhe në demografinë e vendit.

Nëse këtyre 28,164 qytetarëve që u larguan në vitin 2018, do t’ju krijohej mundësia që të punësohen këtu me një pagë mesatare (që sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës më 2018 ishte 470 euro!), me tatim direkt ata shtetit do t’ia jepnin 619 mijë e 608 euro në muaj, pa llogaritur këtu kontributet pensionale që do të shkonin në mbi një milionë e 323 mijë e 708 euro. Këtu duhet llogaritur edhe kontributi që ata japim për shtetin gjatë blerjeve. Për shembull, sikur secili prej tyre do të blinte vetëm njëherë në muaj në shumën prej 250 eurove, nga vjelja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar shteti do të fitonte 45 euro, e nëse këtë e llogarisim për numrin e sipërpërmendur të të larguarve, del që arka e shtetit humb rreth një milionë e 267 mijë euro në muaj apo 15.2 milionë euro në vit.

Humbjet në aspektin financiar nuk përfundojnë këtu. Ato reflektohen edhe tek sektorët e tjerë, që direkt ose indirekt prekin ekonomitë familjare të gjithsecilit prej nesh.

Është fakt se 28,164 qytetarët e larguar janë të moshës madhore. Nëse llogarisim se të paktën 50 për qind e tyre kanë pasur një veturë në Kosovë, llogaria del se me mungesën e tyre, vetëm nga e ashtuquajtura taksë ambientale Kosova humb hiq më pak se 140 mijë euro në vit, pa llogaritur këtu humbjet që kanë ndërmarrjet që ofrojnë këto shërbime.

Sado të dhimbshme të jenë këto humbje financiare, humbja në aspektin demografik nuk llogaritet me asnjë shumë. Sot shohim fshatra të tera pothuajse të zbrazura. Statistikat flasin se numri nxënësve të regjistruar në klasë të parë në vitin 2017/2018 ishte 27,406, ndërsa në vitin 2018/2019 25 mijë – 2,406 me pak se një vit më parë. Procesi i mbylljes së shkollave në zona të ndryshme është indikatori më i mirë i zbrazjes se vendit nga gjeneratat e reja dhe të mesme. Largimi i kësaj shtrese, veçmas të atyre me përgatitje akademike, do të reflektohet me mungesën e dinamikës dhe elitave intelektuale. Kjo do të reflektojë në stagnim e madje përkeqësim të gjendjes ekonomike dhe sociale.

Gjëja tjetër e trishtueshme është asimilimi që pason me inkuadrimin e qytetarëve tanë të larguar në jetën dhe kulturën e vendit të ri ku ata do të jetojnë. Teksa sot gjithsecili nga ne e takon një të ri të lindur e të rritur jashtë vendit, që me vështirësi e flet shqipen, nesër mund të takojmë një brez që mbase do të thotë: “Po, gjyshen dhe gjyshin më duket se i kam pasë shqiptarë të Kosovës”.

Është fakt se jetojmë në kohën e globalizimit, ku peshku i madh e ha peshkun e vogël. Është po ashtu fakt se ky është një proces që nuk ndalet. Por, ajo që mund të bëjmë është ta ulim numrin e të larguarve. Sa më shpejt dhe më mirë që i qasemi kësaj sfide, e ardhmja e jonë do të jetë më e sigurt. Në këtë aspekt, një përgjegjësi e madhe bie mbi rininë, kudo ku jeton, meqë e ka energjinë, intelektin dhe guximin që gjërat t’i shtyjë përpara. Këtë duhet ta bëjë sa më parë.

Të ngjashme