Nekropolitika e qeverisë Kurti që po e shkatërron Kosovën

Prishtinë | 13 Gus 2022 | 14:50 | Nga Kimete Berisha

Pse nekropolitikë?

Sepse e zhveshin njeriun nga të gjitha gëzimet e jetës, e zhveshin nga e ardhmja dhe nga pritja, dhe e bëjnë të duket “i vdekuri që ec”, pa pasur ku të shkojë.

Punën e filluan në varreza.

Aty i lidhnin nyjet e tyre kundër armikut, dhe flisnin për të kaluarën, ekzkluzivisht për të kaluarën, sepse i vdekuri ka vetëm të kaluar.

Mbaje në mend, kushdo: qoftë nana, qoftë baba, motra, vëllai, loçka e zemrës, kushdo që flet për të kaluarën, për vdekjen, për zbukurimin e kufomave, për sëmundjet, për bukurinë e gurit të ftohtë, për ëndrra me gjak, për funerale e për ditët e “bukura” që ishin dikur – atë person “Psikanaliza e dashurisë” e quan nekrofil.

Se fjalë për fjalë “nekrofili” do të thotë “dashuri për vdekjen”, kurse “biofili” do të thotë “dashuri për jetën”. Termi (sipas Frommit) zakonisht përdoret për të treguar një perversion seksual, por “kështu paraqet vetëm imazhin më të dukshëm të një orientimi, i cili mund të vihet re te shumë njerëz, pa interferenca seksuale”.

Pra, thjesht e urrejnë jetën dhe e dashurojnë vdekjen.

Askush këtu nuk flet për “dashurinë ndaj jetës”.
“Dashnorët e vdekjes” na kanë pushtuar.

Shqiptarët kanë kaluar nga ish robër në dekadentë, pa e përjetuar civilizimin (frymëzuar nga Oscar Wild).

Dashuri për jetën – biofili sheh veç në dasma.
Po edhe kjo biofili është dekadente.
Modesti? – Aspak.
Ekstravagancë? – përrallore!
Torte soliter.
Popull mysliman që për t’u dukur bukur – e redaktojnë pendën e Zotit dhe tjetërsohet me thikë kirurgjie.
Poza dhe reklama të shtrenjta të dashurisë.
Më shtrenjtë kushton dasma se dashuria!

Secila shqiptare shtiret si princeshë, dhe posa i lan sytë e sheh që e pret fshesa te dera e oborrit.

Jashtë. Jashtë nga vera e flaktë zihen në ujin e kanalizimit të prishur eshtrat e pastërmës që u flijua për dasmë, zihen jashtë kontenjerit dhe në kontenjerë – si në tenxheren e qytetit.

Gjithkah mbeturina dhe vdekje.
Kryetari i Prishtinës “Mbret i bërllogut”

Politika flet për të kaluarën;
Feja e mohon jetën dhe e lartëson vdekjen.
Feja që e ka krijuar “Zoti” ende frikësohet prej grave.
Grave nuk u zë besë.
Burrat frikësohen prej bukurisë së grave, të cilën bukuri e ka krijuar Zoti.
Burrat myslimanë gjakojnë ta kontrollojnë jetën e tjetrit, anipse jeta është e pakontrollueshme.

Drejtësia nuk e zbulon vrasësin.

Psikanaliza e merr shembull Servantesin, i cili si ish veteran (dy plagë në gjoks dhe gjymtim të plotë të dorës së majtë),
kurrë nuk përhapi “invaliditet”, siç bënë ish gjeneralët e tjerë që thërrisnin “rroftë vdekja”, poshtë “intelektualizmi”.

Me nekropolitikë, qeveria Kurti e ka shkatërruar Kosovën. Organikën e shndërron në inorganike; i trajton shqiptarët si të ishin sende e jo persona të gjallë.

Qysh e ka shkatërruar qeveria Kurti aq shpejt Kosovën, pa e përdorë forcën?

  • Shkatërrim nuk është vetëm vdekja, vdekja mund të jetë bekim (Sokrati),
    shkatërrim për së gjalli është kur:
  • Del një grua e pakrehur raciste, flet për krizën e rrymës (kriza vlen vetëm për shqiptarët) dhe të thotë:
    “Dimri do të jetë i zi. S’do të ketë rrymë, rryma do të shtrenjëtohet. S’keni me çfarë të ngroheni në dimër”.

Çka thotë gruaja e pakrehur kur flet për shqiptarët si për qymyr:
Të thotë Ik.

  • Del kryeministri paranojak dhe të thotë:
    “Do të ketë luftë. Rusia dhe Serbia do ta sulmojnë Kosovën. NATO – po- ekziston, ama, punët do t’i kemi shumë keq”.

Për sa kohë do të jemi në rrezik (nuk tregon).

  • Çka po thotë kryeministri paranojak?
    Thotë, Ik.
  • Del ministri i financave, një mërgimtar anti-UÇK i përbetuar dhe të thotë:
    “S’ka rritje pagash as pensionesh, ka rritje çmimesh”.

Çfarë na porosit ky mërgimtar anti-UÇK-ist!
Kemi mbaruar – thotë. U kthava nga kurbeti të bëhem ministër i juaji e të ju them: Ikni sa s’keni vdekur urie.

  • Del ministri i mbrojtjes pjek shtalba e pi birra nëpër katunde, në të njëjtën ditë kur bandat serbe i sulmojnë policët në Veri.

Cili është mesazhi i këtij mërgimtari: Ik. Se “serbët janë të rrezikshëm. Jam vetëm unë. Ne s’kemi ushtri”.

  • Del ministresha e punëve të jashtme, ia dhuron përvojën e punës në ministri vajzës së saj 15-të vjeçare, i jep praktikë falas për ta ikur nga Kosova.

Çfarë mesazhi jep kjo mërgimtare.

  • S’e sheh sa sahati! Këtu s’ka jetë. Vajza ime u kthye për të ikur nga fillimi, çfarë po pret ti!
  • Del ministresha duke u përtypur dhe flet për çmimet e derivateve që do të rriten pa u ndalur nga shteti.

Mesazhi i saj është: Ik sa të punojnë këmbët.

  • Del Presidentja, e kërcënon Putinin – ama i tutët Prindonit.
    Çfarë mesazhi jep Presidentja kur i turret Putinit!
    “no coment”.
  • Pastaj, dekadenca e shtetit më të varfër në Evropë, ia jep milionat një djali që e ndërton një kolibë mbi një ndërtesë dhe e quan “art”.
    Kiç – i paparë.

Askush nuk flet për shkencë, për letërsi, për zbulime të reja.
Askush nuk flet për ditët e mira që do të vijnë.

Kjo është ajo forcë e dhunshme indirekte që e ushtron mbi shqiptarët qeveria e Albin Kurtit.
Të ndjek nga Kosova, duke të zhveshur nga jeta,
të mbyt pa pasur nevojë të të vras, të përndjek si Rankoviqi, pa pasur nevojë të duket si Rankoviqi.

Pra: të dëshpëron, ta humb dëshirën për jetë, ta humb vullnetin, ta humb vetëbesimin, të varfëron, ta parashikon të ardhmën e rrët, në rastin më të mirë – të bind të largohesh nga Kosova për të kërkuar shpëtim.

Bota e përparuar debatojnë tema të mëdha, për të ardhmën dhe për shkencën, për ilaçin e trupit dhe të shpirtit, për shtatë palë qiej e për një yll 1700 herë më të madh se Dielli, kurse shqiptarët flasin për shamia.

Primitivizëm. Barbarizëm. Dekadencë.

Klerët myslimanë, predikojnë për vdekjen, janë të magjepsur për atë botën tjetër, ku nuk shkohet i gjallë;
flasin kundër pasurimit dhe lakmisë – por vozisin xhipa e mercedesa;
Mbajnë vajs kundër pallateve – po jetojnë në shtëpi luksoze;
flasin kundër grave kryeshtruara- por ato i pëlqejnë më së shumti; dhe qëllimi i tyre, tash po shihet që është ndryshimi i identitetit kulturor të shqiptarëve, arabizimi dhe sheriati.

Janë vonë. De- turqizimi dhe de- arabizimi i emrave shqip ka ndodhur.
Fëmijët shqiptarë as me nëna të vetat shqip më nuk flasin – flasin anglisht.
Për të ardhmën e shqiptarëve kanë vendosur filmat e vizatuar dhe lojërat në Iphone.
Kush e ka krijuar lojën e zotëron të ardhmën.

Jo, tema mbi vdekjen dhe mbi vuajtjen.
Forca e tyre është shkatërruese.

Shqiptarët e urrejnë izolimin, nuk e durojnë robërinë, i kanë bezdi varret, neveriten nga vdekja, në esencë janë biofilë, dhe ua shohin imamëve jetën superluksoze.
Që jetojnë si mbretër – predikojnë asketizëm.
Zotëron shtëpi me pishinë pranë detit, por fukarasë shqiptar imami i thotë “është gjynah të lahet gruaja në det”.

  • Me nekropolitikë (nga qeveria Kurti dhe nga imamët), po zbrazet Kosova.
    Ka mbetur vetëm Albin Kurti, imamët milionerë dhe populli që pret leje nga ambasadat evropiane për të ikur nga vdekja për së gjalli, nga mjerimi dhe nga varfëria.

Në fund, vjen pyetja: PO, pse vëllai – vëllait ia nxin jetën?
Është një përgjigje e dhimbshme për këtë farë pyetje:

  • Kush e vrau Abelin – Vëllai.
  • Kush e shiti Josephin (Jusufin) rob në Egjipt? – Vëllezërit, veç pse e xhelozonin se ishte më i bukuri i botëve.
  • Kush e xhelozoi Davidin? – Vëllezërit.
  • Kujt ia mori fronin Elizabeta – motrës.
  • Kush ia shkatërroi jetën Rifadijes? – motra, Miradija.
  • Kush ishte kundër kthimit të “djalit të penduar” në shtëpi – Vëllai!
  • Kush u vra për hise – vëllezërit.

P.S. Mos më lexoni mua, lexojeni “Psikanaliza e dashurisë” – Nekrofilia dhe biofilia te njeriu (Erich Fromm).

Të ngjashme