Nëse s’e thërret seancën, kryetarja e Kuvendit bën shkelje të rëndë kushtetuese

Prishtinë | 24 Mar 2020 | 13:13 | Nga Ariana Musliu-Shoshi

Qytetarë të dashur, shëndeti dhe mirëqenia juaj, rimëkëmbja ekonomike e shtetit tonë duhet të jenë prioritet në axhendën tonë si përfaqësues. Më vjen shumë keq për situatën në të cilën na ka sjell qeveria që ne si deputetë të mblidhemi dhe të diskutojmë për një çështje e cila ka të bëjë më së PAKU për atë që ju na keni BESUAR dhe VOTUAR.

Por, asnjë dispozitë kushtetuese dhe ligjore, e asnjë organ tjetër nuk mundet t’i mbivendoset vullnetit të deputetëve për t’u mbledhë për ta shqyrtuar dhe votuar Mocionin për Mosbesimin e Qeverisë.

Përndryshe, mos-caktimi i seancës e vendos Kryetaren e Kuvendit përballë shkeljes së rëndë kushtetuese. Arsyetimi i tyre për mosmbajtjen e seancës lidhet vetëm me shëndetin personal të tyre.

Kryetarja e Kuvendit znj. Vjosa Osmani dhe Kryesia e Kuvendit nuk mund ta ndalojnë procedimin e mocionit në fjalë. Znj. Osmani dhe Kryesia si organ e ushtrojnë vetëm funksionin administrativ të përcaktuar me Rregullore të Kuvendit. Pra, Kryesia e shqyrton dhe e përgatit rendin e ditës të seancës plenare të rregullt, ndërsa në lidhje me procedimet e tjera, duhet t’i përmbahet proceduralisht dhe përmbajtësisht Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.

Repubika e Kosovës është demokratike dhe parlamentare e bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe kontrollit e balancimit ndërmjet tyre.

(Autorja është deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së)

Të ngjashme