Nga dialogu teknik dhe politik Kosovë-Serbi tek një marrëveshje eventuale për njohje reciproke

Prishtinë | 26 Jan 2022 | 18:38 | Nga Arbnor Sadiku

Nga dialogu teknik dhe politik Kosovë-Serbi tek një marrëveshje eventuale për njohje reciproke Pamundësia e kalimit të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, i hartuar në vitin 2007 nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të OKBsë, Martti Ahtisaari, kishte detyruar Kosovën që të ndiqte një rrugëtim të vështirë drejt përmbylljes së procesit të shtet ndërtimit, atë të kërkimit të njohjeve individuale të shteteve të ndryshme. Në këtë drejtim, as Opinioni Këshillëdhënës i GJND-së në favor të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk kishte sjellë efektet e pritura.
Andaj, në vitin 2010, si rezultat i Rezolutës 64/29 të Asamblesë së Përgjithshme, Kosova dhe Serbia kanë filluar një proces të dialogut, i cili lehtësohet nga ana e Bashkimit Evropian.

Angazhimi i drejtpërdrejtë i BE-së në këtë proces, ndonëse i kundërshtuar nga studiues të ndryshëm mbi baza ligjore ndërkombëtare, paraqet një qasje të re dhe pragmatike të BE-së në bashkëpunimin me shtete të cilat nuk i njeh formalisht, apo me të cilat zbaton vetëm praktikën e njohjes bilaterale. Politika “angazhim pa njohje” është aplikuar kryesisht me synimin që anashkalohen aspekti sensitiv normativ dhe politik lidhur me njohjen apo mosnjohjen e shteteve. Fillimisht, ishin zhvilluar shtatë raunde diskutimesh mes dy vendeve, që kryesisht ndërlidhen me bashkëpunimin rajonal, lirinë e lëvizjes dhe sundimin e ligjit. Në kuadër të procesit teknik, që ishte zhvilluar deri në gjysmën e dytë të vitit 2012, Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje lidhur me lëvizjen e qytetarëve, vulat doganore, njohjen e diplomave universitare, regjistrave kadastral dhe atyre civilë, si dhe menaxhimin e integruar të kufijve.

Sidoqoftë, edhe sot e kësaj dite, ekzistojnë vështirësi të ndryshme, kryesisht
të karakterit politik, që kanë penguar zbatimin e disa prej marrëveshjeve të arritura.

Njohjet e shteteve kanë qenë pjesë e pandashme zhvillimeve në të drejtën
ndërkombëtare për më shumë se 250 vite. Që nga shfaqja e entiteteve territoriale në Evropë gjatë shekujve XVII dhe XVIII, shtetet filluan të njihnin ekzistencën e shteteve vtjera përmes krijimit të raporteve diplomatike me to.

Por, me rritjen së numrit të shteteve të formuara jashtë procesit të dekolonializimit, përkatësisht të formimit të shteteve si rezultat i parimit të vetëvendosjes, në shprehje ka ardhur edhe procesi i ç ‘njohjeve.

Para së gjithash duhet cekur se ky proces, përkundër efekteve të shumta negative në planin e brendshëm të shteteve pretenduese, ashtu edhe në politikën ndërkombëtare, nuk është i rregulluar formalisht nga asnjë instancë apo ligj ndërkombëtar. Në mungesë të një rregullimi, ç ‘njohjet janë duke u përdorur gjithnjë e më shumë nga shtetet për të minuar legjitimitetin dhe personalitetin juridik ndërkombëtar të shteteve të krijuara njëanshëm.

Edhe pse Organizata e Kombeve të Bashkuara juridikisht nuk e ka kompetencën e njohjes së shteteve, anëtarësimi i shteteve në këtë organizatë shihet gjerësisht si arritje e njohjes universale. Pranimi i shteteve në OKB, edhe nëse kundërshtohet nga shtete të caktuara, përveç anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, ka efekt automatik njohës dhe konkludues të procesit të shtet ndërtimit.

Meqenëse, Kosova nuk ka arritur të sigurojë njohje universale, përkatësisht nuk ka arritur të jetë anëtare me të drejta të plota e OKB-së, ajo është detyruar të zgjedhë njohjet individuale, si formë e arritjes së njohjes së konsoliduar ndërkombëtare.

Përveç zbatimit të kësaj strategjie, e cila është mjaft sfiduese dhe e vështirë sidomos për shtetet e sapokrijuara, Kosova është përballur edhe me një fushatë agresive të ç ‘njohjeve nga ana e Serbisë. Në kontekstin që po flasim lirisht mund të themi se kjo fushatë, e zhvilluar gjatë periudhës kur palët kanë qenë të angazhuara në një proces dialogues, i cili ka filluar qysh nga viti 2011 dhe po vazhdon edhe në vitin 2022 nën lehtësimin e BE-së, ka acaruar dhe tensionuar raportet mes dy vendeve. Fushata ka rezultuar edhe me stagnim të procesit integrues të Kosovës, duke vënë në pah nevojën që të gjitha përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes dy vendeve, të jenë të koncentruara drejt njohjes reciproke.

Përkundër qëndrimeve të shumë autorëve lidhur me ekzistencën e mundësisë së tërheqjes së njohjes de jure, fakti që disa shtete tashmë kanë ndryshuar qëndrim sa i përket njohjes së Kosovës, edhe pse nuk ka efekte të drejtpërdrejta juridike, ka ndikimin në procesin politik të konsolidimit të shtetësisë së Kosovës, sidomos sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. E në këtë drejtim, procesi i dialogut teknik me Serbinë, i pasuar edhe nga dialogu politik, e sidomos ajo që është quajtur “faza përfundimtare”, paralelisht me fushatën për de legjitimimin e Kosovës
në arenën ndërkombëtare përmes ç ‘njohjeve, është përdorur si argument nga Serbia, përkatësisht aleatët e saj, që të kërkohet pezullimi i vendimeve për njohjen e Kosovës deri në qartësimin përfundimtar të statusit të Kosovës.

Po ashtu, procesi i dialogut ka afektuar negativisht edhe marrjen e njohjeve të reja, meqenëse prej shumë shteteve, vendimi për njohjen e Kosovës është kushtëzuar me rezultatin përfundimtar të procesit dialogues mes Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, në këtë drejtim, është esenciale që Kosova të intensifikojë përpjekjet për arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, potencialisht për njohje reciproke, e cila do të hiqte dilemat tek pjesa dërrmuese e shteteve që nuk e njohin shtetin e Kosovës, mbi bazën e mungesës së pajtimit nga Serbia për shpalljen e pavarësisë.

Suksesi i pretenduar në arritjen e një marrëveshje të mundshme politike midis Kosovës dhe Serbisë do të mund të arrihej nëse për këtë ka vullnet politik të lidershipit politik të Kosovës dhe Serbisë, së dyti, do duhej krijohej një klimë e përshtatshme politike nga ana e BE-së dhe SHBA-së, për arritjen e një marrëveshje politike ndërkombëtare midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe së treti, palëve në konflikt të ju ofrohet ndonjë favor politik për arritjen e një marrëveshje politike sikurse hapja e kapitujve për anëtarësim në BE, për Serbinë, liberalizimin e vizave për Kosovën, etj.

Autor: Arbnor Sadiku.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme