Ngritja dhe rënia e fuqisë së butë

Prishtinë | 28 Gus 2018 | 10:05 | Nga Eric X.Li

Gati 3 dekada më parë, politilogu amerikan dhe ish-zyrtari i administratës së Klintonit, Zhozef Nie paraqiti një ide në faqet e “Foeign Policy”. Ai e quajti atë fuqi të butë, një koncept që zuri vend shumë shpejt, dhe vazhdoi të përcaktojë epokën e pas Luftës së Ftohtë.

Nie argumentoi se megjithëse Shtetet e Bashkuara, dukeshin relativisht më të dobëta sesa kishin qenë në fund të Luftës së Dytë Botërore, vendi kishte akoma një burim unik të fuqisë. Përtej përdorimit të fuqisë ushtarake “për të bërë gjëra, dhe për të kontrolluar të tjerët”, shpjegoi Nie më vonë, “për t’i detyruar tjerët të bëjnë atë që ndryshe nuk do ta bënin”, Shtetet e Bashkuara mund të shfrytëzonin fuqinë e saj të butë, për të çimentuar pozitën e saj udhëheqëse në botë.

Natyrisht, fuqia e ashpër ishte e lehtë për t’u matur. Mund të llogarisnim numrin e raketave, tankeve dhe trupave. Por cila ishte përmbajtja e fuqisë së butë të Amerikës? Nie e ndan atë në 3 kategori:kulturore, ideologjike dhe institucionale. Në këto zona, bota do të donte të ishte si Shtetet e Bashkuara. Dhe kjo tërheqje, nga ana tjetër, do të ndihmonte kombin të formësonte botën.

Në çerekshekullin që pasoi, koncepti i fuqinë e butë në çështjet botërore funksionoi brenda kontureve të gjera të parashikimeve të Nie. Pasi Shtetet e Bashkuara fituan Luftën e Ftohtë, liberalizmi amerikan pati një joshje të pashembullt në mbarë botën.

Të gjithë donin të votonin, të vishnin xhinse, dhe të gjithë donin të flisnin lirisht – aq shumë sa që teoricieni politik Frensis Fukujama shpiku frazën “fundi i historisë”, për të shprehur idenë se e gjithë bota ishte përqendruar tashmë vetëm tek një sistem politik, i zbatuar tashmë në Perëndim.

Në 3 dekadat midis viteve 1980-2010, numri i demokracive liberale (siç përcaktohet nga Freedom House), u rrit nga rreth 100 në afërsisht 150. Numri i ekonomive kapitaliste të tregut të lirë, bazuar në renditjen e Fondacionit Heritage u rrit nga 40 në afërsisht 100.

Kurrë më parë në historinë njerëzore, kaq shumë vende nuk kishin hequr dorë nga shumë sisteme të vjetra politike dhe ekonomike, për një sistem të ri. Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara udhëhoqën përpjekjen për të krijuar dhe zgjeruar institucionet ndërkombëtare që do të mbështesnin rendin e saj të ri, si Organizata Botërore e Tregtisë, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Ajo gjithashtu zgjeroi sistemin e aleancave. Edhe në Europë, BE luajti një rol të ngjashëm me atë të Shteteve të Bashkuara. Për një brez të tërë, bota u habit, pasi shumë vende hoqën vullnetarisht dorë nga pjesë gjithnjë e më të mëdha të sovranitetit të tyre, për t’iu nënshtruar një morie rregullash të përbashkëta, të bazuara tek të njëjtat vlera liberale.

Deri kohët e fundit, dukej sikur shekulli XXI-të do t’i përkiste Shteteve të Bashkuara. Por nuk do të ishte kështu. Ca gjëra shkuan keq. Më së pari, “produktet” nuk iu përshtatën realisht “konsumatorëve”. Nga demokracitë e “valës së tretë” të viteve 1970- 1980 në shtetet e Europës Lindore, që u përpoqën t’i bashkoheshin BE-së dhe NATO-s pas Luftës së Ftohtë, tek vendet që së fundmi u përballën me Pranverën Arabe, demokracia liberale ka përjetuar një periudhë të vështirë.

Për më tepër, në shumë raste, ajo solli rezultate tejet katastrofike për njerëzit e përfshirë. Një arsye është se revolucioni neoliberal ekonomik, që ishte pjesë e epokës së pushtetit të butë, i dobësoi shtetet në vend se t’i forconte ato. Tregu nuk ishte kurrë një forcë bashkimi – ideja se ai mund të qe një mekanizëm gjithëpërfshirës për të siguruar rritjen, qeverisjen e mirë dhe mirëqenien shoqërore, rezultoi një iluzion.

Sociologu gjerman. Volfgang Shtrek, paralajmëron se globalizimi i fuqisë së butë, është thjesht “tejkalimi i kapaciteteve të shoqërive kombëtare dhe organizatave ndërkombëtare, për të ndërtuar institucione efektive të qeverisjes ekonomike dhe politike”.  Nga ana tjetër, “rritja e borxhit, pabarazisë dhe rritja e paqëndrueshme ekonomike”, po çon në një krizë të qeverisjes politiko-ekonomike.

Deri më tani, revolta të tilla kanë sjellë shumica qeverisëse anti-liberale në Austri, Çeki, Hungari, Itali, Poloni dhe Shtetet e Bashkuara, dhe kjo është vetëm midis vendeve të zhvilluara. Së dyti, Shtetet e Bashkuara, dhe pas saj Europa, u bënë kaq të sigurta me fuqinë e fuqinë e tyre të butë, sa që u lodhën me konvertimin e pjesës tjetër të botës në sistemin e tyre.

Një politikë e tillë e zgjerimit, do të pasonte doktrinën e përmbajtjes së Luftës së Ftohtë. Në librin e tij të fundit, “A e ka humbur fuqinë Perëndimi?”, Kishore Mahbubani, një ish-diplomat nga Singapori, e quan këtë arroganca perëndimore. Në fakt, arroganca mund të jetë e vetmja fjalë e përshtatshme, për atë që ka ndodhur. Besimi tek fuqia e butë dhe legjitimiteti i saj, ishte aq i madh sa që fuqia e madhe e ashpër u vendos në emër të saj.

Lufta në Irak ishte shembulli më i shquar. Dhe ndërhyrja në Libi, me mbështetjen europiane, ishte më e fundit. Së treti, arroganca e fuqisë së butë, çoi në iluzionin se kjo fuqi mund të ekzistonte disi në vetvete. Por Nie nuk e përmendi kurrë këtë. Në realitet, fuqia e butë është dhe do jetë përherë një zgjatim i fuqisë së ashpër.

Imagjinoni sikur SHBA-ja të ishte e varfër dhe e dobëta, si shumë prej demokracive të reja anembanë botës, por të kishte ruajtur vlerat dhe institucionet e veta liberale. Pak vende të tjera, do të vazhdonin të dëshironin të ishin si ajo. Ideja se fuqia e butë ndoshta mund të ishte efektive në vetvete, mbështeti me gjasë besimin e gabuar se Iraku, do të bëhej automatikisht një demokraci liberale, pasi të rrëzohej Sadam Huseini.

Projekti europian, ndoshta edhe më shumë, është ndërtuar mbi një kuptim të rremë të fuqisë së butë. Për shumë dekada, Shtetet e Bashkuara garantuan sigurinë dhe mirëqenien e saj ekonomike, dhe ajo ishte e varur nga rendi ekonomik global i udhëhequr nga SHBA-ja.

Me Shtetet e Bashkuara tani më pak të interesuara për fuqinë e butë, dhe më të fokusuara tek fuqia e ashpër – Europa po përballet me sfida të vërteta.

Problemi i katërt, është se fuqia e butë është në fakt shumë e brishtë lehtësisht e konvertueshme.

Për disa dekada të mira, fuqia e butë, e përbërë nga interneti dhe mediat sociale, duke në të vërtetë e pandalshme. Mediat sociale qëndronin pas revolucioneve të shumta shumëngjyraëshe, që po përmbysnin qeveri dhe shpërbënin vende. Kur Perëndimi ishte i bindur për fuqinë e tij të butë, kishte besim se sa më e hapur, aq më e mirë është një shoqëri.

Por tani, thirrjet për censurë të faqeve të caktuara të internetit, dëgjohen në mënyrë rutinore në media dhe në parlamentet e ndryshme. Gjigantët e internetit, ndodhen nën një presion të jashtëzakonshëm politik dhe social, për të vetë-censuruar përmbajtjen e tyre. Dhe shumë prej tyre, duke përfshirë Facebook, YouTube dhe Apple, kanë nisur të bëjnë këtë.

Tani, fuqia e ashpër është e pranishme kudo. Shtetet e Bashkuara, janë pa dyshim lojtarja më e madhe në këtë lojë:kërcënimet ndaj Koresë së Veriut, luftërat tregtare ndaj të gjithëve, hedhja poshtë e OBT-së dhe përdorimi i ligjeve vendase për të ndëshkuar kompanitë e huaja, dhe për të bërë biznes me një vend të tretë.

Ndërkohë, Europa duket në pozita më të vështira. Ndërsa disa, përfshirë kancelaren gjermane Angela Merkel, bëjnë thirrje për rezistencë ndaj Trump, të tjerët, përfshirë edhe presidentin francez Emmanuel Macron, po kërkojnë paqe. Dhe sigurisht është edhe Rusia.

Duke përdorur fort përdorimin e fuqisë së saj të kufizuar, por ende të konsiderueshme, Moska arriti fitimin më të rëndësishëm territorial me dhunë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, duke marrë Krimenë nga Ukraina. Ndërkohë, veprimet e fuqishme të Moskës në Siri ndryshuan rrjedhën e luftës civile atje në favor të saj.

S’ka dyshim se epoka e fuqisë së butë, i ka hapur rrugën një epoke fuqisë së ashpër – dhe kjo është e rrezikshme. Për shekuj me radhë, politika e fuqisë së ashpër solli vuajtje të jashtëzakonshme njerëzore. Vetëm në shekullin XX-të, ajo çoi në dy luftëra botërore, dhe një luftë të gjatë të ftohtë, që kërcënoi të asgjësonte njerëzimin.

Në epokën e pas Luftës së Ftohtë, Perëndimi lidhi pushtetin e butë me liberalizmin, por ky bashkim nuk ishte kurrë i domosdoshëm. Në shekullin e ardhshëm, ajo që mund të sundojë, do të jetë fuqia e butë e çliruar nga ideologjia. / Foreign Policy/Bota.al

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme