Një gjeneratë briliante e studentëve të Mjekësisë, por…

Prishtinë | 06 Tet 2018 | 23:23 | Nga Gani Bajraktari

Në dy afatet e fundit, në provimin e Mjekësisë Interne për studentët e Mjekësisë së Përgjithshme, si kurrë më parë, nga 31 studentët që kisha përpara meje 13 prej tyre më “grabiten” notën maksimale 10!

Thjeshtë nuk kisha asnjë “rrugëdalje” nga ky notim, sepse ata dinin çdo gjë! Ata ishin tepër të përgatitur; ata vërtetë nuk e kishin mësuar provimin sa për ta kaluar, por kishin studiuar në thëllësi materien e një provimi kaq voluminoz me material mijëra faqesh, saqë bashkëbisedimi me ta me orë të tëra këto afate provimi më ka impresionuar! Nuk shquhem si “dorëlirë” për nota dhe ka ndodhë që për një vit të tërë të jap një ose 2 nota 10she! Por, kjo gjeneratë studentësh me la gojëhapur! Ata ishin brilant! Ata ishin dhe shumë të edukuar!
Më gëzuan shumë, saqë këtë gëzim nuk u përmbajta që ta shfaq edhe tek kolegët, familja, shoqëria! Askush nuk më gëzon më shumë se një student kur është i shkëlqyeshëm!

Por, gëzimin ma mundi dhimbja!

Ndjeva dhimbje për shumicën prej tyre, të cilët mendjen e kanë për të ikur jashtë! Ata do të marrin rrugë të panjohura për ta, do të mësojnë një gjuhë të tretë dhe atë në nivel të lartë akademik, do të janë të detyruar të mësojnë edhe dialektet e asaj gjuhe, se ndryshe nuk mund të kuptojnë pacientët e moshuar të shtetit ku do të punojnë! Ata do të rriten me mallin e atdheut, me mallin për shoqërinë, me mallin për të kontribuar për popullin e vet, për vendin e vet!

Sa me fat do të janë ata të moshuar gjermanë, francezë, anglezë që do të kanë shëndetin e tyre në duart e këtyre studentëve të shkëlqyshëm! Këta do të ikin sepse jo vetëm se po të qëndronin në Kosovë do ta kishin ekzistencën në pyetje, por edhe për faktin se shteti nuk ka asnjë plan për ta! Shteti ynë nuk di se në Vitin 2022 p.sh. sa mjekë do të punësojë e sa do të mbesnin pa punë (sikur këta studentët brilantë të 10sheve të rrinin këtu)! Për më tepër, në bashkëbisedimet me ta (pas mbarimit të provimeve) ata ndiheshin të pasigurtë të qëndrojnë në Kosovë, sepse ndiheshin edhe të pambrojtur në profesionin e tyre!

Mendova me vete se disa nga këta studentë të shkëlyeshëm do të rrijnë të jetojnë këtu (sepse nuk do ikin të gjithë)! Edhe për këta që do të mbesin këtu ndjeva dhimbje, madje edhe më shumë! Ndjeva dhimbje, sepse do të kanë një pagë të padinjitetshme, të pamjaftueshme për të kënaqur nevojat e fëmijëve të tyre! Ndjeva dhimbje, sepse askush nuk di se sa do të duhet të presin për të marrë një specializim! Ndjeva dhimbje sepse ata nuk do të kanë mundësi të mësojnë në klinika të udhëhequra nga profesorët (siç ka qenë gjithëmonë në Kosovë, dhe siç është sot në krejt botën, përveq në vendin e sui-generiseve të quajtur Kosovë)! Ndjeva dhimbje sepse do të mësojnë profesionin e specialistit në Klinika ku debati i mirëfilltë shkencor e profesional ka vite që ka vdekur, ndërsa hulumtimi shkencor jo vetëm që ka vdekur por është varrosur thellë dhe pamëshirshëm, ku auditimi i zbatimit të protokolove për trajtimin e sëmundjeve të caktuara nuk ekziston, ku spitali, klinika, shërbimi, çmohet nga fasada e saj, e jo nga kulaiteti i
shërbimit profesional e nga output-i shkencor.

Ndjeva dhimbje, sepse kjo gjeneratë e këtyre studentëve brilantë, të edukuar dhe tepër studiozë, jane jo më pak të pafat se gjeneratat tona që kaluam aq shumë rrugë më gjëmba e të mundimshme! Dhe, përderisa ne kishim një satisfaksion për vështirësitë nëpër të cilat kaluam (Serbinë), kjo gjeneratë e artë e studentëve të Mjekësisë e ka edhe më të vështirë përballjen me veten e tyre dhe vështirësitë e rrugën plot gjëmba, sepse Serbia më nuk është këtu!

Por, ne duhet të gjëjmë force, duhet ta mundim dhimbjen me forcë! Dështimi nuk është opsion!

“Failure is not an option” – Gene Kranz.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme