Një këshillë pa pagesë Kryeministrit për Demarkacionin, që na shpëton të gjithëve

Prishtinë | 05 Shk 2018 | 00:15 | Nga Sali Rexhaj

Kryeministër Ramush Haradinaj, sot po të drejtohem si këshilltar, pa pagesë rreth demarkacionit. Nuk është hera e parë po është hera e fundit që po të drejtohem për këtë punë.

E di se ke zëvendësa, ministra, zëvendësministra e këshilltarë më shumë se Trump, më shumë se edhe Kina, por po të drejtohem vetëm për një çështje të cilën e di më mirë se ti dhe se të gjithë këta që të rrethojnë.

Po kthehem pak mbrapa, aq sa mban mend shkenca e historia. Këta kufij na i vendosi Bizmarku, pra Kongresi i Berlinit në vitin 1878. I vendosi Evropa për ti mbrojt kufijtë e qytetarët e vet. Kufij më të padrejtë nuk e di se ka, për shqiptar e për mua personalisht se vijë nga ajo pjesë e trojeve ku na ndau kufiri për mes.
Stërgjyshi im Avdi Smajli u vra si bajraktar i Rugovës në mes të Beranit në vitin 1876, aty e ka edhe sot varrin. Komplet të paret e mi nga ana e nënës, Stanishtaj sot Muriq u vranë në Kanonin e Moraqës në luftë me malazezë e për kufi. Rexhë Avdia, babëgjyshi im i priu Rugovës nen Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, bashkë me Ali Pashen e Jakup Ferrin në luftën e Nokshiqit me 4.12.1879, ku u mposhtë ushtria e Mark Milanit. Pra çdo pëllëmbë e kësaj toke është e larë me djersë e gjakun e të parëve të mi e bashkëvendasve të mi.

Gjyshin tim Ali Rexhin e vranë ushtarët malazezë te Kulla e Milisterit në Pejë në vitin 1913 sepse nuk pranoi që ta heqë plisin e vendosë kapicën. Nga shqiptari të shndërrohet në malazez. Jo për të gjallë. Babai im 7 vjeçar ishte më të. Atë e morën dhe e mbajtën 6 vjet në një familje malazeze, pastaj e gjeti mixha i tij Bajrush Rexhi, pasi u kthye nga Shkodra ku patën ikë Rugova me gra e fëmijë.

Po sot kufijtë Kryeminister vendosen mbi kritere tjera, kjo u përcaktua nga komisioni i Badinterit në vitin 1992, i cili si kriter mori kadastrat, me të drejtë, sepse çdo kriter tjeter, etnik, historik… nuk do ti ndalte luftërat kurrë në Ballkan. Ballkani është shumë i vogël për të krijuar shtete të mëdha.

Unë kufijtë nuk i di me saktësi milimetrike, po e di 100% se kufiri i Kosovës, as ai i komunës së Pejës kurrë nuk ka qenë në Çakorr e në Kullë, po në mes te Kuqishtës e Bjelluhës, këtë ma ka thëne mua babai im kur isha i vogël, këtë ma ka thënë me dhjetëra herë policia malazeze dhe banorët lokal aty, si dhe barinjtë e Dukagjinit te cilët dilnin në bjeshkë në Bjelluhë e merrnin me qira stane e kullosa nga banorët e Malit të Zi e paguanin taksat në Plavë.

Unë kam kaluar nëpër ato rrugë me qindra herë se kam bashkëfamiljarë të shumtë, në Rozhajë motren, në Vuthaj e Guci dhe Plavë teze, halla, nipa e dajë.

Prandaj Kryeminister, çdo kush qe të ka thënë se kufiri është në Çakorr të ka rrejtë. Sidomos Ali Lajqi me shokë. Aliu ka qenë dy mandate kryetar i Pejës, ka nxjerrë plane zhvillimore e hapësinore, kurrë nuk ka figuruar në to kufiri ne Kullë e Çakorr. Kurrë nuk i ka shkelë këmba në Çafë te Çakorrit, aty në një kafe të cilat i vizitonte shpesh, natë e ditë sa ishte kryetar. Aq më shumë, asnjë komision nuk arriti të dëshmoj se Kosova, Peja ka humbë një milimetër tokë.

Aliu ka ndërruar parti si këmisha të trupit, ishte edhe te ti në AAK pasi e hodhi LDK në rrugë. Ju gjete mirë në ditë të vështira, po a të kujtohet kur e prisje Listën Serbe 4-5 orë me ardhë nga Beogradi, Aliu tani ishte në një parti tjetër e nuk ta jepte votën për kryeministër. Një rugovas, një burrë Rugove këtë punë nuk e bënë kurrë.

E di se e ke vështirë ta ndryshosh mendimin, të krijuar mbi rrenë e mashtrime, po kur e kërkon interesi i qytetarëve e shtetit, kur kërkohet kjo punë nga aleatet tanë në krye me SHBA, merre këtë vendim. Besomë nga kjo varet fati i Kosovës për një decenie, po edhe fati juaj politik përfundimisht.

Krejt ne fund. Të kujtohet shumë mire një natë vere në vitin 1998, ishte mesi i gushtit, kur vendose ti bashkosh forcat me Tahir Zemajn në Dukagjin. Brenda natës the po, të nesërmen the serish jo. Po bashkimi apo ndarja po ndodhte shumë vonë. Punët ishin nisë keq që në fillim, tani të bashkuar apo të ndarë pak kishte rëndësi, beteja ishte humbë. Për fat të keq lufta u fitua në fund.

Mali i Zi sot është në NATO, ushtaret malazezë po vijnë edhe në Kosovë për tu kujdes për mbrojtje të Kosovës nga sulmet eventuale nga Serbia e Rusia, dhe kundërshtarët e shtetit tonë. Si ish luftëtar i mirë, besoj se e kupton domethënien e lirohesh nga rrjeti i merimangës, në te cilin me apo pa vetëdije, ke rënë keq qe tri vjet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme