Një pjesë e historisë së Kosovës është vënë në bankën e zezë

Prishtinë | 08 Shk 2021 | 22:20 | Nga Milazim Krasniqi

Gjykata Speciale ka rrezik që mund ta ndryshojë narrativën për karakterin e luftës çlirimtare në Kosovë. Prandaj, do të duhej të gjendeshin fijet që mund të ekzistojnë, për aq sa ekzistojnë, që ajo luftë të lidhet me idealet e popullit për liri e pavarësi, në procesin e shpërbërjes së ish federatës jugosllave, me institucionet legale të viteve të nëntëdhjeta dhe me vlerat e Aleancës Veriatlantike, e cila e finalizoi çlirimin e Kosovës nga Serbia.

Po ashtu duhet të afirmohet narrativa që roli i NATO-s ka qenë vendimtar në luftën kundër Serbisë. Nëse UÇK-ja dhe lufta e saj ndërlidhen me idealet e të gjithë popullit, me institucionet legale të asaj kohe dhe nëse pranohet ndershmërisht se lufta në Kosovë realisht ka qenë e NATO-s kundër gjenocidit serb mbi popullin e pambrojtur të Kosovës, ajo mund të shpëtohet nga gjykimi në Hagë, po edhe në histori.

Në fakt, gjasat janë që ajo mund të shpëtohet nëse vendoset në një aso kornize të gjerë, ku dëshmorët, luftëtarët dhe viktimat e gjejnë rehabilitimin e vet dhe ku shoqëria e gjen paqen me veten. Vetëm një narrativë e tillë për luftën dhe lirinë do të mund ta pengonte ndryshimin e historisë, e cila mund të jetë më lehtë e ndryshueshme, nëse nuk është gjithëpërfshirëse dhe nëse nuk është e vendosur mbi fakte të qëndrueshme.

Nuk do të duhej të pritej goditja e Gjykatës Speciale që shoqëria jonë të fillonte të përmendej. Gjatë këtyre njëzet e një vjetëve në liri e dymbëdhjetë vjetëve në pavarësi, shoqëria jonë do të duhej të kishte gjetur përgjigjet e duhura, si për suksesin e arritur në çlirimin dhe pavarësimin e vendit, si për gabimet e bëra në të kaluarën e afërt.

Nëse do të zhvillohej ai debat, nëse do të kishte hapësirë për vlerësimin kritik të të gjitha ngjarjeve e të të gjithë aktorëve, nëse ato vlerësime do të miratoheshin në rezoluta adekuate nga Kuvendi i Kosovës, gjasat janë që si projekti çlirimtar, por edhe gjithë shoqëria jonë dhe shteti ynë i ri, do të ishin harmonizuar dhe rehabilituar në historinë e re.

Në atë rast edhe proceset gjyqësore për krimet e individëve a të grupeve do të adresoheshin në gjykata vendore, e jo në Hagë, ku nga sa shihet në pretencën e prokurorisë, një pjesë e historisë së Kosovës është vënë në bankën e zezë.

Të ngjashme