Nuk është problem mosrespektimi i ligjit, por mbrojtja e tij

Prishtinë | 08 Nën 2019 | 19:38 | Nga Jakup Krasniqi

Para shumë viteve, mbase edhe dekadave kam pas lexuar diku në letërsinë antike greke se qytetarët më të kulturuar i ka ai qytet (i Greqisë), qytetarët e të cilit dinë të reagojnë kur padrejtësia i/u bëhet tjetrit apo të tjerëve.

Kjo do të thotë se është qytetari kur reagimi bëhet ndaj padrejtësisë që i behet tjetrit, se të reagosh ndaj padrejtësisë që ushtrohet ndaj teje është e natyrshme se në fund të fundit njeriu i ka dy duar për të mbrojtur një kokë.

Nëse kemi parasysh ketë, në këto momente që po i kalojmë, natyrshëm na shtrohet pyetje: Ku jemi ne me ketë lloj të qytetarisë?

Janë dy zhvillime që ndodhen ditëve të fundit që ma risollën në kujtesë thënien e lexuar në vitet e studimeve në Universitetin e Kosovës. Zhvillimi i parë janë zgjedhjet e lira, ndërsa i dyti, ftesat e reja nga dhomat e Specializuara të Prokurorisë më seli në Hagë. Jam i bindur se në të dy rastet do të duhej të kishte një reagim qytetar, e sidomos do të duhej të kishte një reagim nga komunitetet e organizuara të shoqërisë sonë, si nga komuniteti i intelektualëve, i medieve dhe shoqëria civile. Përkundrazi, ka heshtje e në ndonjë rast ka kritika ndaj atyre që përpiqen t’i mbrojnë ligjet në fuqi nga shkeljet e rënda që u bëhet atyre?!

Gjatë gjithë viteve të lirisë e të pavarësisë, parti politike e individ më ngulm kanë bërë thirrje për sundim të ligjit, tani kur është momenti për të mbrojtur ligjin/ligjet dhe vlerën sublime kombëtare (luftën për Liri), kemi heshtje varri dhe jo vetëm tani. Në anën tjetër kur KQZ-ja ka shkelur Ligjin për zgjedhjet se bashku me Gjykatën Supreme duke ju dhënë ligjimitet votave të paligjshme, grupet e përmendura shoqërore në masë të madhe kanë heshtur ose ndonjë tehun e kritikës e kanë drejtuar ndaj atyre që kanë kërkuar e kërkojnë mbrojtjen e ligjit i cili në rastin e zgjedhjeve është shumë i qartë. Këtu nuk duhet të jetë e rëndësishme se kush po e kërkon respektimin e ligjit, por a është shkelur ligji dhe pse?

Në një situatë të tillë, mediet me kredibilitet e besueshmëri do të duhej t’i ftonin njohësit e ligjeve dhe ekspertët me përvojë që të jepnin mendimet e tyre profesionale e kredibile.

Kushdo që e lexon ligjin për zgjedhjet e ka të qartë se rregullat me të cilat ka filluar loja, janë ndryshuar në përfundim të saj! Kjo është e dukshme.

Reagimet në mbrojtje të ligjit/eve dhe vlerave duhet të bëhen me kohë! Përndryshe, reagimet si “kofini pas të vjelurave” si duhet askujt!

Të ngjashme