Nuk mund të ndryshohet e as rishkruhet historia e çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës

Prishtinë | 17 Shk 2022 | 01:17 | Nga Ismail Syla

(Një qasje Gëteane përmes Faustit)

Disa qarqe ende të gjalla të frymës jugosllave në Kosovë arrestimin e liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po e konsiderojnë si moment të fillimit të një narracioni të ri që konteston kontributin vendimtar dhe historik të tyre për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Ata duan ta shembin çdo shtyllë të kësaj ngrehine të pathyeshme. U përpoçën me libra që ta kontestojnë një pas një çdo përbërës të UÇK-së. Së pari, që ajo nuk ka qenë Ushtri. Që nuk ka qenë Çlirimtare. Që nuk ka qenë e Kosovës (Veton Surroi).

Këtyre ditëve dolën zëra (Albin Kurti) se Kosova është shpallur e pavarur më 10 shkurt 2007 kur u shënuan dy viktima në protestat e VV. Dhe aq më tepër që më 17 shkurt 2008 Kosova u shpall shtet i pavarur dhe demokratik nga njeriu ose personi jo i duhur (S. Z.).

Jo. Historia nuk shembet dhe as nuk përmbyset lehtë. As përmes pasioneve personale as përmes kalendarit të zgjedhjeve parlamentare. Ajo ka përjetësinë faktike, historike, të pandryshueshme, të përjetshme dhe faustiane.

Çlirimi i Kosovës në esencë e ka çelësin përtej zënafillës biblike, brenda qasjes faustiane sipas gjeniut gjerman të letrave Johan Woflgang von Goethe. Fausti e fitoi betejën me djallin, me Mefistofelin sepse moto të qëllimit të tij jetësor e bëri jo fjalën, jo forcën por VEPRIMIN. Në fillim ishte veprimi.

Fausti arriti që me idealin e veprimit në të mirë të njerëzimit të rris sipërfaqen e tokës, steresë në bregdet, duke ia marrë hapësirën detit. Kur mbretëria fiktive gjermane e kohës ishte para falimentimit dhe në anëkandin metaforik mund të shitej ose t’i dhurohej kishës, në atë pazar tragjik nuk mund të futej toka e re e Faustit.

Kjo tokë e re që fitoi aq shumë imunitet dhe moskontestim pronësor ishte rezultat i punës dhe mundit. Ishte thelbi i motos së shpirtit faustian se nderin dhe lirinë e meriton vetëm ai që për to (nderin, lirinë, vër. ime) shkon në luftë (që t’i arrijë, t’i fitojë) çdo ditë.

Fausti i palodhur nga veprimi dhe puna, vdiq në moshën 100 vjeçare në këmbë. Mefistofeli, e keqja, djalli, e humbi bastin dhe betejën me Faustin, sepse Fausti krijoi hapësirë të re, krijoi realitet të ri. I mori detit tokë, ose në ujin e detit ngriti tokë të re. Për këtë arsye Zoti nuk ia la në dorë shpirtin e Faustit djallit Mefistofel, sepse mbi botën e kënaqësive ngadhnjeu bota e idealeve krijuese.

Kosova e robëruar ishte tokë e humbur në det (nën Serbi). Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e para dhe e vetmja organizatë politiko ushtarake serioze e Kosovës, arrit që ta çlirojë Kosovën nga pushtimi serb. Ky çlirim ka aktorë: liderët e UÇK-së. Liria ka emër: Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Në historinë e përjetshme të kombit tonë liderët e UÇK-së që sot mbahen në burgun e Hagës i përkasin botës faustiane të Goethes. Emrat e tyre lidhen me veprimin konkret të çlirimit të Kosovës. Kjo memorie ëshhtë më e fuqishme dhe më e qëndrueshme se çdo pergamenë, çdo mermer dhe çdo granit.

Aktet madhore që ndodhin në historinë e kombit nuk janë kopshte personale ku për çdo vjet mbillen perime.

Historia Kosova nuk mund të rikthehet prapa dhe të ndërrohen aktorët.

Ka vetëm një Epope të Prekazit të 5 marsit 1998. Ka vetëm një Adem Jashar, një Hamëz Jashar…

Ka vetëm një 17 shkurt 2008 dhe vetëm një Hashim Thaç.

Prishtinë, 16 shkurt 2022, në vigjilje të 14 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë

Të ngjashme