Padrejtësia speciale, megjithatë Thaçi nuk e meriton të jetë në Hagë

Prishtinë | 10 Nën 2020 | 00:20 | Nga Nezir Kraki

Kam 5 vjet që e përsëris se drejtësia speciale nuk ekziston as si teori as si praktikë. Njejt mendoj për drejtësinë ndërkombëtare. As ajo nuk ekziston.

Mekanizmat e tillë nuk ndajnë drejtësi por bëjnë politikë.

Prandaj faktorizimi politik i Serbisë në njërën anë dhe dështimi politik i Kosovës në anën tjetër e ka sjellë si produkt paradoksal dhe kundërproduktiv Gjykatën speciale e cila në fakt është mjet shtrëngues politik. Me fjalë tjera, po ta kishte marrë Kosova një drejtim tjetër si shtet i së drejtës dhe si shoqëri shtetndërtuese, sidomos nga viti 2008 e tutje, kurrën e kurres përrallat viktimizuese të Serbisë s’ishin marrë seriozisht nga Evropa e bota.

Vazhdoj me bindjen se votimi i kësaj gjykate ishte gabim siç ishin gabim shumë veprime të liderëve të Kosovës këto vite. Sepse, pavarësisht kush janë sot politikisht ish luftëtarët dhe komandantët, kontributi i tyre në luftë dhe në përpjekjen tonë për çlirim duhet të çmohet e mbrohet. Ne që jemi rritë nen presionin serb e jugosllav e dimë që s’ka qenë aq e lehtë përballja politike e ushtarake me aparatin barbar te Millosheviqit. Prandaj edhe Hashim Thaqi edhe Kadri Veseli bashkë me të gjithë ata që n’ato kohë synonin lirinë, sot meritojnë mbështetje sepse n’ato kohë këta ishin Ne e ne ishim Këta. Kishim synim të njejtë, kush me armë e kush me laps.

Prandaj e thash në një intervistë javën që shkoi se aktakuzat për liderët e luftës dhe të politikës janë lajm i zi për Kosovën. Këta ndoshta janë fajtorë për të gjitha të zezat tona këto 20 vite dhe për rikthimin e Serbisë në skenë por NUK janë fajtorë për angazhimin e tyre për liri në kohën kur mbarë bota luftonte për lirinë tonë.

Është urgjencë kombëtare që Kosova të menaxhohet nga një politikë e bashkuar dhe legjitime e cila do të fillojë ciklin e forcimit dhe faktorizimit të shtetësisë së saj. Veç në këtë mënyrë ne mund t’i kundërvihemi agresivitetit dhe sabotimit serb si strategji sistemike antishqiptare.

Personalisht, nuk pres denime nga kjo gjykatë dhe as që uroj të ketë. Këto spektakle padrejtësie speciale do shfaqen disa muaj a disa vite si një formë ngushëllimi për Serbinë dhe shtrengimi për Kosovën.

Disave mund t’iu duket i papritur ky tekst por unë s’kam parti as interes para interesit te Kosovës dhe shqiptarëve.

Hashim Thaçi, edhe pse loboi vetë per këtë gjykatë, nuk meriton të jetë atje sot.

As Kadri Veseli, as Jakup Krasniqi, as Rexhep Selimi dhe asnjë trim i kohës kur synonim lirinë.

Populli i Kosovës ka nevojë për drejtësi, jo për gjykata.

Të ngjashme