PDK-së i duhet reformë urgjente dhe e thellë. Reformim ose reduktim

Prishtinë | 21 Mar 2021 | 19:08 | Nga Arben Fetoshi

Partisë Demokratike (PDK) i duhet reformë urgjente dhe e thellë. I duhet reflektim serioz për rënien e vazhdueshme që nga viti 2017.
Çdo analizë që tenton ta arsyetojë rezultatin me shkaqe apo fajtorë jashtë PDK-së, do të jetë vetëmashtrim me pasoja katastrofale në zgjedhjet e vjeshtës.

Reforma nuk është një përrallë e bukur për t’iu rrëfyer elektoratit, as vetëm koncept i ri në përputhje me kërkesat e reja për politikën.

Nuk mund të flitet për reformë duke i ruajtur strukturat e vjetra, duke u bunkerizuar në pozitat e kahershme dhe duke e komanduar votën e partisë për të përshtatshmit apo të fortit.
PDK-ja nuk është as LDK, as AAK e as Vetëvendosje, ajo ka specifikat e veta të zhvillimit dhe të degradimit.

Ndërkohë që lidershipi i PDK-së vazhdon të ngulmojë në vlerat e lëvizjes atdhetare dhe UÇK-së, ajo duket se e ka braktisur ndjeshëm substancën e vet. Sa shumë luftëtarë e familje të dëshmorëve nuk janë sot me PDK-në, sa shumë veprimtarë e të burgosur politikë janë sot në subjekte të tjera? Nëse kjo duhet të konstatohet si pasojë, të gjithë e dimë se nuk ka ndodhur në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Nëse PDK-ja nuk e mirëkupton pezmin e qytetarëve dhe mbi këtë bazë t’i nënshtrohet ndryshimeve që do të sillnin qasje të re në komunikimin me ta, atëherë refuzimi dhe mosbesimi i tyre veç sa do të rritet në zgjedhjet lokale.

Me gjithë fushatën e mirë, programin dhe listën mjaft cilësore, rezultati i 14 shkurtit reflekton edhe solidaritet me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin si lider i partisë, të cilët po mbahen në paraburgim nga Specialja.

Pra, rezultati mund të ishte edhe më i keq, e nëse nuk reagohet shpejt dhe me vendosmëri, pa inate e ‘luftë’ mes njëri tjetrit, rënia do të vazhdojë pashmangshëm duke e reduktuar në një tjetër parti lokale.

Të ngjashme