Për çdo luftë që të imponohet, përgjigja e duhur është urtia

Prishtinë | 01 Dhj 2018 | 18:15 | Nga Jakup Krasniqi

A po kuptohet e sa po kuptohet taksa 100% që Qeveria e Kosovës ua vendosi mallrave që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina?

Ndoshta, Qeveria është dashur të jetë më sqaruese dhe argumentuese pse erdhi deri te ky vendim. Nuk ka asnjë dyshim të vetëm, kanë ekzistuar 1001 arsyeje që Kosova ta vendosë një taksë të tillë. Gjithashtu nuk ka asnjë dyshim, taksa është politike e aspak ekonomike dhe ka ardhur pas shumë e shumë përpjekjeve serioze të palës shqiptare për të arritur normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, madje edhe pa asnjë kushtëzim. Shikuar në ketë rrafsh Kosova kishte një qëllim të mirë, por asnjë qëllim i mirë nuk mund të arrihet pa ekzistuar mirëkuptimi i dyanshëm.

Ajo që duhet thënë në mënyrë të qartë është, se taksa nuk është vendosur kundër asnjë njeriu të Kosovës, as ndaj pakicës serbe, madje as kundër bizneseve serbe, por është vendosur kundër politikës armiqësore serbe. Madje qytetarët serbë të Kosovës dhe bizneset serbe në Serbi, të gjitha ankesat që kanë duhet t’i drejtojnë kundër qeveritarëve serbë të Beogradit. Ata janë përgjegjësit kryesor të të gjitha raporteve serbe e shqiptare. Nëse ka dhe ka lumenj gjaku në mes serbëve e shqiptarëve, të gjitha përgjegjësit janë në Beograd dhe askund tjetër.

Ndoshta, ndërkombëtaret në përgjithësi e euro-perëndimoret në veçanti, e kanë edhe ndonjë “arsyeje” që mos t’i kuptojnë arsyet tona pse është vendosur taksa, por asnjë grupacion politik, ekonomik a shoqëria civile apo ndonjë komunitet tjetër në Kosovë, as që është dashur ta kenë ndonjë hezitim apo hamendësim për vendosjen e saj. Nëse ka ndonjë të tillë, nga këta të fundit, duhet të pyetën: Ku kanë jetuar në këto 50 vjetet e fundit apo mos kanë jetuar në ndonjë planet tjetër të Sistemit Diellor?!
Mbase shumëkush edhe mund të kuptohen, sidomos nostalgjiket, por njerëzit e politikës në përgjithësi e ata të politikës kombëtare (dikur) në veçanti është goxha vështirë që të kuptohen?! Epo, si të kuptohen?!

Shkurt, kushdo nga shqiptarët kudo që jetojnë ata, nëse nuk e dinë pse ka ardhur deri të taksa e 100%, ai apo ata nuk e dinë as kah kanë ardhur e as në ç’drejtim duhet shkuar! Ata duhet ta dinë se, as rruga e luftës dje dhe as taksa e re sot, nuk ishin zgjedhe të dëshirueshme, ishin çështje të domosdoshme – ishte urti skënderbeiane.

Gjenerata që nuk e dinë dhe nuk e dinë mirë drejtimin se kah duhet shkuar, le t’ua lëshojnë vendin atyre që dinë, duan e mund ta çojnë vendin në destinacionin e duhur.

Të ngjashme