Për kë të votojmë?

Prishtinë | 05 Tet 2019 | 12:26 | Nga Arben Fetoshi

Heshtja zgjedhore është afat reflektimi për ofertën më të mirë politike para se të votojmë. Zgjedhjet i fiton subjekti që ka bindur më shumë qytetarë për ta votuar atë. Pra, ai që i ka sinkronizuar më së miri ethos-in, pathos-in dhe logos-in, do të thoshte Aristoteli. Kush është ai, qytetarët, ose e kanë vendosur tashmë ose e vendosin sot.

Duke qenë pjesë e komunikimit politik por nga ana e medies dhe sidomos si profesor i komunikimit, s’do të ishte etike t’ju them kë ta votoni, por nga ana tjetër, më duket papërgjegjësi profesionale edhe heshtja ndaj procesit që përcakton se kush do t’na qeverisë. Prandaj, dilemën etike të paanshmërisë si gazetar po e zhvendos në kontekstin strategjik të proceseve aktuale për Kosovën.

  • Orientimi strategjik

Qytetarët duhet ta votojnë subjektin që u jep më së shumti siguri për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bashkimi Europian është jetik për perspektivën tonë, por jo edhe ‘siguresa’ e shtetësisë dhe sovranitetit. Pesë shtetet anëtare që s’na kanë njohur, kanë determinuar pozicionin neutral të BE-së për statusin e Kosovës, ndërsa shtatë vjet ndërmjetësimi nga Brukseli janë thjesht dështim dhe kohë e humbur. Dialogu me Serbinë do të jetë kryetema dhe kryesfida e qeverisë së re, të tjerat janë ose parakushte, ose kozmetikë elektorale.

  • Lufta kundër korrupsionit

Ne po mbahemi të izoluar për shkak të korrupsionit. Zhgënjimi qytetar dhe largimi i të rinjve nga vendi është pasojë e korrupsionit. Degradimi i institucioneve dhe i ndërmarrjeve publike shpërfaq të gjitha format e korrupsionit dhe krimit të organizuar, pa dallim sfondi partiak, përkatësie etnike dhe gjinore. Me një fjalë, ky është kanceri që po e vret Kosovën dhe është koha e fundit për ndërhyrje. Prandaj, të dielën qytetarët duhet të votojnë ‘kirurgun’ që ka arritur t’i bindë se është më i miri. Sepse, luftimi i krimit është parakusht. Të gjitha të tjerat para kësaj janë thjesht pallavra.

  • Ekipi më i mirë

Shteti është institucion i përhershëm, pushteti i përkohshëm. Ne ende s’kemi arritur ta sigurojmë shtetin, por e kemi provuar shpesh paqëndrueshmërinë e pushtetit. Politika s’është ring boksi ku fitohet me grushta, por është garë të cilën e fiton ekipi më i mirë. Shteti është sistem që mbahet vetëm me ‘hallka’ të forta dhe zhvillohet nga autoritete të dëshmuara. Kështu është në çdo lojë ekipore, por ku rëndësia vendimtare i takon trajnerit. Këtë na ka treguar përfaqësuesja ose kombëtarja jonë – si të doni – e futbollit. Pra, ekipi më i mirë është lista më e mirë e kandidatëve, prandaj është mirë që të dielën ta votojmë ‘trajnerin’ më të mirë për kryeministër.

Të ngjashme