Për një votë emancipuese

Prishtinë | 07 Qer 2017 | 15:23 | Nga

Zgjedhjet vlerësohen si një faktor kyç dhe si mekanizëm i fuqishëm dhe i vetëm i ruajtjes së vlerave të demokracisë. Si instrument i vënies së balancës ndërmjet subjekteve politike dhe pushtetit, zgjedhjet dhe modelet zgjedhore në sistemin demokratik vendosin pajtueshmërinë ndërmjet bartësit dhe ushtruesit pushtetit. Nëse konsultojmë Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, aty për votën jepet ky shpjegim:

E drejta e secilit për të shfaqur mendimin në kohën e zgjedhjeve ose kur vendoset një çështje bashkërisht në një organizatë politike, shtetërore a shoqërore; shprehja e mendimit a e vullnetit nga secili për të zgjedhur dikë në një organ etj. ose për të vendosur për një çështje; mendimi që shpreh dikush në raste të tilla dhe fleta a diçka tjetër që përdoret për këtë qëllim. Votë vendimore (deliberative). Votë këshillimore (konsultative). E drejta e votës. Me shumicë votash. Jap votën për dikë a për diçka e pranoj a e përkrah, e miratoj.
Votim. Votë e lirë (e fshehtë, e përgjithshme). Mekanizmi i votës. Vë (hedh) në votë. Ky nocion që shpjegon filozofinë e votës, më së shumti gjen shprehje në shoqëritë me demokraci të zhvilluar, ku secili qytetar më të drejtë vote gjithmonë sundon vullnetin e tij ekskluziv sa i përket votës, pavarësisht se cilit individ a partie politike i’a dedikon atë. Ajo votë gjithmonë mbetet ose konceptohet si deliberative, e pavarur, humane, emancipuese, autonome, dhe në instancë të fundit, edhe e paprekshme.

Ajo në vete përfshinë dhe mesazhin e filozofisë që përcjell, ajo ka për detyrë të “shpërblejë dhe të nderojë”, por në raste të veçanta “di dhe të të ndëshkojë pamëshirshëm dhe të të turpërojë dhe të të dëshpërojë keqas”. Shprehja e mendimit të lirë, gjegjësisht e votës, nuk duron arrogancë, nuk pëlqen makiavelizëm, qoftë të jetë individual a kolektiv, ajo nuk lejon që të jetë pjesë e keqqeverisjes, e korrupsionit, premtimeve fëmijërore dhe boshe të politikanëve.

Ajo në asnjë mënyrë nuk lejon, e nuk dëshiron të skandalizohet, të kontrabandohet e të keqpërdoret. Ajo nuk lejon çfarëdo qoftë ndërhyrjesh të brendshme dhe të jashtme, nuk lejon që pranë saj të ketë çfarëdo sekserësh, sejmenësh, e kumarxhinj politikë. Bota e qytetëruar këtë fazë e shfrytëzon për shpjegime të shumta deri në detaje të projekteve, flet për mënyrën si do realizohen ato, nëpër cilat faza do kalojë projekti, si dhe sa do ua lehtësojë jetën qytetarëve, atje ndiqen debate të shumta ndërmjet rivalëve politikë dhe ka konkurrencë idesh, projektesh dhe konceptesh. “Jemi turrur të bëjmë fushatë zgjedhore duke folur siç s’duhet dhe duke gënjyer siç s’merret me mend”, nënvizonte së fundmi akademiku Rexhep Qosja.

Dhe me të drejtë sipas tij: Dy janë viktimat më të mëdha në fushatën e sivjetme në Shqipëri. “Viktima e parë është gjuha. Duhet të dëgjohen gojëtarët e fushatave, kandidatët për prijës, për zëvendës të prijësve e për deputetë dhe do të dëgjojmë e do të shohim se sa vuajtjet po i sillen gjuhës: leksikut të saj, sintaksës së saj, gramatikës së saj, togfjalëshave e frazeologjizmave të saj, pasurisë, natyrshmërisë dhe bukurisë së saj në përgjithësi. Viktima e dytë e fushatës së sivjetme zgjedhore është e vërteta. Duhet t’i dëgjojmë disa nga gojëtarët e fushatave e do të mësojmë, të gëzuar, se sa shumë, se sa shpejt e se sa lehtë ata do t’i kthejnë në parajsë Shqipërinë.

Por, siç dihet e pritet, pjesa më e madhe e premtimeve të tyre parajsore do të mbeten të pasendërtuara dhe do të mbeten të pasendërtuara ose për shkak se janë shqiptuar si gënjeshtra të qëllimshme, ose për shkak se shqiptuesit e tyre nuk e dinë, nuk kanë ngritje sociologjike dhe politikologjike që do t’u bënte të mundshme të dinë se, si e thonë studiuesit e demokracisë, ekzistojnë përcaktues (determinues) sociopolitikë, kulturologjikë dhe historikë që përcaktojnë se çka mund të arrihet për një mandat deputeti, ministri, kryeministri, kryetari”. Më shkurt: Ata që dje na mbytën na ofrohen sot si shpëtimtarë.

Politikat e deritanishme të udhëherqura nga aktorët politikë shqiptarë përgjatë këtyre 27 vjetëve, u treguan si të dështuara dhe nuk kanë arritur të përmirësojnë statusin tonë ekonomik dhe social. Në këtë kontekst zgjidhja me e logjikshme duhet të jetë ndryshimi i aktorëve të deritanishëm të politikës dhe zëvendësimi i tyre me lider të rinj, të cilët do të mund t’u japin përgigjie problemeve me të cilat ballafaqohen shqiptarët dhe vetë Shqipëria si shtet. Bazuar në grup njohurish empirike nga e kaluara mund të themi që liderët e formësuar në komunizëm dhe sisteme autoritare gjithmonë kanë qenë të paaftë ta konceptojnë diskursin e ligjëruar nga liberalizmi dhe politikbërja në sistemet demokratike, kurse liderët që janë produkt i tranzicionit vuajnë nga problemi i të qenurit i korruptuar.

Edukimi moral dhe kapacitetet intelektuale janë komponentët esenciale për lidershqip të suksesshëm dhe dinjitoz. Të rinjtë e politikës në Shqipëri fatkeqësisht po sillen sikur të ishin formësuar në komunizëm. Praktikisht, lidershipit i ngarkohet detyra emancipuese, sepse në shoqëritë post-komuniste dhe me traditë pluralizmi dhe demokraci të dobët, elitat politike dhe lidershipi politik kanë në dispoziocion të gjitha mjetet e nevojshme për emancipimin politik të qytetarëve. Mirëpo, ajo që sot, po e karaketizon raportin politikbërës-qytatarë është degradimi, manipulimi dhe nënçmimi i qytetarit. Ky raport jokorrekt është rrjedhojë e një vetëdije dhe kulture politike e cila është formësuar larg vlerave liberale dhe demokratike. Me 25 qershor shqiptarët janë thirrur për të votuar.

Siç ata do të votojnë atë ditë, do të votojnë deputetët e Kuvendit të ri përgjatë katër viteve në vijim. Butonat e votimit që gjenden para depuetëve jo vetëm që dallojnë për nga ngjyra por edhe kanë kuptimin e tyre: Pro, Kundër, Abstenim. Këta kuptime të butonava të votimit nuk vlejnë për depupetët sejmenë. Sejmenët këta butona i mbulojnë enkas me mbishkrime të tyre: Partia, Qeveria, Shtëpia. Varësishtë prej nga vjenë urdhëri apo interesi sejmeni vetëm e shtyp butonin bile pa e lexuar fare ligjin për të cilin voton. Ndaj votuesit duhet të jenë të vetëdijshëm se, tre janë gjërat thelbësore për të arritur lumturinë në jetë: Të kesh diçka për të bërë, diçka për të dashur dhe diçka për të shpresuar.

(Autori: Azem Parllaku)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme