Përgjigjet për ekonominë nuk janë as të majta e as të djathta

Prishtinë | 16 Sht 2019 | 13:25 | Nga Berat Rukiqi

Jo shumë kohë, prej datës së shpërndarjes së Parlamentit, kam qenë pjesë e një takimi me disa kompani të huaja për investime në Kosovë.

Në kohën kur po diskutonim për përparësitë dhe mundësitë e investimeve në Kosovë, përnjëherë mbetem në terr (ishte kohë darke), pas një ndërprerje jo të shkurtë të energjisë elektrike.

Javën e kaluar isha në një vizitë të një mik i imi, në dy ndërmarrje në të cilat ka investuar në partneritet me ndërmarrje me renome ndërkombëtare, të cilët e kanë zgjedhur Kosovën, për arsye të kostove me të ulëta për prodhim dhe procesim.

Aty, mes tjerash, u njoftova me një fakt: 200 000 euro dëme vjetore nga ndërprerjet e ndryshme, apo mosfurnzimi i rregullt me energji elektrike.

Dy ditë me vonë i takova edhe pronarët e dy kompanive, të cilët nuk po arrijnë në asnjë mënyrë të nxisin të rinjtë, pavarësisht kushteve të jashtëzakonshme për punë, të punojnë në fabrikat e tyre.

Për më shumë, një pjesë e mirë e punëtorëve që i kanë, po synojnë ta shfrytëzojnë fushatën elektorale të partive, për të marr ndonjë premtim, nga ndonjë politikan lokal, për një vend pune në ndonjë nga institucionet ose kompanitë publike, pasi që nuk po ndihen mirë në familjet e tyre dhe në rrethet shoqërore, ku kanë shumë të afërm dhe miq që punojnë në institucionet dhe kompanitë publike dhe të cilët punojnë shumë më pak dhe paguhen shumë më mirë.

Brenda të njëjtave fabrika ka edhe shumë punëtorë tjerë që nuk pranojnë të punojnë me kontratë, pasi që automatikisht mund të humbin privilegjet nga statusi i veteranit, të cilin e kanë fituar në këmbim të votës.

Ka edhe dhjetëra raste tjera, që dëgjoj çdo ditë nga bizneset, gjatë punës time si Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës dhe kjo është vetëm njëra pjesë e shqetësimit tim, si përfaqësues i sektorit privat në Kosovë.

Pjesa kryesore e shqetësimit vjen tani, në kohën e fushatave zgjedhore. Dua ta them publikisht që asnjë debat nuk e dëgjoj në tërësi, por sekuencat dhe përmbledhjet të cilat mund të shihen ose mund të lexohen, me japin mjaft material për të kuptuar që politikanët, me përjashtime, janë të shkëputur nga realiteti ekonomik në vend.

Flasin për të majtën dhe të djathtën, por për të gjitha rastet që i përshkruajta, zgjidhja nuk është në të majtën e as në të djathtën. Zgjedhja është në vullnetin politik për reforma, e jo improvizime elektorale ose për efekt elektoral.

Flasin për të hyrat dhe shpenzimet publike, për një rrugë apo një rrugë tjetër, për një skemë sociale apo një tjetër, për intervenim në një ndërmarrje publike apo në një ndërmarrje tjetër publike, duke harruar që me këtë qasje, po e trashin problemin në ekonomi.

Shteti krijon kushte, por nuk ndërhyn në ekonomi. Shteti duhet të fokusohet të sigurojë rend dhe ligj, por jo të përdor mekanizmat e rendit dhe ligjit në dëm të biznesit. Intervenimi I shtetit, rritja e burokracisë janë ushqim për informalitet dhe korrupsion, e jo inkurajim i zhvillimit të bazuar në sektorin privat.

(Autori është drejtor i Odës Ekonomike të Kosovës)

Të ngjashme