Përse bërtas?

Prishtinë | 07 Kor 2019 | 08:36 | Nga Erion Kristo

Meqenëse ky triptik mori disa ngjyrime personale, do ta vijojmë personalen dhe në shkrimin përmbyllës të këtij miksi.

Rrjetet sociale kanë fituar qytetari, në kuptimin që njerëzit kalojnë shumë kohë reale aty dhe e marrin seriozisht gjithçka që thuhet e shahet aty. Vetë politika e ka marrë seriozisht, madje dhe qeverisja nuk matet me rezultate, por me lajka në fejsbuk. Edhe dy projektligjet që do miratohen tani së shpejti, edhe pse janë në kundërshtim me Kushtetutën, synojnë kufizimin e botës virtuale. Të shpresojmë që Gjykata e re Kushtetuese të mos jetë krejtësisht pronë private e “rilindësve”, përndryshe do turpërohemi dhe në botë me këto antiligje.

Por duke lënë mënjanë këto konsiderata fluturake, të kthehemi te sharjet e rrjeteve sociale. Disa herë kam dëgjuar për veten time: Po ky çfarë ka që bërtet? Me thënë të vërtetën, nuk është se bërtas, thjesht jam i apasionuar pas kauzave që kam ndarë në mendjen time. Por dhe nëse bërtas, përsëri besoj se është pak. Këtu është për të vënë kujën; këtu është: Bir Selman i nënës, kë të qaj më parë; këtu është katastrofë.

Por le të kthehemi te perceptimi i të ashtuquajturës “bërtitmë” e imja. Në përgjithësi, unë parapëlqej komunikimin e këndshëm, të ngrohtë, me humor, me pak piper, me ndonjë batutë, me thjeshtësi, me troçizëm. Po ndonjëherë më shfaqet damari në ballë. E si mund të mos ndodhë kjo, kur jeta jonë është e mbushur me padrejtësi? Kur gjithandej rreth nesh ndodhin ngjarje që nuk na lejojnë të përqendrohemi. Ne themi shpesh: Çudia më e madhe tri ditë zgjat. Kurse te ne, është: Çdo ditë nga një çudi (ndryshe nga latini që thoshte: Çdo ditë nga një vijë). Neve na vlon gjaku në vena, nuk jemi zvarranikë.

Publiku shqiptar nuk është një publik i edukuar apo i ditur, përkundrazi, është një publik i keqedukuar (e kanë mësuar të pëlqejë vetëm ata që ulërijnë nëpër studio televizive, që ulërijnë për partitë) dhe i paditur (shpesh ka akuza se ka shumë universitete, por ne jemi vendi i fundit në Evropë për njerëz me arsim të lartë për frymë popullsie). Publiku shqiptar është një publik që flet me fjalë të pista, që nuk e njeh fjalën e ëmbël, që ka harruar shqipen, mbi të gjitha. Në këtë vend është zhdukur fisnikëria e shpirtit dhe sundon dhiarizmi i ngritur në kult (nëse doni fakte për këtë, shikoni Instagramin). Por edhe pse i tillë, edhe pse jo evropian, populli përsëri meriton më të mirën dhe jo më të keqen. Populli meriton ta çojmë më lart e më larg, e jo ta mbysim me një pikë ujë, ta lëmë në vend, ose më keq se kaq, ta lëmë të imitojë gaforren.

Prandaj publiku meriton një gjuhë komunikimi të qartë, të qashtër, edukative etj. etj. Ne e mbajmë parasysh këtë, por duhet ta mbajnë parasysh dhe të tjerët që ngatërrojnë median me nevojtoren. Duke pështyrë nëpër eter, më shumë përhapen mikrobet.

Po vazhdimisht na duhet të kthehemi te bërtitma, duke lëmë mënjanë luhatjet tona. Dihet nga ekspertët e komunikimit se vetëm 5% e komunikimit janë fjalë, 35% ka të bëjë me intonacionin dhe 55% me gjestikulacionin (ka dhe elemente të tjera kontekstuale). Pra, vetë forca e fjalës është e cunguar në thelb dhe duhet që për t’i dhënë pak fuqi fjalës të përdoret intonacion, natyrisht jo ulërima, thjesht teatralitet. Mungesa e dashurisë njerëzore na bën të jemi kundër patetizmit. E gjen gjithandej këtë shprehje, a thua se patetizmi, që në thelb është emocionalitet, nuk vlen. Jeta vlen pikërisht për shkak të emocioneve.

Kë duhet të dëgjojmë ne: Shopenhauerin që thotë “Fol pa pasion”, apo shkencën moderne që thotë se njeriu është më shumë irracionalitet se sa arsye? Mund të gjendet një rrugë e mesme, ku këndshmëria të mbizotërojë.

Po përse bërtas unë, në vetë të parë? Çfarë kam unë që përzihem me gjëra që nuk më takojnë? Përse bëj “ish” kur nuk kam pula? Kur gjërat më shkojnë për mrekulli? Kur marr nga jeta dhe shoqëria atë që dua?

Unë në përgjithësi bërtas për atë që nuk bërtet dot, për atë që është ngjirur duke bërtitur, për atë që vuan, për atë që nëpërkëmbet, për atë që është harruar. Dhe shembuj të tillë këtu ka plot.

Unë bërtas për arsimin që po degradon gjithmonë e më shumë, për mosnjohjen e gjuhës shqipe së cilës unë i kam kushtuar një pjesë të jetës duke përkthyer, për faktin e tmerrshëm që vetëm për vitin 2019 janë 15 mijë nxënës që kanë përgatitur dokumente për të studiuar jashtë shtetit (fati i noterëve dhe përkthyesve). Duhet të ndalemi pak, fare pak te ky numër gjigantesk. Nëse më të mirët ikin, mbeten më të dobëtit. Dhe një pyetje: A e dini se sa shpenzojnë familjet shqiptare në vit vetëm për këtë brez (rreth 150 milionë euro, pa llogaritur kostot totale të të gjithë brezave). Nëse në arsimin tonë të lartë do të investohej një shifër e tillë, Shqipëria do të lulëzonte.

Unë bërtas për rrënimin kulturor, për shkatërrimin e vlerave, të trashëgimisë, për mungesën e profesionalizmit, për mungesën e kurajës intelektuale.

Unë bërtas për trotuaret, për rrugët, për gropat në rrugë, për faqet e maleve dhe kodrave të djegura, për lumenjtë e grabitur, për bregdetin e sfilitur, për mineralet e keqpërdorura, e plot gjëra të tilla. Për kinematë e munguara, për teatrot e pandërtuar, për stadiumet qesharake, për azilet imagjinare, e plot e plot të tjera.

Unë bërtas për cungimin e jetëve. Bërtas për burrin e Kavajës me bukë në dorë, e për dhjetëra shqiptarë të tjerë që e kanë humbur jetën kot, madje dhe kur “e kanë merituar”. Te ky element, duam të ndalemi pak fare: përse Policia e Shtetit bën hetime të thelluara pasi ndodh ngjarja? Çfarë bënte përpara se të ndodhte ngjarja? Ndoshta merrej me dekriptimin e videove të protestave të opozitës dhe arrestimin e kundërshtarëve të regjimit?

Unë bërtas për shitjen e medias, për konceptin e harruar të tenderit, për abuzimin në nivele gjiganteske, për PPP-izimin e jetës sonë në të gjitha dimensionet, për biletat e fluturimeve me avion (më të shtrenjtat në botë), për familjet e kriminelëve që sundojnë jetën tonë (dhe me të cilët njihemi rregullisht, çdo gjashtë muaj).

Unë bërtas për shoqërinë civile që është krejt me hile (në cilin vend të botës nuk do të organizohej me shpejtësi rrufeje një protestë në mbështetje të jetës dhe kundër krimit, nxitur nga ngjarja e Kavajës?). Unë bërtas për fëmijët, për gratë e dhunuara, për të rinjtë e pashpresë.

Është e kotë ta zgjasim me arsyet përse bërtas. Janë pa fund. Ndaj po e mbyllim këtë të bërtitmës, me shpresën se njerëz të rinj do të vijnë në këtë vend. Ata do të shtrojnë pyetjen: Konstatime të mira, por cilat janë zgjidhjet? E kemi shpjeguar saktë: Konstatimi i mirë është gjysma e zgjidhjes. Zgjidhja e plotë është reagimi: e bërtitura në kor, e bërtitura pa interes, e bërtitura sipas konceptit që thotë se ai njeri që nuk është i gatshëm të rrezikojë gjithçka që ka për një kauzë që mbron, kot sa e mbron atë kauzë.

Këtu mbyllet triptiku miks që vërtitej pak rreth vetes sonë. Ndonjëherë alkimia duhet të bëhet e dukshme, nëse duam që modelet të ndiqen. Gjithsesi shkrimet nuk janë pamflete politike.

Të ngjashme