Pikat e dobëta të Serbisë

Prishtinë | 17 Gus 2022 | 11:04 | Nga Milazim Krasniqi
  1. Borxhi publik i Serbisë është 32 miliardë dollarë. Kjo është një shumë marramendëse e borxhit, të një shteti që ka ekonomi të dobët. Sa për ilustrim po kthej në kujtesë faktin që borxhi i ish Jugosllavisë, në kohën kur ajo ra në krizën e borxheve, nga e cila pastaj pasoi edhe kriza politike dhe shpërbërja e përgjakshme, ka qenë 20 miliardë dollarë. Pra, ish Jugosllavia me të gjitha resurset që kishte me të gjashtë republikat dhe dy krahinat autonome, nuk e përballoi borxhin prej 2o miliardësh. Prandaj mund të thuhet se nga ky aspekt Serbia është shtet i falimentuar.
  2. Shërbimin në ushtri vitet e fundit e kanë braktisur 10.000 profesionistë. Kjo do të thotë se ushtria serbe ka pësuar edhe një goditje të fortë, pas goditjes që mori në vitin 1999, nga bombardimet e NATO-s. Është riarmatos me armë ruse, gjë që e bën edhe më të vështirë raportin e saj strategjik me NATO-n.
  3. Ekonomia e Serbisë ka hyrë një një lloj varësie nga ekonomia kineze. Edhe ndikimi i Rusisë me anën e gazit e naftës është evident, gjë që e rëndon edhe më shumë prospektin e ngrysët të ekonomisë serbe.
  4. Mediet në Serbi janë nën terrorin e regjimit, për ç’arsye imazhi i saj përditë e më shumë po errësohet. Tashmë edhe në sistemnin e Tëitterit Serbia është evidencuar si shtet që kontrollon mediet, gjë që e vë në pikëpyetje besimin në mediet serbe.
  5. Serbia është shtet, i cili zyrtarisht mbron kriminelët e luftës. Që nga Shesheli dhe dy anëtarët e partisë së tij, të cilët nuk i janë dorëzuar Tribunalit e deri te Radosavleviq Guri, urdhërdhënësi për vrasjen e vëllezerve Bytyqi, janë të mbrojtur nga shteti serb.
  6. Në një rangim të publikuar kohët e fundit lidhur me regjimet autokratike, regjimi i Serbisë është ranguar si regjimi i pestë autokratik në botë.
  7. Partia SNS e Vuçiqit, sipas shumë vlerësimeve brenda e jashtë Serbisë, tashmë më shumë llogaritet si organizatë kriminale, se sa një parti politike.
  8. Serbia është shtet me një rrethim të theksuar armiqësor. Marrëdhëniet e këqija të Serbisë me Bosnjen, me Kroacinë, me Malin e Zi dhe me Kosovën, janë barrë për ekonominë dhe shtetin serb, sepse harxhohen shumë para e shumë energji për të bërë presion mbi këto shtete.
  9. Serbia nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë, gjë që do ta ekspozojë ndaj presioneve të SHBA-së e BE-së gjithnjë e më shumë.
    Nga sa u pa, Serbia është shtet me ekonomi të dobët dhe jokonkuruese me ekonomitë në Bashkimin Evropian, shtet me borxhe të mëdha, shtet ku nuk ka liri të medieve e as demokraci, shtet ku udhëheq një organizatë kriminale dhe një lider që ka qenë bashkëpunëtor i Sheshelit dhe Millosheviqit. P.S. Këto fakte duhet t’i analizojnë politikëbërësit në Kosovë.

Të ngjashme