Populizmi: Hija e demokracisë

Prishtinë | 27 Gus 2018 | 13:36 | Nga Metju Guduin

Populizmi lind kur njerëzit duan më shumë nga politika. Njerëzit po dështojnë në thelb të kuptojnë se çfarë është populizmi. Qoftë në debatet rreth Donald Trump, Brexit apo populizmit kombëtar në Europë, një problem i zakonshëm është prirja për t’u përqëndruar gati ekskluzivisht mbi një periudhë të shkurtër; për të parë botën tonë politike nëpërmjet një lenteje tepër të ngushtë.

Rritja e “papritur”, e populizmit gjurmohet zakonisht tek ngjarjet e fundit. Populizmi u shkaktua nga kriza financiare e pas vitit 2008, dhe nga Recesioni i Madh. Ajo u shkaktua nga masat shtrënguese të ashpra që e pasuan. Nga kriza e refugjatëve e pas vitit 2014. Ajo u shkaktua edhe nga bumi i mediave sociale, si krijimi i Facebook në vitin 2004, apo Tëitterit në vitin 2006.

Ose, më së shpeshti, ishte nxitur nga një ngjarje specifike bmi një palë zgjedhje specifike, pavarësisht nëse këto ishin zbulime në lidhje me emailet e Hilari Klintonit, votuesit e të cilës Cambridge Analytica u shiti të dhënat, apo pjesëtarët e fushatës Brexit, që shpenzuan më shumë se sa duhet gjatë referendumit të 2016-ës.

Ndërkohë, ne të gjithë në Perëndim, e kemi humbur shikimin e një burimi më të thellë dhe përfundimisht më të rëndësishëm të forcës që qëndron pas populizmit:një tension thelbësor dhe i papajtueshëm mes modeleve të ndryshme të politikës, që ka karakterizuar shumë nga shoqëria perëndimore, që nga lindja e demokracisë së masave.

Tradita e populizmit shkon pas në kohë, përmes lëvizjeve si “Puzhadistët” francezë në vitet 1950, dhe Narodnikët rusë në shekullin XIX-të, tek “Populloret” në republikën e vonë Romake, të cilët kërkuan të tubojnë qytetarët kundër një oligarkie dominante (ndërkohë që zakonisht ndjekin interesat e tyre).

Ngjashëm, ju s’mund të filloni të kuptoni dot Trumpin, pa parë eksplorimin e paraardhësve të tij tepër të rëndësishëm në pemën familjare populiste, si Partia Popullore në vitet 1890, partia amerikane e “Nuk di asgjë” e viteve 1850, dhe figura me ndikim të hershëm si Endrju Xhekson.

Për të filluar të kuptojmë, se pse kjo forcë ka mbetur në këtë peizazh për kaq shumë kohë, mendoj se është e dobishme të merret në konsideratë vepra e Margaret Kanovan, një nga mendimtaret e mia të preferuar mbi populizmin, që është ndarë nga jeta kohët e fundit.

Kanovan, që u ndikua shumë nga Majkëll Ouksholt, argumenton se në kundërshtim me pjesën më të madhe të debatit publik rreth populizmit sot, kjo lëvizje nuk është një shmangie apo ndonjë specie e huaj. Përkundrazi, ai është i lidhur ngushtë me praktikën e demokracisë.

Për aq kohë sa kemi demokraci, do të kemi edhe populizëm. Dhe kjo për shkak se lëvizjet si Brexit, Trump, Pesë Yjet në Itali apo Demokratët Suedezë, nuk marrin forcë vetëm nga gjërat që ndodhin sot, por nga një konflikt më i thellë ndërmjet dy llojeve të ndryshme ideale, tendencave ose stileve të politikës që kanë kaluar nëpër Perëndim (dhe veçanërisht Europë) ndër shekuj.

Këto janë në fund të fundit, dy mënyra shumë të ndryshme për të parë botën rreth nesh. Nga njëra anë është “politika si besim”, nga ana tjetër “politika si skepticizëm”.

Populizmi është tek e fundit i rrënjosur në politikën e besimit, bazuar në konceptin se qeniet njerëzore – përmes politikës – mund të arrijnë përsosmërinë, shpëtimin ose utopinë këtu në Tokë.

Arena politike nuk është një forum, në të cilin ne thjesht debatojmë politika apo manifeste; ajo është gjithashtu një mjet përmes të cilit njerëzit mund të arrijnë shpëtimin e tyre – shpëtimin e bashkësisë së tyre, kombit dhe grupit të tyre.

Politika si besim, është kësisoj shumë emocionale, kërkon një bindje të plotë dhe synon të frymëzojë entuziazmin masiv, dashurinë, dhe besnikërinë fisnore. Megjithëse populizmi është portretizuar në mënyrë rutinore si një forcë reaktive, dhe që është vetëm kundër, politika si besim apelon tek një autoritet i njohur, pra njerëzit, dhe pretendon të flasë në emër të tyre.

Kjo është arsyeja se përse Kanovan e përshkroi politikën e besimit, ai ajo që shfaq “aromën ringjallëse të një lëvizjeje, të nxitur nga entuziazmi, që tërheq njerëzit normalisht jo politikë në arenën politike”.

Në fakt, populistët e sotëm, si Alternativa për Gjermaninë, Brexit dhe Trump, kanë bërë pikërisht këtë, duke marrë vota nga njerëz që më parë kishin hequr dorë nga politika, por që tani shohin një mundësi për të rihyrë në arenën politike, me qëllim arritjen e shpëtimit të grupit dhe kombit të tyre.

Politika e besimit, pohon se një pushtet shumë më i madh demokratik duhet t’u jepet njerëzve dhe se vetëm njerëzve, të cilët po ndjekin shpëtimin e tyre përmes sistemit, mund t’u besohet ky pushtet. Kjo është arsyeja pse disa e shohin populizmin si shumë problematik, dhe kjo na sjell tek “politika si skepticizëm”, e cila është një kundërbalancë e llojit të populizmit.

Politika si skepticizëm, është një mënyrë krejtësisht e ndryshme për të parë sferën politike. Në kontrast të thellë me “aromën e ringjalljes” që e karakterizon politikën si besim, politika si skepticizëm është shumë më e fokusuar mbi ndryshimet rrënjësore sesa ato radikale. Bëhet fjalë për formalitetin e qeverisë, procedurat, rregullat, teknikat, vetëkontrollin dhe moderimin, gjë që e bën praktike, por në mënyrë të pashmangshme të thatë dhe të mërzitshme.

Ajo është skeptike jo vetëm për vizionet madh ideologjike, por edhe për çdo përqendrim të pushtetit dhe gjithashtu përfshirjen e masave në çështje komplekse, megjithëse ky skepticizëm mund të degradojë shpejt në një përbuzje të hapur. Populizmi në fund të fundit është i rrënjosur në politikën e besimit, bazuar në nocionin se qeniet njerëzore – përmes politikës – mund të arrijnë përsosmërinë, shpëtimin ose utopinë këtu në tokë

Thelbi për këto modele konkurruese është se ato janë të pandashme, dhe kanë nevojë për njëra-tjetrën. Pa politikën si skepticizëm, kërkuesit e shpëtimit rrezikojnë të heqin kontrollet dhe balancat në një shtet, dhe të shndërrohen në autoritarë. Por pa kërkuesit e shpëtimit, skeptikët rrezikojnë të dominohen nga apatia politike; duke u bërë shumë të gatshëm për të pranuar statuskuonë, shumë të ngadaltë për të ndjekur ndryshimet apo reformat.

Në fakt, politika si besim, lind zakonisht kur politika si skepticizëm nuk reagon ndaj shqetësimeve specifike ose grupeve specifike. Nuk është për t’u habitur që në Britani rritja e partisë populiste të Pavarësia e Mbretërisë së Bashkuar, liderit radikal të krahut të majtë, Xheremi Korbin dhe pastaj Brexit, u shfaqën nën hijen e 13 viteve të sundimit nga Laburistëve të Rinj, një shembull i menaxhimit që shpesh nuk reagonte ndaj çështjeve të identitetit dhe shpërfillte opinionin publik.

Mbështetësit britanikë të qëndrimit në BE, demokratët dhe socialdemokratët në Europë janë zotëruesit e politikës si skepticizëm. Por ata janë tepër të këqij në ndërtimin e urave me ata votues që janë më të prirur drejt shpëtimit, shpërblimit dhe besimit.

Ata i fshehin emocionet nga fushatat e tyre, si dhe u fshihen debateve që përqendrohen tek komuniteti, përkatësia dhe identiteti, gjë që është pikërisht ajo që këta të fundit dëshirojnë të shohin. Teknokratët e distancuar dhe moderatorët e vetëshpallur, rrinë në njërën anë, dhe kërkuesit e pasionuar të shpëtimit nga ana tjetër.

Ajo që është më e rëndësishme, se ajo që shfaqet për të përfaqësuar të dyja palët, është fakti se ky tension, i ngulitur në strukturën e jetës tonë politike, do të jetë gjithmonë atje. Kjo është arsyeja se përse Kanovan argumentonte – dhe unë mendoj se ajo kishte të drejtë – se populizmi nuk mund të rritet kurrë jashtë vendit, se një lëvizje që i bën një apel të fortë atyre që janë lënë pas dore, nuk mund të mbetet kurrë pas. Populizmi, në mendjen e tij, ishte hija e demokracisë dhe do të mbetet kështu edhe për të ardhmen e parashikueshme. Spiked Review/Bota.al

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme