Populizmi: Të flasësh me zemrën e turmave!

Prishtinë | 10 Sht 2017 | 18:15 | Nga Halil Matoshi

Populizmi nuk e ka zgjidhë asnjë problem të popujve e shteteve, porse shumë sosh i ka shpënë në luftë dhe shkatërrim.
Me u dhânë mbështetje shqetësimeve emotive të njerëzve të zakonshëm, kjo domethânë ta shpiesh shtetin në qorrsokak, duke legjitimue paligjësinë dhe duke e suspendu Kushtetutën.
Duke qenë se konstituimi shpirtnor i shoqnisë kosovare âsht bâ nën postulatet e Kanunit të Maleve, në oda dhe nën diktatin e betë e pleqve të fiseve, âsht e qartë se popullizmi identifikohet me folklorin ma në fund.

Idetë dhe aktivitetet politike nga e djathta ose e majta, e që kanë për qëllim me marrë mbështetjen e njerëzve të rëndomtë, në teori quhen popullizëm.
T’u mëshosh fort retorikave etnonacionaliste, askush s’pyet për rezultatin final, porse të gjithë ekzaltohen – gjatë evokimit për dëshirat e tyne të ndrydhuna – duke u dhânë turmave atë që duen, përafërsisht ky âsht populizmi.

Populizmi âsht të folunit me shpirtin e turmave, porse në aspektin kushtetues âsht i rrezikshëm – prandej burrat dhe gratë e shtetit duhet me ia mbajtë anën mbrojtjes së kushtetutshmënisë dhe jo të njajtësohen me turmat, me trunin në muskuj!

Në kontekstin kosovar, populizmi përthith të gjitha energjitë kombëtare, duke i dhânë vendit vetëm mjerim.
Shoqnia kosovare po dëshmohet e paaftë me u përballë me veten prandej ka marrë arratinë tuj ra gjithnji e ma dendun viktimë e politikave paranojake, izolacioniste dhe vetshkatërruese të atyne që në emen të mbrojtjes së Kosovës po përpiqen me e poshtnue!

Etnonacionalizmi turbofolklorik që ka shpërthy ditëve të fundit në media, në rrjetet sociale dhe ç’asht ma e liga, në Kuvendin e Kosovës, duke i kercënu verbalisht qytetarët kosovarë të etnisë serbe si dhe duke i nderliëhe me Beogradin politik, gratë dhe burrat e Kosovës që sot, nën drejtimin e Ramush Haradinajt, i janë vu në shërbim atdheut, po i qet nam t’zi Republikës!
Po luftohet Republika nga një tufë kinsepolitikanësh ekstremista në emën të mbrojtjes së saj, e që janë në thelb kundërshtarët ma t’mdhaj e t’bâme bé të Republikës!

Fundja, nacionalizmi âsht paranojë, kolektive dhe individuale (D.Kis) dhe si i tillë s’â gjâ tjeter pos kiç!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme