Premisat e vetizolimit diplomatik të Kosovës

Prishtinë | 21 Shk 2022 | 16:18 | Nga Bardhyl Meta

Premisat për këtë izolim të paparë diplomatik të “elitës së sotme politike kosovare” që u shpërfaq brutalisht në Konferencën e Munchenit, janë ndërtuar në vitet 2015-16, vitet që mbahen mend për skenat e përdala të hedhjes së dhjetëra e dhjetëra herë të gazit lotsjellës në Parlamentin e Kosovës; hedhjes së molotovit gjithandej në qytet e drejt policisë; vandalizmit në demonstrata brenda e jashtë institucioneve; atakut terrorist me zollë të Parlamentit të Kosovës së Pavarur etj etj.

Por ky vandalizëm, s’është thelbi e shkaktar i izolimit.

Premisat, apo mendësia politike u ndërtuan atëherë.

Atëherë, rreth çështjes së Demarkacionit me Malin e Zi, dhe rreth Asociacionit u ndërtua mendësia se “Bashkësia Ndërkombëtare”, pra “SHBA-ja dhe BE-ja (Gjermani, Anglia e Franca etj) po e detyrojnë Kosovën t’i dhurojë territor të vetin Malit të Zi, kurse Serbisë t’ia japë Trepçën dhe “Zajednicën” e ta krijojë në Kosovë një “Republika Srpska”.

2015 -2016, Joe Biden, John Kerry, disa herë në Kosovë!

Erdhën atëbotë, disa herë, figurat më të larta të SHBA-ve, si presidenti aktual Biden (atëherë zv.president), sekretari Shtetit, John Kerry; Departamenti Shtetit dërgoi ekspertë dhe dokumente se asnjë milimetër tokë s’po i jepej Malit te Zi; njëjte bënë edhe Mbretëria Bashkuar dhe Gjermania.

Por pa asnjë ndikim!

Dehumanizimi i armiqve te brendshëm dhe te Jashtëm!?

U dehumanizua çdo kush brenda vendit që mendonte ndrysh, aq sa bëheshin atak terrorizmi ditën për diell edhe ndaj Kryeministrit të vendit, u dehumanizuan dhe targetuan edhe vet SHBA-të dhe BE: “Ata po donë me na e shkatërrue Kosovën, në dëm të Serbisë dhe Malit të Zi”.

Kosova, si rezultat i kësaj klime politike, apo me drejtë mendësie politike – humbi Liberalizimin e vizave – shkaku i demarkacionit që u demonizua nga opozita ekstreme si dhe një dorë deputetësh të pozitës nga radhët e LDK dhe PDK, që edhe sot janë shumë të votuar në Parlamentin Kosovar e gjetiu!

“Mendësia e re”, krijoi klimën dhe u shpërblye Opozita e atëhershme VV dhe AAK, liderët e tyre, Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Ramush Haradinaj.

Pas atij viti, u shpërblyen rradhazi:

– Fill pas vetëshkarkimit të Qeverisë Isa Mustafa, ishte Ramush Haradinaj ai që u bë Kryeministër i vendit, i cili natyrisht, mbi premisat e ndërtuara se «ma mori në qafë «Bashkësia Ndërkombëtare – SHBA-të dhe BE» si dhe «Elita jonë Politike nënshtruese ndaj SHBA-ve dhe BE-së» dhe si qasje e re, vuri Taksën 100% përkundër të gjitha sugjerimeve ndërkombëtare e të Partnerëve, se e njëjta po shndërrohej në «Levë në duar të Serbisë» që të akuzojë Kosovën si sabotuese të Dialogut!

– Pastaj vjen kjo që kemi sot, mbi premisat e njëjta, pra se «SHBA-të dhe BE, si dhe Elitat politike të nënshtruara e shantazhuara kanë tradhtuar interesat Kombëtare etj, etj» – dhe si rezultat erdhën ne pushtet Albin Kurti dhe Vjosa Osmani me Motot adekuate: Dialogu është prioriteti 7-të; Reciprocitet politik, ekonomik e diplomatik; Ne jemi Sovranistë; Qeveria Hoti në Washington ka nënshkruar një Marrëveshje qe e fal Ujmanin etj, etj!

A ka pasur nevojë për ndryshim pushteti?

Po, pa asnjë dyshim! Pa asnjë dyshim!

– Por, jo mbi këto premise që u thanë më lartë, mbi paranoja e akuza populiste që rrezikojnë çdo bashkëpunim serioz ndërkombëtare, akuza te tipit “se bota na morri në qafë”. Se “SHBA-të dhe BE” janë në anën e Serbisë e broçkulla të tilla fëmijësh si “Zajednica”, “Filan Kodra e filan Mali i shkuan Malit të ZI, se kështu po done SHBA-të” etj!

Vjosa Osmani po e thotë sot atë të Rugovës, se “shtëpia s’mbahet pa miq”, por duhet t’a dije edhe se “Miqësitë s’mbahen e mire mbahen me akuza, shpifje e ndër’s’kamëza!

Të mos kesh rastin të takosh asnjë nga Liderët e SHBA-ve pjesëmarrës në një konferencë 3 ditore në Munchen, qoftë as për një foto, dhe as të takosh figurat kryesore të Shteteve Europiane, është gjithçka tjetër, por, assesi rastësi!?

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme