Premtimet qesharake e kundërthënëse të Programit të Albin Kurtit si kryeministër

Prishtinë | 09 Shk 2020 | 14:11 | Nga Ekonomia Online

Ky program i deklaruar qeverisës duket qartazi që është i mbushur me propozime qesharake që nuk përshtaten me rrethanat e Kosovës si dhe me kundërthënie të brendshme dhe inkoherenca përkundrejt propozimeve elektorale. Kjo gjë është e kuptueshme sepse LVV garoi vetëm duke u marrë me të kaluarën e jo duke propozuar vizion për të ardhmen, pra duke demonizuar PDK-në dhe qeverisjet e mëparshme e jo duke planifikuar një program konkret për qeverinë që vjen.

Që në fillim paraqitja e programit nis me një mosmbjajtje të premtimit elektoral duke formuar një qeveri me 15 ministri e jo 12 sikurse ishte proklamuar më të madhe. Mirëpo përvec kësaj ajo që është akoma më manipuluese në këtë program qeveritar është fakti që numri më i vogël i ministrive po shitet sikur të ishte ndonjë kursim domethënës, ndërkohë që propozimet etatiste të këtij programi vetëm me kursimin nuk kanë të bëjnë hiç. Përkundrazi, planet e këtij programi flasin për veprime politike super-shpenzuese me buxhetin qeverisës.

Kështu konkretisht përmenden projekte të shtrenjta si Fondi Zhvillimor, Fondi për Garanci Kreditore, Granti i Katërt për pushteti vendor, Fondin për Kredi për Shkollim, mbulim të interesave për kreditë për sipërmarrje, pagesa qeveritare për familjet e varfëra me më pak se 5000 euro të ardhura në vit, dyfishim të rrogës së të punësuarve privat nëpërmjet mbulimit të rrogës me paret e shtetit, shtim të subvencioneve për bujqësinë, ndërtim të banesave sociale për familjet e reja, Fond Kombëtar për Shkencën, Fond të Ekselencës, investime masive rrugore e hekurudhore etj etj. Të gjitha këto duket qartë se janë premtime megallomaniake për të shpenzuar paratë e buxhetit të shtetit në mënyrë “bujare” e aspak të kujdesshme e pa ndonjë planifikim apo analizë të mirëfilltë. Si do mund të financohen të gjitha këto plane të qeverisë Kurti që kërkojnë së paku  5-6  miliardë euro për t’u realizuar ndërkohë që buxheti i Kosovës sivjet është vetëm 2.5 miliardë euro dhe kur ai planifikon ta çoj vetëm në vetëm 3 miliardë në katër vite?!

Shumë pika të këtij programi të prezantuar tregojnë qartazi se përbëjnë një përpjekje të cekët për të huazuar në mënyrë copy-paste politika sociale rishpërndarëse të vendeve Evropiane Perëndimore pa u kujdesur për kontekstin ekonomiko-social të Kosovës e pa përllogaritur mundësitë e buxhetit për të financuar gjithë këto projekte të kripura. Këtu duhet shtuar që kjo qasje joshjes së elektoratit me premtime materiale nga buxheti, nuk është gjë tjetër përveçse klientelizëm. Me klientelizëm nënkuptohet marrja e pushtetit politik dhe mbajtja nëpërmjet shkëmbimit të favoreve me votuesin. Pra në këmbim të votës qeveritarët shpesh ofrojnë subvencione; investime publike; grante e kredi të buta; ndërtime infrastrukturore; lehtësime fiskale; tolerancë apo amnesti për abuzime, kontrabandë dhe evazion fiskal e të tjera forma të favoreve që i faturohen buxhetit shtetëror.

Në të njëjtën linjë klienteliste shkon edhe premtimi tjetër për të ndryshuar Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP-në), për ta shuar atë dhe për ta transferuar në një agjenci brenda qeverisë. Ky veprim nuk është gjë tjetër përveçse “kapje e shtetit” dhe “politizim” i institucioneve të pavarura, gjë që shkon tërësisht ndesh me qëndrimet dhe propagandën e Vetëvendosjes në opozitë. Aktualisht ky institucion ka një bord që zgjidhet e jep llogari përpara kuvendit, ndërkohë që me këtë veprim po kërkohet që të vendoset tërësisht nën kontrollin e partisë në pushtet. Ngelet për t’u parë sa i mundshëm ka për të qenë ky ndryshim në kushtet kur dihet se AKP-ja është kategori kushtetuese dhe kërkohet shumicë e kualifikuar për ta votuar, por ajo që është e rëndësishme të vihet në dukje, është oreksi për të gllabëruar institucionet e pavarura për t’i shtënë në kontroll politik.

Kur flitet për hipokrizi bie në sy edhe mosperputhja e programit qeveritar me veprimet konkrete të ndërmarra nga mazhoranca e re politike. Kështu për shembull kryeministri i sapozgjedhur deklaroi: “Do të jemi qeveri për Mërgatën. Ata janë pasuria jonë e pashtershme që financuan luftën çlirimtare e që mirëmbajnë paqen sociale.” Mirëpo faktikisht ka dëshmuar të kundërtën duke e ka suprimuar Ministrinë e Diasporës e cila shërbente për të ringjallur, mbajtur dhe konsoliduar lidhjen me diasporën, për të koordinuar politikat qeveritare që lidhen më shtetasit kosovarë që jetojnë jashtë vendit si dhe për të maksimalizuar  përdorimin e potencialit të anëtarëve të diasporës në të mirë të Kosovës. Ka mbi 30 shtete në botë që kanë ministri të dedikuar të diasporës dhe Kosova ka shumë më tepër arsye për ta pasur këtë ministri kur dihet që ka një ndër përqindjet më të larta të emigracionit në botë. Për me tepër është një pandershmëri dhe tradhëti e madhe e Vetëvendosjes ndaj diasporës e cila ka qenë vendimtare për fitoren e saj elektorale, jo vetëm duke e financuar si asnjë parti tjetër, por edhe duke e votuar masivisht. Jo vetëm që LVV mori shumicën e votave të ardhura me postë prej diasporës, por llogariten se mbi 20 mijë emigrantë më shumë kanë hyrë në fundjaven e zgjedhjeve enkas për të votuar. I njëjti qëndrim hipokrit është edhe tek deklarata se “do të jemi qeveri për teknologji informative” ndërkohë që e ka zhdukur Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Një tjetër propozim qesharak ka qenë programi 8 orë në punë që të ngjan më shumë ide marksiste të shekullit të  epokës së industrializmit masiv të 19 sesa një zgjidhje e përshtatshme për aktualitetin. Kryeministri propozon vetëm 40 orë në javë për punëtorët duke e shtuar numrin e inspektorëve të punës deri në 400, sikur Kosova të ishte e mbushur me fabrika e uzina të denja për përshkrimet e librave të Charles Dickens e Jack London. Realiteti është krejt ndryshe, sot në Kosovë ku shumica dërmuese e të punësuarve janë të punësuar në biznese familjare apo janë thjesht të vetëpunësuar. çfarë kuptimi ka që këta inspektorë të shkojnë tek këto lloj biznese për t’iu kërkuar që ta mbyllin dyqanin apo punishten  e tyre pasdite që mos të kalojnë 8 orëshin. Për më tepër që sektori i turizmit, pra kafetë e restorantet, janë ndër punëdhënësit më masiv në sektorin privat dhe këta inspektorë i bie që të shkojnë në mbremje t’iu kërkojë lokaleve që të dëbojnë mysafirët që ende janë duke ngrënë e pirë sepse është mbushur 8 orarëshi.

Në vazhdën e propozimeve absurde spikat edhe ndërtimi i aksit rrugor Gjakovë-Shkodër i cili është diku tek 15% në territor të Kosovës dhe 85% në territor të Republikës së Shqipërisë. Për më tepër që mbi 150 kilometra të rrugës potenciale Qafë-Morinë Shkodër do duhej të ndërtohen nga e para në një terren të thepisur malor të Republikës së Shqipërisë. Për mos të folur pastaj për faktin që Shqipëria ka ngelur pa para me një borxh të lartë publik, ende nuk ka mbyllur ndërtimin e rrugës së Kombit të nisur 12 vjet më parë, dhe nuk ka asnjë përmendje në planet strategjike afatmesme apo afatgjata për ndërtimin e këtij aksi rrugor.  Nën autoritetin e Kosovës për këtë projekt janë vetëm 22 kilometra rrugë ekzistuese në terren të butë kryesisht fushor. Kjo do të se qeveria e re e Kosovës po premton një aks rrugor që i takon  të financohet e ndërtohet pothuaj i gjithi nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë.

Po ashtu një tjetër kundërthënie e brendshme në program është edhe pretendimi “ Do të mbështesim zhvillimin e ndërmarrësisë në tërësi me fokus të veçantë ndihmën për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe industritë prodhuese.” Si do mbështeten këto sipërmarrje private kur qeveria e re po propozon që të shtoj rolin e qeverisë në ekonomi duke ndërhyrë në mënyrë kapilare?  Pra nga njëra anë po i premton ndihmë e nga ana tjetër propozon se do i penalizoj me oraret fikse të punës, do ua shtoj koston e krahut të punës duke bërë presion për rritjen e pagave në sektorin privat e shtimin e pagës minimale si dhe me gjasa ka për t’iu shtuar edhe taksën se ndryshe nuk mund të financohen shpenzimet e mëdha të premtuara. Kur flitet për rritje të kostos së krahut të punës nëpërmjet rritjes së rrogës minimale apo presionit për dyfishim të rrogës së të punësuarve privat, ai thjesht ka për të detyruar kompanitë që të investojnë më shumë në automatizim për të ulur numrin e të punësuarve pra duke shtuar papunësinë.

Po ashtu është moskoherencë të thuhet se “Do të aplikohet rimbursimi për familjet me të ardhura nën 5.000 euro në vit” ndërkohë që “në Kosovë sot ka më shumë treg të zi e të hirtë”. Pra një propozim i tillë rimbursimi vetëm sa ka për të motivuar e stimuluar më shumë familje që të fshehin të ardhurat e shtojnë ekonominë e zezë për të përfituar pa merituar nga buxheti i shtetit.

Përveç nismave absurde, të vetmet nisma të arsyeshme që përmenden në program-propozimin e qeverisë janë faktikisht nisma ekzistuese. Konkretisht projekte si Fondi i Sigurimit Shëndetësor thjesht ishte në prag finalizimi për këtë fillimviti nëse nuk do të ishte prishur qeveria. Njësoj mund të thuhet edhe për transferimin e  mbledhjes së TVSh-së nga kufiri në brendi të territorit për të cilin janë bërë studimet dhe është përgatitur baza ligjore që në qeverinë e kaluar e ngelet thjeshtë për t’u realizuar. Po ashtu projekte si Vettingu apo Fondi për Sigurime Bujqësore janë tashmë nisma të përfolura, shqyrtuara e parapërgatitura shumë më herët e nuk përbëjnë ndonjë novacion apo frymë ndryshimi.

Së fundmi, por jo nga rëndësia, inkoherenca më e madhe e këtij programi me qëndrimet, deklaratat, premtimet e deritanishme të Vetëvendosjes, është padyshim mungesa e “Bashkimit Kombëtar” në këtë program. Pavarësisht se ka qenë lajtmotiv i kësaj organizate politike prej themelimit, kur ka ardhur në pushtet LVV nuk ka asnjë propozim konkret përmbajtësor për të afruar më shumë Kosovën me Shqipërinë. Ka vetëm një përmendje të zbehtë  e kalimtare të tipit “Do të krijojmë zonën e përbashkët energjetike Kosovë-Shqipëri për të arritur komplementaritet në prodhimin e energjisë” gjë që është stërfolur në mbledhjet e mëparshme mes dy qeverive dhe që mbivendoset me nisma të tjera ndërkombëtare për integrimin rajonal të energjisë dhe shtimin e ndërlidhshmërisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme