Premtimi i parë që nuk do të mbajë Albin Kurti

Prishtinë | 16 Shk 2021 | 16:27 | Nga Dritan Hila

Një ndër premtimet e bujshme të Kurtit në prononcimin e tij të parë si fitues, ishte se bisedimet me Serbinë janë pika e gjashtë apo e shtatë e preokupimeve të tij.

Ky deklarim, në një farë mënyre ul edhe frustrimin e shqiptarëve të Kosovës. Të vrarë dhe dhunuar nga Serbia; të poshtëruar pasi gjithë udhëheqja e UÇK është akuzuar për krime lufte dhe ndodhet në burg, kjo është një hakmarrje e vogël por jo produktive. Kosova, ashtu si dikur pas lufte, ku në vend se të dokumentonte krimet dhe dhunimet e serbëve, mendoi se e drejta ishte me të pa pasur nevojë për prova dokumentare por vetëm për gojëdhëna oxhaqesh, edhe sot mendon se e drejta i takon apriori dhe është ajo që dikton kushtet pasi është viktima historike. Mbase mendojnë se janë akoma çështja e parë që shqyrton çdo kryeministër evropian kur hyn në mëngjes në zyrë, pasi gjithë natën ka qenë pa gjumë nga pyetja: Si po e bëjnë gjumin kosovarët dhe si do e kallim nesër Serbinë?

Vetëm se motet kanë ndërruar. Kosova është një shtet ende i panjohur zyrtarisht nga një pjesë e komunitetit ndërkombëtar; është në defensivë diplomatike për shkak të gabimeve të saj dhe ofensivës sistematike të Beogradit; nuk është më e përkëdhelura e perëndimit dhe ndërkohë Serbia nuk është më ajo e Milisheviçit por po rikuperon miqtë e saj historikë në perëndim.

Gjithsesi Kurti mund ta sfidojë Serbinë por problemi është se beteja me të nuk fitohet duke ikur nga bisedimet dypalëshe dhe as me deklarata nga sheshet e Prishtinës, por në zyrat e perëndimit duke fituar zemrën e tij dhe duke e pasur aleat në tryezën e bisedimeve, pasi tashmë perëndimorët kanë një agjendë tjetër për Serbinë. Ata e duan atë sa më shpejt jashtë influencës ruse. Por për këtë iu duhet ta integrojnë sa më shpejt në strukturat euroatlantike.

Vërtet që i kanë vënë si kusht njohjen e Kosovës, por nëse shohin se Kosova është intransigjente, mund të ndodhë që dashamirësia të kthehet në indiferencë dhe pastaj në bezdi.

Ndërkohë Kurti nuk ka luksin t’i bëjë karshillëk perëndimit. Vendi i tij është i varur jo vetëm politikisht nga dashamirësia e tyre por edhe ekonomikisht, pa llogaritur që gjysma e popullsisë së Kosovës janë emigrantë në perëndim.

Pastaj do ishte papjekuri nëse i kundërvihet edhe Izraelit dhe zotimit që ka marrë qeveria Hoti, sinjal që është lënë të nënkuptohet. Izraeli nuk është 8 milionë banorë të mbyllur në shkretëtirat e Negevit dhe lartësitë e Golanit, por diçka më shumë. Këtë e di edhe foshnja në djep.

Dhe e fundit fare, do të ishte e udhës që të tejkalohej abraziviteti që ka me Ramën. Mirë apo keq, Tirana është ende jo vetëm pol politik për Kosovën por edhe dalja e emergjencës në raste krizash ekonomike dhe politike.

Gjithsesi mbase të gjitha këto i duken vogëlsira tani, në momentin e fitores. Por duhet të mendojë sesi do të trajtojë dokumentin që do gjejë mbi tavolinë që i la Hoti, dhe është pikërisht bisedimi me Serbinë. Pasi nëse mbyllet nga të katër anët, shumë pak mundësi ka të çojë vendin e tij drejt objektivave që ka caktuar. Ka më shumë mundësi të shndërrohet në kështjellë n’midis Ballkanit. Pasojat dihen. Por nëse duan të rifreskojnë kujtesën, mund të shohin filmimet tona kur u kërcyem anijeve në ‘90-ën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme