Presidenti është lakuriq!

Prishtinë | 24 Tet 2018 | 22:34 | Nga Fadil Lepaja

Njëri e bën popullin me lot, e tjetri me gaz. Sipas skenarit, krejt përfundon me një të qeshur kolektive me lot, pastaj, pas liberalizimit, populli i lumtur e lë Kosovën në duar të pronarëve dhe do të shkojë kah të dojë vet, i qetë se vendin po e lë në duar të sigurta. Por, deri aty nuk vihet menjëherë. Është proces. Loja e do, ftohtë-nxehtë, derisa të na bëhet njëjtë.

Qysh e keni pa dhe dëgju edhe ju, humoristi i famshëm ia “profetizoi” edhe dyqind vjet jetë në Presidencë kolegut të tij në politikë. Kështu, shefi i shtetit edhe shefi i humorit, po i përzihen në zanat njëri-tjetrit. Njëri e bën me lot. e tjetri me gaz.

Kështu, me shefin e shtetit dhe shefin e humorit, kur bëhen bashkë, situata rikthehet në normale. Të dy shakaxhinj. Krejt po e shajnë presidentin e ai po ha përshesh nëpër emisionet më të shikuara. Së fundmi e promovoi edhe të parin e humorit. Pa dekret. Humori është zanat serioz.

Çka po ju pengon more presidenti? Njeri “tuj hangër përshesh”, si është më së miri? Për kufirin e keni? Hajgare po bën…! Kështu, të gjithë rehatohen dhe gjendja emocionale e kombit rregullohet. E qysh do të pyesni ju? Është proces…

Fillimisht, duhet me e ndryshu Kushtetutën, përshkrimin dhe përgjegjësitë e presidentit. Përgjegjësi e tij e drejtpërdrejtë duhet të jenë hormonet kolektive, kuptohet, krejtësisht apolitike dhe jo partiake si adrenalina dhe serotinina. Pra, mbajtja e balansit emocional.

Adrenalina, nëse mund t’i besohet “Wikipedias”( më poshtë lexo: “Wiki”), prodhohet në veshkë dhe ka për qëllim….! “Rren, rren, rren”, ka me ndërhy në fjalë presidenti i ndjeshëm sa herë përmendet fjala veshkë. “Adrenalina, nuk prodhohet në veshkë”, ka me thanë ai, me të drejtë. Ajo prodhohet në gjëndrat mbi veshkore. Pastaj llafi ka me marrë këtë rrjedhë: “Ti po rren, e pse po rren… rren, rren, rren”. Këtë ka me përsëritë me dhjetëra herë vëllai politik i Edit. Ishte Edi apo ky që po kopjojnë në provim? Qysh ka thënë i moçmi, gjaku në politikë nuk bëhet ujë. Shih, nëse kryeministri i Shqipërisë është vëllai i presidentit turk, dhe presidenti kosovar gjithashtu, atëherë i bie se edhe Edi e Hashimi janë vëllezër.

Nejse…! Kush po kopjon, këtu?

Pra, adrenalina, është një nga hormonet e stresit, po thotë “Wiki”. Përmes gjakut ky hormon shkon deri te gati të gjitha organet (dhe institucionet) dhe prodhon këto ndryshime: shpejton punën e zemrës, rritë fuqinë (apo forcën?! ) e zemrës, ngushton damarët periferik të gjakut ndërkohë që zgjeron ato të zemrës, trurit dhe disa muskujve, prodhon nxehtësi, rritë koncentrimin e sheqerit në gjak, zgjeron bebëzat… edhe shumë ndryshime të tjera politike e jopolitike, të cilat në fakt e përgatisin popullin për luftë, ose për me ikë.

Sido që të jetë, me Kushtetutë duhet të jetë e përcaktuar përgjegjësia e presidentit për me e rritë adrenalinën e popullit, e pastaj qeveria mundet me u marrë me atë se a duhet me ikë apo me qëndrue, me e bë ushtrinë apo me dhanë territore. Këto pastaj mund të rregullohen edhe me ligj. Kështu, çdo iniciativë e presidentit ndikon në nivelin e adrenalinës kombëtare dhe shtetërore.

Të gjitha këto që i thotë “Wiki”, presidenti duhet me i arrit përmes paraqitjeve publike, të dizajnuara nergut për me na mbushë stres, apo me na bë me lot. Përmes debateve në televizione nacionale, ata që përballen me presidentin duhet të jenë shumë më shumë agresiv, më të egër se ai, sa që përpara qytetarëve ai të duket si qengj i butë që thithë… disa nëna.

Kjo duhet përsëritur përditë, sepse, adrenalina, sipas llafeve të “Wikipedias” shumë shpejt bëhet inaktive, dhe populli mbetet me grushte të mbledhura.

Nejse, Kushtetuta nuk duhet me u marrë veç me adrenalinën, (mbi)veshkoret, ikjen apo qëndresën heroike. Duhet të merret edhe me serotininën. E serotinina është hormoni i lumturisë. Pasi të e mbushësh me stres, duhet edhe me e lumturu. Kur shkon presidenti në “Debat+” apo “Rubikon “ prodhon adrenalinë, e kur shkon në “Oxygen” e prodhon serotininën kolektive.

Cila është natyra e vërtetë e presidentit?

Pas aprovimit të ndryshimeve kushtetuese, duhet të përcaktohet se me popullin mund të hajë përshesh vetëm presidenti.

Tash, duhet me e pranue, se ata do të ishin qift perfekt edhe në politikë. Shefi i humorit, i promovuar së fundmi, falë shikueshmërisë, po thotë se nuk merret me politikë dhe në fakt e bënë popullin të mendoj seriozisht për shumë çështje nacionale më shumë se presidenti. Ndërkaq, shefi i shtetit thotë se merret me politikë, ndërkaq e bënë popullin të qeshë më shumë se i pari.

Këto ditë patëm fatin me i pa që të dy në “oxygen”, dhe me dëgjue profecinë shpresëdhënëse se “shefi” edhe dyqind vjet do të jetë president. Hajde, rren, hajde. As njëqind, nuk ka me ndejt. Madje as pesëdhjetë! Deri kurë pra, po pyetet shoqëria civile, e cila ka mbet pa adrenalinë dhe opozita e cila ka mbetur pa serotininë, dhe në popull nuk po shpërndajnë më a shpresë e as gëzim?

Sa të dojë vet! Pronarët e Kosovës nuk po gjejnë prodhues më të suksesshëm të adrenalinës dhe serotininës? Kërkush spo na bënë kështu nervoz edhe s’po na e kthen në hajgare jetën tonë publike, si ky. A jetohet, me Albini president, për shembull?

E serotonina prodhohet në tru dhe në traktin tretës, po thotë “Wiki”. Rren është. Politikisht, ne nuk kemi fare trakt tretës. Gjithçka shkon drejtpërdrejtë në zorrë të trashë. As tru, kolektiv, nuk kemi. Akademia gërhet apo flet në gjumë, nuk po kuptohet qartë. Univerzitetet janë vazhdim i politikës me rroba të tjera.

“Shpifje, shpifje, shpifje”, do të thotë Edi. “Rren, rren, rren, ti po rren”, do të e përkthej në “kosovarqe” Presidenti.

Kur, Edi pat dalur lakuriq në plazh, kjo mund të merrej si promovim i turizmit. Turizmi përbën kurrizin e ekonomisë shqiptare. Athua, çka po promovon presidenti?

Të ngjashme